Sherifi në Strasburg ia numëron Serbisë krimet e panumërta të kryera në Kosovë

19:24 | 17 Janar 2018
M. A.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi ka publikuar në ‘Facebook’, fjalën e mbajtur në Strasburg në takimin e përbashkët të Komisionit për Stabilizim dhe Asociim BE-Kosovë të Kuvendit të Kosovës me deputetët e Parlamentit Evropian.

Në një fjalim të gjatë, Sherifi ka numëruar krimet e panumërta të serbëve gjatë luftës se fundit në Kosovë.

Shefi i deputetëve të Nismës, ka përmendur një serë masakra që janë kryer në Kosovë nga ana e forcave serbë.

Në fjalimin e mbajtur në Strasburg, Bilall Sherifi, cili mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Nisma për Kosovën, ka thënë se forcat serbe me qëllim të shkatërrimit të tërësishëm ose të pjesshëm të shqiptarëve etnik, kanë kryer vrasje, plagosje dhe gjymtimet e dhjetëra mijëra njerëzve të pafajshëm, në mesin e të cilëve mijëra gra, fëmijë dhe pleq.

“Ndaj mbi 20 mijë grave u ushtrua dhunë seksuale në funksion të shkatërrimit të gruas shqiptare, si bartëse e trashëgimisë kombëtare; u dëbuan mbi 1 milion njerëz në funksion të spastrimit etnik të Kosovës… Dhe në fund, pas tërheqjes nga Kosova, forcat serbe morën me vete mijëra civilë shqiptarë. Që nga përfundimi i luftës e deri më sot disa mijëra prej tyre janë kthyer në arkivole nga Serbia ndërsa për fatin edhe të mbi 1600 personave nuk dihet asgjë. Me një fjalë, shteti i Serbisë kreu krime që janë të dënueshme me Konventën Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit”, ka thënë ndër të tjera Sherifi.

Më poshtë e gjeni fjalën e plotë të Bilall Sherifit:

Fjala ime e mbajtur sot në Strasburg në takimin e përbashkët të Komisionit për Stabilizim dhe Asociim BE-KOSOVË të Parlamentit të Kosovës me deputetët e Parlamentit Evropian.

I nderuar kryetar i delegacionit të PE-së z. Tonino Piculla

Të nderuara deputete dhe deputet të parlamentit Evropian

Të nderuar të pranishëm,

Në hyrje të fjalës sime po përmend disa të dhëna që janë të njohura për të gjithë ata që seriozisht janë preokupuar për të mësuar se çka ndodhi gjatë luftës së Kosovës.

Me qëllim të shkatërrimit të tërësishëm ose të pjesshëm të shqiptarëve etnik, forcat serbe kryen vrasjet, plagosjet dhe gjymtimet e dhjetëra mijëra njerëzve të pafajshëm, në mesin e të cilëve disa mijëra gra, fëmijë dhe pleq; ndaj mbi 20 mijë grave u ushtrua dhunë seksuale në funksion të shkatërrimit të gruas shqiptare, si bartëse e trashëgimisë kombëtare; u dëbuan mbi 1 milion njerëz në funksion të spastrimit etnik të Kosovës… Dhe në fund, pas tërheqjes nga Kosova, forcat serbe morën me vete mijëra civilë shqiptarë. Që nga përfundimi i luftës e deri më sot disa mijëra prej tyre janë kthyer në arkivole nga Serbia ndërsa për fatin edhe të mbi 1600 personave nuk dihet asgjë. Me një fjalë, shteti i Serbisë kreu krime që janë të dënueshme me Konventën Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

“Krimet e luftës dhe rruga drejt pajtimit” është temë e vlefshme për të gjitha shoqëritë që dalin nga lufta. Duke i vendosur në relacion të drejtpërdrejtë pasojat e luftës dhe procesin e mbylljes së një kapitulli tragjik, në mënyrë të pashmangshme imponohet reflektimi paraprak rreth asaj që është pengesë në këtë rrugëtim. Në vend që Serbia të pranonte krimet e kryera gjatë luftës, të bashkëpunonte me komunitetin ndërkombëtar për ndëshkimin e krejt zinxhirit të njerëzve përgjegjës për krime dhe të kërkonte falje për këto krime, politikanët e vjetër të Beogradit, të ricikluar në institucionet e reja shtetërore pas rrëzimit të Millosheviqit, aplikuan strategjinë e «fshehjes së krimit».

E shoh të udhës që të përqendrohem në çështjen e «fshehjes së krimit» sepse kjo strategji përbën njërin nga dimensionet thelbësore që na mundëson t’i kuptojmë më drejtë pengesat që dalin në procesin e pajtimit në relacionet Kosovë-Serbi.

Është e njohur se në të gjitha fazat e luftës «fshehja e krimit» e preokupon kriminelin. Në rastin e luftës në Kosovë kësaj sintagme i shtohet një specifikë që e bën të dallohet nga krimet e kryera gjetiu. Vrasja e civilëve të të gjitha përkatësive etnike në Kosovë ishte bërë me vendim politik dhe qëllime të caktuara.

Nuk kam ardhur këtu që t’ju sjell interpretimet e ngjarjeve nga ndonjë shqiptar, qoftë ai edhe dëshmitar okular i krimeve të kryera. Por, të nderuar të pranishëm, po theksoj se qëllimin e vërtetë të këtyre vrasjeve e bënë publike personalitetet politike të vetë shtetit serb. Në dhjetor të vitit 2013 Aleksandar Vuçiqi, Presidenti aktual i Serbisë, deklaroi në cilësinë e zëvendëskryeministrit të Qeverisë serbe, se shteti serb qëndronte prapa shumë krimeve kundër civilëve në Kosovë. Menjëherë pas tij Kryetari i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe Vuk Drashkoviqi, i cili në kohën e luftës në Kosovë ishte Zëvendës-Kryeministër i Jugosllavisë dhe i ngarkuar të udhëhiqte marrëdhëniet me jashtë të këtij shteti, konfirmoi se “Nga koka e shtetit serb u vendos që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të kryente një varg sulmesh terroriste kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Qëllimi i këtyre sulmeve ishte që UÇK-ja të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste dhe, në të njëjtën kohë, përmes këtyre aksioneve do t’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë …

Të nderuar përfaqësues të Komisionit evropian,

Dikush mund të shtrojë pyetjen pse zgjodha që në këtë takim të përbashkët të citoj deklaratat e përfaqësuesve të lartë shtetëror të Serbisë të kohës kur u kryen krimet në Kosovë. Arsyeja qëndron në faktin se këto deklarata janë tejet domethënëse për temën që është shtruar: Këtu kemi të bëjmë me dëshmi për vrasjen e civilëve të të gjitha përkatësive etnike me qëllim të nxitjes së urrejtjes ndëretnike.

Sot, kur po i afrohemi përfundimit të dekadës së dytë nga koha e krimeve më të rënda që ka përjetuar ndonjëherë Kosova, mbi 1600 familje kosovare jetojnë në ankth të përditshëm për arsye se nuk dinë për fatin e të afërmve të tyre.

Në përgjithësi strategjia e «fshehjes së krimit» ka për funksion shmangien nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e atyre që janë të implikuar në kryerjen e krimeve. Në rastin e Kosovës «fshehja e krimit» jo vetëm që pamundëson ngadhënjimin e drejtësisë dhe vënien para përgjegjësisë të gjithë atyre që ishin të implikuar në kryerjen e krimeve, por vazhdon të ushqejë urrejtjen ndëretnike dhe të bëhet pengesë në rrugën drejt pajtimit.

Fatkeqësisht pas hapjes iniciale të «Kutisë së Krimeve serbe në Kosovë» debati u ngulfat në Serbi. Me heshtjen e imponuar nga pushteti për krimet e kryera në Kosovë u zbehën shpresat se tërësia e zinxhirit kriminal nga komanda e deri te ekzekutuesi do të viheshin para përgjegjësive për Masakrën e Reçakut, Masakrën e Izbicës, Masakrën e Rezallës, Masakrën e Krushës së Madhe në Rahovec, Masakrën e Rugovës së Hasit dhe shumë masakra të tjera anë e kënd Kosovës ku u vranë mbi 10 mijë civilë .

Në vend që të pranonte krimet e bëra dhe të sillte para përgjegjësisë penale të gjithë kriminelët, shteti i Serbisë vazhdon edhe sot e kësaj dite të përsëris strategjinë e përpiluar nga Shtabi i Millosheviqit që për vrasjen e civilëve në Kosovë të akuzohen shqiptarët.

Fatkeqësisht, në grackë të kësaj strategjie ranë edhe institucionet ndërkombëtare të drejtësisë që u krijuan enkas për të sjellë drejtësi. Që nga përfundimi i luftës e deri më sot, për krimet në Kosovë janë ngritur më shumë aktakuza kundër ushtarëve të UÇK-së se sa kundër forcave ushtarake dhe policore të Serbisë. Madje, për të arritur kulmin në këtë strategji, u ngritën aktakuza me arsyetimin se përmes tyre do të ndriçohej nëse udhëheqësit e UÇK-së ishin apo nuk ishin të implikuar në krimet për të cilat Serbia i ka akuzuar vazhdimisht.

Të nderuar të pranishëm,

Proceset nuk duhet të procedohen për të dëshmuar fajësinë apo pafajësinë e kujtdo qoftë. Proceset gjyqësore duhet të sjellin drejtësi për viktimat. Në rastin e Kosovës, për shkak të aplikimit të strategjisë për «fshehjen e krimit», jetojnë të lirë përgjegjësit për vrasjen e 1392 fëmijëve, 1739 grave dhe mijëra civilëve të moshave të ndryshme, si dhe dhunuesit e mbi 20 400 grave shqiptare. Familjarët e civilëve të vrarë dhe gratë viktima të dhunës seksuale presin drejtësi. Duke kërkuar fajtorët në pista të gabuara ne vazhdojmë të mbajmë gjallë ankthin e familjeve të viktimave dhe në këtë mënyrë vështirësojmë edhe më shumë procesin e pajtimit.

Për të kthyer vëmendjen në pistën e vërtetë se ku duhet të kërkohen ata që kryen krimet unë po e përfundoj këtë fjalë me deklaratën e ish-Shefit të Shërbimit Sekret të Serbisë Radomir Markoviqi, njeriut që ishte në krye të udhëheqjes së «Eskadronit të vdekjes», siç e quan politikani serb Vuk Drashkoviqi ekipin që kreu krimet kundër serbëve, shqiptarëve dhe pjesëtarëve të përkatësive tjera etnike në Kosovë.

I zhgënjyer nga dënimi maksimal prej 40 vjetësh burg për shkak të implikimit të drejtpërdrejtë në vrasjen e kundërshtarëve serbë të Millosheviqit, “Radomir Markoviqi, në kërkesën për falje të dënimit që i drejtoi Kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikoliqit, kërcënoi se do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë nëse e publikon listën e krimeve të bëra nga Shërbimi Sekret i Serbisë kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë”.

Radomir Markoviqi posedon listat e civilëve të vrarë në Kosovë, sepse ishte në krye të strukturës shtetërore për ekzekutimin e civilëve. Fatkeqësisht, në të gjitha proceset gjyqësore për vrasjen e civilëve në Kosovë as autoritetet e UNMIK-ut e as ato të EULEX-it nuk kishin kompetenca që të merrnin në pyetje asnjë qytetarë të Serbisë, e rrjedhimisht as Radomir Markoviqin i cili posedon listat e civilëve të vrarë nga Shërbimi Sekret i Serbisë. Pa ndriçimin e plotë të listave që posedojnë autoritetet e Beogradit lidhur me vrasjen e civilëve të të gjitha përkatësive etnike në Kosovë, proceset gjyqësore do të përfundojnë pa rezultate pozitive. Përveç atyre që janë të interesuar të fshehin krimin askujt nuk i duhen procese që dëshmojnë pafajësinë e dikujt. Kosovës dhe qytetarëve të saj u duhet që të ngadhënjejë drejtësia që të mbyllet një kapitull tragjik. Megjithatë, ndriçimi i plotë i krimeve është kusht i domosdoshëm që ky kapitull të mbyllet dhe të ecim drejtë rrugës së pajtimit.

P.S.

Kam bërë një kopje të artikullit që sjell deklaratat e lartpërmendura të politikanëve serbë për ata që janë të interesuar për burimin e tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme