Shërbehuni me çaj e kafe, fondet i dedikohen të prekurve me sindrom Down

13:04 | 21 Dhjetor 2019
A. B.

Me të hyrë në sheshin e kryeqytetit, të parët që i shihni nga krahu i majtë, janë anëtarët e Down Syndrome Kosova të cilët tash e disa ditë kanë filluar të bëjnë  promovimin e produkteve dhe vlerave të shoqatës së tyre, raporton arbresh.info.

Çaji dhe kafja janë pijet e nxehta që ju ngrohin në këto ditë të ftohta, së bashku me mirëpritjen e buzëqeshur të anëtarëve të kësaj shoqate.

Sipas Kosovare Bunjakut nga Down Syndrome Kosova, çdo blerje e çajit apo kafes nga këtu, kontribuon drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve psiko-terapetuike, të personave të prekur nga sindromi Down.

“Këtu jemi që disa ditë, ku së bashku me familjet e personave të prekur nga Down Syndrome, po mundohemi t’i shërbejmë qytetarët me çaj, kafe dhe me produktet e shoqatës sonë. Përveç pijeve të ngrohta , këtu qytetarët mund të gjejnë edhe kartolina të punuara me vetë dorën e personave me këtë sindromë.”

Bunjaku, më tutje thotë se për këtë aktivitet qytetarët kanë treguar interesim të madh.

“I falënderojmë qytetarët që kanë treguar një interesim të madhe për këtë aktivitet të shoqatës sonë, të ardhurat e së cilës do të kontribuojnë në ofrimin e shërbimeve tona pa pagesë për të prekurit e këtij sindromi.”

Ndërsa edhe Medina Surdulli, tregon për aktivitetin e saj që e bënë së bashku me shokët dhe shoqet e saj.

“Këto kartolina i kemi punuar vetë ne së bashku me shokët dhe shoqet e mija. Ndërsa xhemi, dhe mjaltin të cilin e ofrojmë për qytetarët e kanë bërë nënat tona .”

Surdulli më tej tregon edhe aktivitetet e ndryshme që i bënë në kuadër të kësaj shoqate.

“Mblidhemi në shoqatë, luajmë lojëra të ndryshme, bëjmë kartolina. Nënat tona bëjnë xhem”, u shpreh Surdulli.

Ndryshe, anëtarët e kësaj shoqate mund t’i gjeni në shesh të Prishtinës çdo ditë nga ora 10:00 e  mëngjesit, aktivitet ky i cili do të zgjasë rreth një muaj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme