As 200 milionë euro të buxhetit të shtetit nuk po i mjaftojnë Ministrisë së Shëndetësisë “për ta shëruar” sistemin shëndetësor. Spitalet kanë mbetur pa materiale shpenzuese, specializantët nuk po paguhen, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Pacientët edhe këtë vit vazhdojnë t’i blejnë gjërat elementare, duke përfshirë shiringat, penjtë kirurgjikë, gjilpërat e mantelet sterile të mjekëve, të cilat ligjërisht do të duhej t’ua siguronte Ministria e Shëndetësisë. Sistemi shëndetësor në Kosovë po ballafaqohet me mungesë të barnave, të materialeve shpenzuese e të aparaturave të ndryshme, pavarësisht buxhetit 200-milionësh të ndarë për shëndetësi.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka premtuar që do t’i sigurojë barnat dhe materialet shpenzuese për pacientët, gjersa zyrtarë nga kjo Ministri nuk kanë pranuar të flasin rreth asaj se pse ende ka mungesa të gjërave elementare.
Ndërsa ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka thënë për “Zërin” se janë krijuar probleme me operatorë ekonomikë, të cilat do t’i kushtojnë Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas tij, gjendja është para kolapsit total të furnizimit me barna.
Për më shumë, anëtarë të Bordit të Klinikës Universitare të Kosovës thonë se ky buxhet nuk po i mjafton QKUK-së dhe se kjo ka hyrë edhe në borxhe. Në anën tjetër, anëtarë të Komisionit për Shëndetësi kanë pohuar se Shëndetësia është në krizë.
Time Kadrijaj, anëtare e këtij Komisioni, ka thënë se do të kërkohet transparencë për të gjitha paratë që shpenzohen nga Ministria. Ndërsa anëtari tjetër i këtij Komisioni, Haxhi Avdyli, ka theksuar se nuk ka planifikim të duhur të nevojave në shëndetësi.
Premtimet e Ministrisë
Ndonëse Qeveria e Kosovës këtë vit ka ndarë 200 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë, kjo ende nuk ka arritur t’i sigurojë barnat e materialet shpenzuese për pacientët.
Rreth 28 euro i kishin kushtuar mjetet esenciale njërit pacient të shtrirë javën e kaluar në Repartin e Kirurgjisë Abdominale. Ndërsa edhe pacientë të klinikave tjera kanë treguar se për të hyrë në operacion është dashur të blejnë jod, gjilpëra, penj, mantele e kapela për mjekët. Ndërsa përveç mungesave në materiale shpenzuese shëndetësia ka mungesa edhe të aparaturave dhe të mjekëve, gjë që edhe këtë vit ka shtyrë shumë qytetarë të ikin për shërim jashtë vendit.
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 500 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
Lukaj: Kosova s`ka nevojë për asociacione, Kushtetuta jep sh...
Plagosja në Vranjevc – arrestohet një person, i konfis...
Gjendet pa shenja jete një person në Shtërpcë
“Economic Times”: Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për...