Shefja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Lisa Magno, tha se Prishtina duhet të tregojë përkushtim të vazhdueshëm në sundimin e ligjit për të pasur zhvillim të mirëfilltë ekonomik.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës Magno tha se sundimi i ligjit është një ndër faktorët thelbësor për nxitjen e investimeve në vend.
Tashmë janë bërë 20 vjet që kur USAID ndodhet në Kosovë. Cilat janë disa nga arritjet kryesore të misionit tuaj në Kosovë gjatë kësaj kohe?
Magno: Më lejoni të filloj përgjigjen duke thënë se e gjitha ka të bëjë me partneritetin, suksesi që ne e kemi këtu është rezultat i drejtpërdrejtë i partneritetit në mes të njerëzve të Amerikës dhe atyre të Kosovës. Matësi im për suksesin ose të arriturat do të ishin institucionet të cilat vazhdojnë të jenë të gatshme, të qëndrueshme dhe të afta dhe të cilat vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre sipas mandatit që u takon përgjatë viteve, marrëdhënie të cilat vazhdojnë edhe kur USAID nuk është më aty.
Pra më lejoni të marr disa shembuj, i pari do të thosha është fondi i Kosovës për garanci kreditore, qasja është gjithmonë problematike posaçërisht për ndërmarrje të vogla e të mesme dhe përmes këtij fondi për të cilin investimi jonë ishte shumë modest dhe përfshin kontribute po ashtu të partnerëve tanë donatorë, ne kemi qenë në gjendje të ofrojmë kredi në vlerë prej 140 milionë dollarësh amerikanë. Një shembull i dytë për të cilin shumë prej shikuesve tuaj me siguri tashmë kanë dëgjuar janë mjedrat.
Me investimin e USAID mjedrat tashmë janë bërë industri masive eksportuese për Kosovën. Para se ne të fillonim ishin vetëm dhjetë hektarë të përkushtuara për mjedrat, kjo është shumëfishuar sepse tani janë 1300 hektarë me mjedra dhe kemi tre mijë fermerë që përfitojnë nga to. Unë ende e kam në mendje udhëtimin tim në qytetin e Podujevës ku ta zëmë shumë gra fermere të cilat ishin dikur të pa puna, tani mbjellin mjedra dhe kanë formuar një lloj koperative ku janë në gjendje të marrin vendime për veten e tyre, të fitojnë të ardhura dhe të ndihmojnë në mirëqenien e familjeve të tyre, posaçërisht fëmijëve të tyre.
Shembulli i fundit që do të jepja është po ashtu në fushën e agrikulturës dhe ka të bëjë me bimët mjekësore dhe aromatike, para se ne të fillonim investimet në këtë fushë ishin vetëm katër apo pesë pika grumbulluese dhe kjo tani është shumëfishuar po ashtu në rreth 50 pika grumbulluese dhe të paktën 12 mijë fermerë po përfitojnë nga mbjellja, tharja dhe eksportimi i këtyre bimëve. Për fund do të thosha se posaçërisht në këtë sektor kemi parë shqiptarët e Kosovës dhe fermerët serbë në Kosovë që punojnë shumë afër dhe bashkërisht sepse kur është biznes i mirë e tëra ka kuptim, pavarësisht se cilës pjesë i takon në kuptimin gjeografik apo se cili është etniteti yt. Pra këto janë disa nga arritjet me të cilat do të thosha jemi më së shumti krenar në Kosovë.
Ku është përqendruar tani puna e USAID-it në Kosovë?
Magno: Siç ka deklaruar ambasadori Philip Kosnett, përparësitë e misionit tonë në Kosovë janë paqja, drejtësia dhe prosperiteti, dhe më duhet të nënvizoj këtu që njëra pa tjetrën janë pothuajse të pamundura. Shumë njerëz flasin për punën, papunësinë dhe mundësitë për të fituar të ardhura këtu në Kosovë. Por kjo nuk është e mundur nëse nuk ekziston respekti për sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit është jashtëzakonisht me rëndësi për investitorët vendorë dhe të huaj për t’i lënë paratë e tyre në Kosovë sepse u nevojitet siguri se kontratat do të bazohen në ligj, kushtet e kontratave do të respektohen.
Prandaj kemi dy projekte që i kemi nisur së fundmi të cilat e përmbushin njëri tjetrin. Njëri është qeverisja ekonomike që siguron se mjedisi biznesor është i përshtatshëm për investime dhe mundësi ekonomike në Kosovë si dhe siguron që mundësitë për korrupsion janë të papërfillshme. Ndërsa pjesa tjetër e kësaj është lansimi i një programi për drejtësinë komerciale, sepse kërkon ekspertizë të specializuar për gjykatat dhe gjykatësit që do të merren me rastet specifike që kanë të bëjnë me bizneset dhe kontratat e tyre.
Një tjetër fushë me rëndësi në të cilën ne kemi filluar të investojmë është rinia, derisa programet tona të mëhershme përfshinin rininë, ajo çka ne duam të bëjmë është të synojmë qëllimisht rininë. Mendoj se është shumë e qartë që Kosova është një vend me popullatë shumë të re, potenciali dhe talenti mund të vërehen këtu prandaj ajo që na duhet është krijimi i mundësive për të rinjtë jo vetëm që të jenë aktiv si qytetarë por të jenë aktiv në ekonomi.
Shumica e buxhetit të Kosovës shkon në pagesa e skema sociale, me investime të kufizuara dhe atë në masë të madhe në infrastrukturë. Bazuar në përvojën tuaj çka i ofron zhvillimit të Kosovës një qasje e tillë dhe a mendoni se duhet të ndryshohet?
Magno: Më lejoni të ju përgjigjem në këtë pyetje duke ju treguar se si ne e shohim zhvillimin dhe se si ne mund ta ndihmojmë Kosovën të ecë përpara në aspektin e zhvillimit. Dy gjërat kryesore që ne shohim, dhe kjo vlen globalisht për misionin tonë, janë aftësia dhe përkushtimi. Aftësia apo siç thash më herët potenciali dhe talenti janë prezentë këtu në Kosovë dhe për mua angazhimi me të rinjtë e Kosovës është posaçërisht inspirues, kështu që për ne, USAID, dhe kolegët tanë donatorë, është një punë e madhe në ndërtimin e aftësive që është bërë për t’u siguruar se institucionet janë të afta për të kryer punët të cilat pritet t’i kryejnë.
Sa i takon tregut të punës ne ofrojmë zhvillim të fuqisë punëtore, më e rëndësishmja ne ndihmojmë në ndërmjetësimin në mes të atyre që kanë nevojë për punonjës, si kompanitë, bizneset private dhe në anën tjetër njerëzve që janë të aftë t’i ofrojnë shërbimet që kërkohen. Sa i takon aftësive pika e fundit që do ta përmendi është se kërkohet baza e duhur legjislative apo ligjore dhe përgjatë 11 vjetëve të pavarësisë së Kosovës mendoj se baza ligjore për sundim të ligjit, baza ligjore për një numër çështjesh kritike si dhe zbatimi i rregullave dhe procedurave janë kryer me sukses.
Ndërsa faktori i dytë që në shumicën e rasteve është faktori më i vështirë është përkushtimi, dhe me këtë nënkuptojmë institucione që në vazhdimësi e zbatojnë ligjin, në vazhdimësi e respektojnë sundimin e ligjit dhe ndjekin rrugët ligjore. Kjo çon në meritokraci duke garantuar që njerëzit e duhur, ata që janë të kualifikuar fitojnë punët, duke zgjeruar mundësitë në sektorin privat ashtu që jo të gjitha punët të koncentrohen në sektorin publik dhe në fund posaçërisht për njerëzit e rinj në Kosovë që janë plot me energji dhe potencial.
Është po ashtu angazhimi i rinisë dhe qytetarëve, ashtu siç themi ne në Shtetet e Bashkuara dhe çdo kund “ne e meritojmë qeverinë që e kemi” prandaj nëse njerëzit nuk angazhohen dhe nëse qeveria nuk dëgjon njerëzit e vet, nuk angazhon votuesit e vet, kjo nuk është formulë për sukses. Prandaj ne mbështesim një numër të organizatave të shoqërisë civile dhe presim të mbështesim edhe më shumë organizata të bazuara në komunitet posaçërisht jashtë Prishtinës.
Sa kanë ndikuar investimet e USAID-it në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe cila është shuma e përgjithshme e investuar deri tash?
Magno: Do të përmend shifrën zyrtare që e kemi të regjistruar dhe që është 900 milionë dollarë që kur USAID është vendosur në Kosovë, por mendoj që kjo nuk është pjesa më e rëndësishme sepse ne gjithmonë themi vlera e ndihmës sonë është aq e mirë sa partneriteti dhe përkushtimi që ne marrim nga bashkëpunëtorët tonë qoftë në qeverisje, shoqëri civile apo komunitete lokale.
Ndoshta për të ilustruar ndikimin ekonomik të ndihmës së USAID-it do të flas vetëm për dy vitet e fundit ku mbështetja jonë posaçërisht në sektorin privat ka krijuar mbi gjashtë mijë vende pune, punësimi është një problem i madh këtu prandaj është me rëndësi që ne të krijojmë apo të ndihmojmë në krijimin e mjedisit dhe rrethanave që prodhojnë punësim, dhe të krijojmë aso vende pune që janë shumë produktive dhe që ofrojnë punësime të mëtutjeshme në të ardhmen.
Pra për këto punë që janë krijuar në dy vitet e fundit po ashtu jam krenare ta përmend që rreth 40 për qind e tyre janë për gratë dhe 41 për qind për rininë. Siç mund ta dini ne kemi po ashtu programin për të drejtat pronësore ku jemi siguruar të vetdijsojmë njerëzit për të drejtat e grave për qasje në prona sepse shpesh herë për të qenë në gjendje të nisni një biznes ose të aplikoni për kredi, posedimi i pronës është një faktor i rëndësishëm. I përmenda mjedrat më herët dhe nga këto gjashtë mijë vende pune, rreth tre mijë e 700 janë në fushën e agrikulturës.
Kemi ndihmuar në gjenerimin e 109 milionë eurove shitje dhe më shumë se gjysma e kësaj shume është në eksporte. Pra shumë nga ajo që ne bëjmë është edhe të ndihmojmë fermerët të dinë më shumë për zbulimet e reja teknologjike, si të arrijnë të eksportojnë, por ajo që është gjithashtu me rëndësi është se si ata të arrijnë standarde ndërkombëtare. Prandaj ne i ndihmojmë fermerët me certifikimet për të cilat ata kanë nevojë dhe jam e lumtur të them se sigurohemi që kur prodhimet të dalin jashtë shtetit aty të shkruhet “E BËRË NË KOSOVË” dhe ky është mbishkrimi që ata e kanë në prodhimet e tyre.
Cilat janë planet për të ardhmen, fushat ku do të punoni apo veprimtaritë ku do të përqendroheni?
Magno: Mendoj se jemi të hapur të punojmë në secilin sektor, në të ardhmen partneriteti ynë do të duhet të vazhdojë të zhvillohet dhe në dy gjëra do të përqendrohemi kryesisht. E para do të jetë llogaridhënia, mendoj se në vitet e fundit kemi bërë mjaftueshëm për të siguruar se ekziston një sistem, disa procedura, ka transparencë në qeverisje. Kemi bërë shumë ta zëmë në prokurimin elektronik, tani të gjitha kontratat qeveritare duhet të publikohen online ashtu që shoqëria civile dhe qytetarët mund t’i shohin ato. Por në pesë vitet e ardhshme derisa ne e zhvillojmë strategjinë tonë të re për vendin do të nënvizojmë llogaridhënien që nënkupton zbatim të vazhdueshëm të ligjit, meritokraci dhe largimi i mundësive për korrupsion.
Po ashtu për qeverinë dhe qytetarët të përkushtohen në zbatimin e reformave pozitive politike që janë vendosur. E dyta do të jetë ofrimi i mundësive dhe këtu u referohem jo vetëm mundësive ekonomike por mundësitë për tu angazhuar si qytetarë të Kosovës. Grupi i të rinjve që ne kemi sot në Kosovë është më i madhi që Kosova ndoshta ka pasur në 11 vjet të pavarësisë së saj, po shohim njerëz të rinj duke diplomuar në universitete, duke kërkuar punën e tyre të parë, duke krijuar familje për herë të parë dhe po ashtu duke votuar për herë të parë.
Duam të sigurohemi se talenti dhe potenciali që janë këtu, të zhvillohen dhe të qëndrojnë këtu ashtu që të mund të kontribuojnë në rritjen dhe të ardhmen e Kosovës. Pika ime fundit në pyetjen tënde do të ishte se derisa partneriteti jonë zhvillohet, ne përfundimisht do të donim ta shihnim Kosovën, edhe qeverinë por edhe qytetarët në udhëheqje. Ne jemi shumë të lumtur që jemi prapa skenës duke mbështetur Kosovën, por duam të shohim zgjidhje që krijohen në partneritet me partnerët tanë në Kosovë si edhe intervenime që ekzekutohen dhe implementohen bashkë me Kosovën, në atë mënyrë që nuk ka rëndësi nëse jemi këtu, apo sa është buxheti jonë, sepse është Kosova ajo që po i prin rrugës për qytetarët e vet. /VoA/
Rutte flet me Erdoganin për situatën e sigurisë në Kosovë
Vera e ardhshme pritet ta gjej në skuadër të re Fisnik Aslla...
Programi “ALBAdapt”, Kumbaro: Kapitull i ri, përgatit Shqipë...
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi
Haradinaj thërret konferencë për media nesër, s’dihet arsyej...
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...