Google ADS

Shefi i ri i BE’së në Kosovë flet për Gjykatën Speciale, heqjen e vizave dhe dialogun

20:39 | 10 Tetor 2020
Arbresh.info

Tomáš Szunyog është shefi i ri i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë që ka zëvendësuar Natalyia Apostolovan.

Szunyog ka folur rreth qëllimeve të tij në detyrën e re, për sfidat me të cilat përballet Kosova – aspektin zhvillimor të vendit dhe këndvështrimin e Bashkimit Evropian mbi Kosovën.

Ai ka folur për Gjykatën Speciale dhe për ndryshimet që duhet të ndodhin në proceset integruese dhe shtetformuese të Kosovës e gjithashtu edhe për liberalizimin e vizave.

Szunyog është shprehur se ka marrë detyrën në Kosovë në kohët e vështira të pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19 dhe thotë se tani prioritet kryesor e ka ndihmat ndaj Kosovës në aspektin shëndetësor dhe socio-ekonomik.

Ai gjithashtu në intervistë për për lajmi.net ka thënë se Bashkimi Evropian është investuesi dhe mbështetësi kryesor i Kosovës, ka shpalosur detaje nga plani i Bashkimit Evropian për Investime në Ballkanin Perëndimor duke përmendur shifrën e 9 miliardë eurove si ndihmë e para-anëtarësimit ndaj vendeve të rajonit.

Më tutje, sundimi i ligjit dhe luftimi i krimit të organizuar, një sistem zgjedhor më efikas dhe zbatimi i marrëveshjes së MSA’së, sipas Szunyog janë me rëndësi të qenësishme për zhvillimin e Kosovës.

“Shërbime më të mira shoqërore, më shumë barazi gjinore, më pak dhunë në familje, shoqëri civile më e fortë, media më të pavarura, investime në kulturë dhe më shumë mbështetje dhe simpati për komunitete të ndryshme dhe grupe të paprivilegjuara, gjithashtu nevojiten në Kosovë.”, tha Szunyog.

Duke folur për liberalizimin e vizave, Szunyog është shprehur se Komisioni dhe Parlamenti Evropian kanë konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se pret nga vendet anëtare të votojnë pro liberalizimit të vizave për kosovarët.

Më tutje, Szunyog duke folur për Gjykatën Speciale është shprehur se BE e mbështet punën e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe se është e rëndësishme që ata të zhvillojnë punën e tyre pa ndikime nga jashtë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme