Shefi i FMN-së: Rritja ekonomike vitin tjetër do të shkojë deri në 4%

12:26 | 4 Nëntor 2022
E.H

Udhëheqësi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gabriel Di Bella në një konferencë për media shpalosi një pasqyrë të përgjithshme të vizitës së tij në Kosovë.

Ai arsyetoi rritjen e inflacionit në Kosovë me luftën në Ukrainë duke thënë se është një sfidë dhe situatë shumë sfiduese për gjithë Evropën përfshirë edhe Kosovën.

Di Bella u shpreh se rritja ekonomike këtë vit mund të jetë nga 2 deri në 3 për qind.

Di Bella në konferencën e përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati, tha se rritja ekonomike për vitin e ardhshëm mund të shkojë deri në 4 për qind.

“Ka të dhëna dhe janë preliminare dhe ASK i rishikon ato, dhe në tre mujorin e parë e paraqesin një rritje prej 3.4 për qind dhe në tre mujorin e dytë janë 2.3 për qind. Për të qenë real, ne parashikojmë një rritje prej 2-3 për qind deri në fund të vitit”, shtoi ai.

“Mund të ketë një rritje të implementimit të investimeve që mund ta rrisin këtë përqindje, por duhet të presim deri në fund të vitit për të parë këtë rritje. Për këtë vit është 2-3 për qind ndërsa në vitin e ardhshëm 3-4”, tha ai.

“Nuk është befasi që lufta në Ukrainë ka krijuar një situatë të vështirë për Evropën dhe Kosova nuk bën përjashtim nga kjo dhe si pasojë e luftës janë rritur çmimet, dhe prandaj Kosova ka bërë që të ketë inflacion. Tani për t’i zbutur këto tronditje, dhe Qeveria ka marrë disa vendime që kanë pasur synim zbutjen e kësaj tronditjeje”, tha tutje ai.

“Kur japim parashikime, janë në këtë mjedis kur ka rreziqe, është e vështirë të parashikohet saktë. Ajo që parashikohet të ndodh, është ulja e çmimeve dhe me këtë rast Kosova do të përfitojë gjallërim ekonomik. Tani poenta është se çfarë do të ndodhet nëse çmimet e energjisë rriten, natyrisht këto tronditje e bëjnë të ardhmen më të zbehtë”, u shpreh ai./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme