Departamenti amerikan i Shtetit tha të martën se të gjithë personat e përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e sulmit në Banjskë në veri të Kosovës me 24 shtator të vitit 2023, duhet të vihen para drejtësisë.
“Ne ritheksojmë pritshmërinë tonë që Serbia të luajë rolin e saj për të siguruar përgjegjësi të plotë për autorët e sulmit pa vonesa të mëtejshme”, tha në një përgjigje për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, një zëdhënës i DASH-it.
Kosova shënoi të martën njëvjetorin e sulmit, kur një grup serbësh të armatosur vranë një oficer policie.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë trysni ndaj Beogradit që të dorëzojë personat e armatosur, që u tërhoqën në Serbi pas një përleshjeje 12 orëshe me policinë një vit më parë.
Përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e grupit e mori përsipër Milan Radoiçiç, një politikan lokal serb i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe me lidhje të fuqishme me Beogradin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Në dhjetor të vitit 2023 emri i tij është vënë në një urdhër arresti të Policisë Ndërkombëtare, INTERPOL.
“Si i dyshuar, ai absolutisht duhet të gjykohet. Megjithatë, ekziston një pengesë shumë serioze ligjore; Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën. Pra nuk ka asnjë procedurë ligjore për ekstradim. Unë nuk jam ekspert ligjor dhe nuk jam i sigurt nëse ka një rrugëdalje për diçka të tillë. Por, në këtë rast është një justifikim mjaft i përshtatshëm për të mos bërë asgjë. Është sigurisht një rast në të cilin është e nevojshme, nëse ekziston vullneti i të dyja palëve, të gjendet një mënyrë për ta gjykuar atë person për veprimet që mund të ketë kryer”, i tha Zëri të Amerikës në gjuhën serbe, John Erath, ekspert në Qendrën amerikane të Kontrollit të Armëve.
Në tetor të vitit 2023, Milan Radoiçiç u lirua nga paraburgimi në Beograd pas më pak se një dite dhe gjatë seancës dëgjimore në prokurori ai pranoi organizimin e sulmit, duke pretenduar në të njëjtën kohë se nuk besonte se kishte kryer një krim.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i tha Zërit të Amerikës, se hetimet kundër Milan Radoiçiçit janë duke vazhduar.
“Radoiçiçi e ka statusin e të dyshuarit. Urdhri për hetimet e ngarkon atë se ka kryer tri vepra penale me persona të tjerë të panjohur: shoqërim për kryerjen e veprave kriminale, prodhim, mbajtje, dhe trafikim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Hetimi i plotë i sulmit në fshatin Banjskë dhe bashkëpunimi i Serbisë për vënien e autorëve para drejtësisë janë kërkesë e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
“Nuk më duket se komuniteti ndërkombëtar është veçanërisht i përfshirë, apo i papërfshirë në këtë rast. Ai duket se po e trajton si një tjetër nga çështjet e shumta të hapura mes Kosovës dhe Serbisë: ngjashëm me bllokimin e importeve të mallrave nga Serbia, çështjen e targave e tema të tjera. Megjithatë, besoj se duhet një qasje më serioze ndaj vdekjes së qenieve njerëzore – policit dhe tre sulmuesve. Por, nuk duket se komuniteti ndërkombëtar i qaset këtij rasti ndryshe në krahasim me incidentet e tjera”, tha për Zërin e Amerikës, Michael Kirby, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Serbi.
NATO-ja u bëri thirrje autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë që të kryejnë hetime dhe të vënë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë, i cili cilësohet si ngjarja më e rendë që nga koha kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.
“Ne i trajtojmë shumë seriozisht ngjarjet dhe sulmet e vitit të kaluar ndaj trupave të NATO-s. Ato janë të papranueshme”, thuhet në një përgjigje të një zyrtari të NATO-s për Zërin e Amerikës.
Përveç sulmit të armatosur të serbëve ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në fund të muajit maj të vitit të kaluar në një përleshje ndërmjet serbëve dhe ushtarëve të KFOR-it, më shumë se 90 ushtarë të NATO-s mbetën të plagosur.
“Për shkak të dhunës së vitit të kaluar, KFOR-i ka shtuar praninë e tij në Kosovë me rreth 1000 ushtarë shtesë nga përbërja rezervë. Katërfishuam praninë tonë në veri dhe trefishuam patrullimet, përfshirë edhe vijën kufitare. Kjo ndihmon në parandalimin e sulmeve të mëtejshme dhe qetësimin e popullatës lokale”, thuhet në përgjigje, në të cilën theksohet se “komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me Policinë e Kosovës dhe përfaqësues të tjerë të organizatave të sigurisë në Kosovë si dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë “për konsolidimin e sigurisë së përhershme në mbarë Kosovën dhe ruajtjen qëndrueshmërisë rajonale”.
Ngjarja padyshim ndikoi edhe në procesin e negociatave Kosovë – Serbi që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve, që lidhen me përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.
“Nuk ka pasur përparim në proces as para një viti. Dhe, që atëherë, ai nuk ka lëvizur fare. Palët fajësojnë njëra-tjetrën dhe kanë pjesërisht të drejtë për ta bërë këtë. Nuk ka vullnet politik tani për tani dhe nuk më duket se ka shumë mundësi që të ketë në një të ardhme të afërt”, tha zoti Erath, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare./voa
Kusari-Lila rrëfehet për kancerin e gjirit: E zbulova krejt ...
Të paktën 20 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
LDK premton koeficient të pagave 150 euro për të giithë shër...
U tha se zëvendësministri i ri i MINT-it ishte dënuar për ke...
Nga 100 euro për fëmijë e pensionistë, Rrahmani: Vendim i du...
Çfarë nuk i pëlqeu Gjestit te Xheneta gjatë darkës?