Google ADS

SHBA pret konstruktivitet nga Kurti e Vuçiq: Normalizimi të synojë njohjen

11:41 | 24 Shkurt 2023
L G

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre se e mbështesin fuqishëm propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne presim që të dy liderët t’i qasen takimit në frymën konstruktive të nevojshme për të ecur përpara në përputhje me të”, thuhet në reagimin e Departamentit të Shtetit në prag të raundit të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të mbahet të hënën në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç deklaroi mbrëmë në një intervistë ekskluzive për RTK-në i dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak, përveç deklaratës zyrtare se e pranojnë propozimin evropian, duhet të shqyrtojnë edhe detajet e zbatimit të këtij propozimi.

Departamenti i Shtetit në një përgjigje për Zërin e Amerikës, ka thënë se është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të përdorin bisedimet për të shprehur përkushtimin e tyre për një të ardhme paqësore të rajonit.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Kosova dhe Serbia kanë negociuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse për më shumë se një dekadë nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian – me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Bisedimet ndërmjet dy palëve, u ngadalësuan veçanërisht gjatë vitit 2022, në një periudhë të cilën e shënoi agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës.

I pyetur nëse mund të pritet një përparim apo edhe një pikë kthese pas raundit të ardhshëm të bisedimeve në Bruksel, Departamenti i Shtetit u përgjigj se është inkurajuese që Serbia dhe Kosova e kanë pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.

“Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian theksuan mundësitë e propozimit të Bashkimit Evropian dhe vunë në pah rëndësinë e përparimit të shpejtë – për të shmangur rrezikun e përshkallëzimeve të mëtejshëm”, thuhet tutje në reagimin e DASH-it.

Tutje DASH ka inkurajuar ‘fuqishëm serbët e Kosovës që të kthehen sa më shpejt në institucionet e Kosovës në mënyrë që të përmirësohet siguria dhe stabiliteti për të gjithë qytetarët’.

“Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të sigurojë kushte për serbët e kualifikuar të Kosovës që ta bëjnë këtë pa vonesë. Marrëveshjet e Brukselit parashikonin integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Ne i mbështesim plotësisht ato marrëveshje dhe vazhdimin e zbatimit të tyre”, ka shprehur qëndrimin e tij Departamenti i Shtetit lidhur me këtë çështje.

Një çështje tjetër është zbatimi i marrëveshjeve të arritura më parë në Bruksel, në mesin e të cilave është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që ishte dakorduar nga palët në vitin 2013.

Mirëpo, në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se disa dispozita të asaj marrëveshjeje ishin jokushtetuese dhe Qeveria e Kosovës, deri më tash e ka kontestuar themelimin e këtij asociacioni për shkak të karakterit njëetnik.

Megjithatë muajt e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë insistuar tek institucionet e Kosovës për ta zbatuar këtë dispozitë të marrëveshjes sa më shpejt – gjë që u konfirmua edhe një herë nga Departamenti i Shtetit:

“Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut, duke përfshirë përparimin në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në reagimin e DASH-it.

Në pyetjen nëse e sheh marrëveshjen e palëve për propozimin evropian si mjet për neutralizimin e ndikimit të Rusisë në Serbi, Departamenti i Shtetit thekson se dialogu me Kosovën është i rëndësishëm për stabilitet.

“Progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së, është ende shumë i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe evropian në një kohë kur po përballemi me agresionin rus në Ukrainë dhe me kriza në mbarë Evropën të shkaktuara nga dhuna brutale dhe pushtimi i pajustifikuar i Putinit”, ka theksuar tutje DASH.

Departamenti i Shtetit nuk ka folur për pasoja të mundshme nëse Serbia dhe Kosova refuzojnë apo humbasin mundësinë që u është ofruar me propozimin evropian.

“Është më e rëndësishme të flasim për mundësitë: propozimi paraqet mundësi për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor në një kohë kur Evropa po përballet me krizën më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore. Siç është treguar tashmë nga Bashkimi Evropian, pranimi i marrëveshjes do të përshpejtojë përparimin e të dy vendeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai gjithashtu do të avancojë qëllimet tona kryesore për rajonin e Ballkanit Perëndimor – duke përfshirë arritjen e paqes, stabilitetit dhe përparimit të të gjithë popujve”, thuhet në fund të përgjigjes së Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Të ngjashme