Shtetet e Bashkuara shprehën të premten “shqetësimin e thellë për përpjekjet e fundit në Parlamentin e Kosovës për të shfuqizuar ligjin”, për Gjykatën e Posaçme, e themeluar për “të shqyrtuar rastet e akuzave për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera serioze të kryera gjatë konfliktit të viteve 1998-2000”.
Ky qëndrim u shpreh përmes një deklarate të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.
“U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë të Republikës së Kosovës që të respektojnë angazhimin e tyre ndaj punës së Dhomës së Specialistëve dhe të lënë të pandryshuar autoritetet dhe juridiksionin e gjykatës”, thuhet në deklaratë.
Siç u shpreh Sekretari Tillerson më 21 dhjetor, vënia në vend e drejtësisë në Ballkan nuk ka përfunduar, vazhdon deklarata, dhe “ne mbetemi të përkushtuar që të mbështesim drejtësinë për viktimat”.
“Ne përshëndesim kurajon morale të udhëheqësve politikë të Kosovës që miratuan ligjin dhe ndryshimin kushtetues që bëri të mundur themelimin e kësaj gjykate në vitin 2015”, shprehet zëdhënësja në deklaratë.
“U bëjmë thirrje me forcë udhëhqësve aktualë të Kosovës dhe anëtarëve të Parlamentit që të mos ta zhbëjnë atë arritje duke e prekur gjykatën tani ose në të ardhmen”, përfundon deklarata.
Ideja për shfuqizimin e gjykatës pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që e cilësojnë atë diskriminuese për Kosovën.
43 deputetë paraqitën të premten e kaluar, më 22 dhjetor, kërkesën për një seance të jashtëzakonshme për të votuar shfuqizimin e ligjit. Në mungesë të kuorumit, kryesia e parlamentit nuk ishte në gjendje të merrte vendim për datën. Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike, lëvizjes Vetëvendosje dhe të Listës serbe e bojkotuan takimin e kryesisë.
Ambasadorët perëndimorë reaguan me shpejtësi, duke paralajmëruar po atë natë Kosovën për pasoja të rënda. Ambasadori amerikan u shpreh se “këto përpjekje, nëse kanë sukses, do të kenë ndikime të thella negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Kjo do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një thikë pas shpine”.
Parlamenti i Kosovës është me pushime deri në mes të janarit, por debatet rreth nismës kanë vazhduar. Nuk është e qartë në se do të ketë përpjekje të reja për ta rimarrë në shqyrtim kërkesën kur parlamenti të mblidhet vitin e ardhshëm.
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin “dhomat e posaçme” do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.
Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Gjykata është vendosur në Hagë për faktin se siç është thënë dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.
Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës. /VoA/
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 500 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
Lukaj: Kosova s`ka nevojë për asociacione, Kushtetuta jep sh...
Plagosja në Vranjevc – arrestohet një person, i konfis...
Gjendet pa shenja jete një person në Shtërpcë
“Economic Times”: Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për...