Njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se duhet shpejtuar në formimin e institucioneve, pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme.
Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bashkimin Evropian, Blerim Reka, i cili njëherësh është njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, ka thënë për “Zërin” se nëse Kosovës para tre vjetësh iu deshën gjashtë muaj të humbura për ta formuar Qeverinë, tani nuk e ka luksin që t’i humbë edhe gjashtë muaj apo më shumë në beteja të panevojshme të inateve ndërpartiake.
“Sidomos jo si një shtet që mezi nënshkroi MSA-në dhe ende nuk ka regjim, pa viza me BE-në. Një Britani e Madhe e fuqishme dhe e pasur edhe mund t’i lejojë vetes brenda disa muajve t’i mbajë dy parë zgjedhje, por jo edhe një Kosovë të varfër. Nëse në tentimin e parë koalicioni PAN nuk arrin ta formojë Qeverinë e nuk mandatohet ‘Vetëvendosja’ vendi do të shkojë në zgjedhje të reja”, thotë Reka.
Por atëherë ai thekson se “Vetëvendosja” do të forcohet edhe më shumë, duke e formuar në vjeshtë vetë Qeverinë pa nevojë koalicionimi. “Nëse pas tre vjetësh ‘Vetëvendosja’ u rrit për 120 për qind, çka mund të presim pas vetëm tre muajsh si fituese e këtyre zgjedhjeve? 2017-a është krejtësisht ndryshe nga 2014-a. Kush nuk e kupton këtë vërtet jeton jashtë realitetit politik”, thotë Reka, transmeton zeri.info.
Ai ka shtuar se në zgjedhjet e 11 qershorit votuan për të parën herë ata që kishin lindur në vitin 1999. “Në vjeshtë kjo kategori moshore vetëm sa do të jetë më e numërt në trupin elektoral dhe besoj se ju vetë mund ta parashikoni, që tash në qershor, rezultatin e zgjedhjeve eventuale të parakohshme në vjeshtë”, ka thënë ai për gazetën.
Reka beson se Thaçi do të veprojë sipas Kushtetutës, por nëse koalicioni që ka fituar më shumë nuk arrin t’i sigurojë 61 deputetë, ai (presidenti), sipas tij, duhet t’i japë mandatin partisë se mund ta bëjë këtë. Dhe këtë herë, për dallim nga 2014-a, Reka thotë se jo vetëm Thaçi, por më shumë SHBA-ja dhe BE-ja do ta kërkojnë formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re për shkak të prioriteteve gjeopolitike dhe rajonale, ku një Kosovë vakum strategjik, pa qeveri, me terren të hapur për përzierje të lojtarëve të tjerë jashtë komunitetit Euroatlantik (si Rusia apo ISIS-i), siç shprehet ai, vetëm sa do ta zgjaste agoninë qeveriformuese, transmeton zeri.info.
“Besoj se e dini çka ndodhi me përzierjen para e paszgjedhore ruse në Malin e Zi vjet, në Maqedoni sivjet, e çka po ndodh në Shqipëri këto ditë, ku në prag të zgjedhjeve të atjeshme rusët blenë një televizion dhe tri portale”.
Reka thotë se nëse PAN-i nuk arrin ta formojë Qeverinë, “Vetëvendosja” në koalicion me të tjerët mund ta formojë atë. Ai nuk beson se mund t’i mohohet dhënia e mandatit qeveriformues një partie të tillë, pasi sipas tij këto përcaktime të qarta politike janë njëkohësisht edhe kërkesa të komunitetit Euroatlantik. “Fundja edhe SHBA-ja, por edhe BE-ja, këto ditë ishin të qarta, formim sa më i shpejtë i Qeverisë nga ata që dëshmojnë se kanë siguruar 61 mandate”, thotë Reka.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...