Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se kishin hequr sanksionet ndaj tre ish-zyrtarëve dhe dy kompanive iraniane që më parë tregtonin produkte farmaceutike iraniane. Masa që u cilësua nga një zyrtar amerikan si hap rutinë, por që mund të tregojë gatishmërinë e Uashingtonit për të lehtësuar sanksionet kur të jetë e justifikueshme.
Duke folur me kusht që të mos identifikohej me emër, zyrtari amerikan tha se ky hap nga Zyra e Departamentit të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja lidhej me përpjekjet për të nxitur kthimin e Iranit dhe të SHBA në parametrat e marrëveshjes bërthamore me Iranin të arritur në 2015.
Heqja e zyrtarëve dhe kompanive iraniane nga lista pasqyron “një ndryshim të verifikueshëm në sjellje apo status” të atyre që ishin nën sanksione dhe “dëshmon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të hequr sanksionet në rast se ka ndryshime”.
Një zëdhënës i Departamentit të Thesarit tha se tre individët kishin dëshmuar se “nuk janë më në postet e mëparshme në ente që kanë lidhje me qeverinë iraniane” duke shtuar se nuk ka arsye për të mbajtur në fuqi sanksionet kundër tyre.
Çmimet e naftës në tregun botëror ranë përkohësisht të enjten pasi u njoftua nga disa grupe mediatike se ishin hequr sanksionet kundër zyrtarëve iranianë të naftës. Ky fakt tregon se sa peshë ka nafta iraniane në tregun botëror nëse Irani lejohet të shesë naftë lirisht.
Zyrtarët amerikanë dhe iranianë pritet të fillojnë raundin e gjashtë të bisedimeve jo të drejtpërdrejta në Vjenë këtë fundjavë lidhur me mënyrat që mund të shërbejnë për të kthyer dy palët në praktika që përputhen me marrëveshjen bërthamore, të njohur si Plani i Përbashkët i Përgjithshëm për Veprim.
Në bazë të marrëveshjes, Iranit i kufizohet programi bërthamor në mënyrë që të mos i lejohet të sigurojë material për prodhimin e armëve bërthamore. Si shkëmbim, Iranit i ofroheshin lehtësime në sanksionet amerikane, sanksionet e BE-së dhe OKB-së.
Ish-Presidenti Donald Trump e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja në 2018, me argumentin se i ofronte Teheranit lëshime të tepërta për kufizime të pamjaftueshme të programit të tij bërthamor. Administrata Trump reagoi duke vënë sanksione që godisnin rëndë eksportet iranine të naftës.
Irani u kundërpërgjigj duke shkelur kushtet e vëna nga marrëveshja për programin bërthamor.
Presidenti Biden shpreson të negociojë kthimin e dy vendeve në marrëveshje gjë që kërkon diskutime të reja mbi kufizimet që mund të pranojë Irani dhe lehtësimet e sanksioneve që mund të ofrojë Uashingtoni./voa/
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit