SHBA do t’i shesë Kosovës raketahedhës, Vuçiç: Zhgënjim i madh për Serbinë

09:19 | 13 Janar 2024
K.B

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shprehur i zhgënjyer nga njoftimi se Shtetet e Bashkuara do t’i shesin Kosovës raketahedhës kundër tankeve, “Javelin”.

Kështu thuhet në një njoftim të presidencës serbe pas takimit të udhëheqësit serb Vuçiç me ambasadorin amerikan në Beograd, Chritopher Hill.

Sipas komunikatës, ambasadori Hill e njoftoi presidentin Vuçiç për pranimin e kërkesës së Prishtinës për blerjen e raketave kundërtank “Javelin”.

Siç tha ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do t’ia dërgojë kërkesën e Prishtinës, Kongresit Amerikan, nga ku fillon procedura zyrtare.

Presidenti Vuçiç, thuhet më tej, tha se “ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë“, por theksoi se do të punojë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane.

“Për ne është me rëndësi që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për qëndrueshmërinë në Ballkan”, citohet të ketë thënë presidenti serb.

Raketahedhësi “Javelin” prodhohet që nga viti 1994 dhe për herë të parë është përdorur në Irak dhe Afganistan.

“Javelin” u bë i njohur pas agresionit rus në Ukrainë, pasi është përdorur gjerësisht nga forcat ukrainase kundër tankeve ruse.

Nuk pati ndonjë koment rreth këtij njoftimi nga autoritetet në Prishtinë me gjithë interesimin e Zërit të Amerikës. /VOA

Të ngjashme