Shantazhi dhe shtytja, pistat për hetimin e vetëvrasjes së dy adoleshenteve në Prizren

16:40 | 4 Qershor 2018
Arbresh.info

Gati një muaj pasi një e re nxënëse e shkollës së mjekësisë në Prizren u hodh nga kati i pestë i një ndërtese, e më shumë se dy javë pas saj edhe shoqja e ngushtë ra nga kati i shtatë, Prokuroria në Prizren po heton disa pista që mund të kenë çuar deri në vdekjen e dy të miturave, që deri më sot janë të cilësuara si “vetëvrasje”.

Shantazhi dhe shtytja në vetëvrasje, janë dy nga pistat të cilat është duke hetuar Prokuroria Themelore e Prizrenit, rreth vetëvrasjes së dy nxënësve të klasën e dhjetë të shkollën e mesme të mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren, që ndodhen pak ditë ndërmjet vete.

Hetimet për dyshimet e mundshme i ka konfirmuar për Gazetën Express, të hënën, kryeprokurori i kësaj prokurorie, Admir Shala.

“Jemi duke mbledhur informacione. Sot e kemi pasur takimin me hetuesit e rastit, dhe kemi dhanë udhëzime se çka me siguru. Goxha jemi duke hetu në atë drejtim. Nuk mundemi ende me dal me naj konstatim”, ka thënë ai përmes telefonit.

Ai ka treguar se në cilësinë e dëshmitarëve deri me tani janë intervistuar dhjetëra dëshmitarë.

“Kemi intervistuar plotë, shoqe, shokë, familjarë. Me duket edhe drejtori dhe disa profesorë”, tha kryeprokurori Shala.

Rasti i parë, në Prizren ndodhi më 8 maj të këtij viti, kur viktima 16 vjeçe u hodh nga kati i pestë i një ndërtese. Pak javë më vonë, më 25 maj, nga kati i shtatë i një tjetër ndërtese u hodh edhe shoqja e saj e ngushtë, e të njëjtës moshë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme