Shala: Procesi gjyqësor ndaj meje e Limajt, për të na eliminuar politikisht, dihet iniciatori

00:59 | 15 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë dhe zyrtari i NISMA Socialdemokrate, Endrit Shala ka ardhur më një rrëfim për jetën dhe karrierën e tij në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala.

Endriti është i martuar dhe ka tre fëmijë. Ai me profesion është mjek i përgjithshëm, profesion që kanë pasur edhe prindërit e tij, përcjell Telegrafi.

Fillimet në politikë, ai thotë se i ka marrë për shkak se prindi i tij ka shërbyer si mjek në UÇK, e që më pas sipas tij UÇK-ja ishte identifikuar me PDK-në dhe aktivitetet e tij në këtë parti ishin të natyrshme.

Endriti bashkë me Fatmir Limajn e disa ish-zyrtarë të tjerë të PDK-së për shkak të disa pakënaqësive kishin themeluar subjektin NISMA që tash njihet me emrin NISMA Socialdemokrate.

Shala bashkë me Limajn ka qenë pjesë e disa proceseve gjyqësore sa ishin në detyrë në Ministrinë e Transporteve dhe Infrastrukturës, dhe ai për këtë thotë se qëllimi ka qenë eliminimi politik i Fatmir Limajt.

Ai thotë se vendimi gjyqësorë për pafajësi ka qenë shumë i rëndësishëm për të “për të dalë para familjes ashtu edhe siç ishte i pastër”.

Zyrtari i NISMA-s thotë se dihen emrat “kush ka montuar procesin ndaj tij”.

“Personi që ka montuar dosjen time ka qenë djali i një ish-prokurori në Kosovë…Ai e di më së miri kush e ka urdhëruar për të iniciuar një proces ndaj nesh [për rastin MTPT]”.

Ai thotë se është mirë që është kuptuar edhe nga gjykata se ajo ka qenë një tendencë për eliminimin tonë politik.

Shala ka folur edhe për rastin e shumëpërfolur të gjuajtjes me armë. Ai thotë se përdorimi i armës me gaz është bërë në një moment kur ai ishte në festë pas gjithë vuajtjeve në procese gjyqësore.

Thotë se pavarësisht se gjuajtja e tij nuk ka rrezikuar askënd, është penduar për veprimin që ka bërë dhe nuk do ta përsëriste më.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme