Shala kërkon prokuror në seancat e Kuvendit, shkak gjuha që po përdoret

12:02 | 3 Tetor 2017
Arbresh.info

Opinioni në vend po vazhdon të jetë spektator i fjalosjeve të ndryshme në mes të deputetëve  e ministrave të vendit. Madje këto fjalosje të cilat po bëhen jo vetëm në Kuvend por edhe në debate të ndryshme kanë kaluar edhe në sharje, fyerje, e ofendime nga më të ndryshmet.

E kjo gjuhë e cila po vazhdon t’i servohet qytetarit për kryetarin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut po shihet si “gjuhë e rrugagjive”. Sipas tij Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerrë një rregullore e cila sanksionon gjuhën e cila nuk është parlamentare.

“Kuvendi duhet të nxjerrë thjesht një rregullore ku duhet të sanksionojë një gjuhë e cila nuk është gjuhë parlamentare, duhet ta sanksionojë një gjuhë e cila nuk ka të bëjë me mandatin, dhe përderisa nuk e kemi një rregullore e cila i sanksionon këto atëherë gjithmonë do të kemi një situatë të njëjtë, përsëritje të akuzave dhe fyerjeve “, ka thënë Behxhet Shala për arbresh.info.

Shala thotë se në kushtet në të cilat gjendet Kuvendi i Kosovës do të ishte e udhës që në çdo seancë të ishte i pranishëm një prokuror.

“Realisht ne mendojmë që në kushtet e krijuara në Kuvend do të ishte mirë që gjithmonë të ishte i pranishëm një prokuror sepse aty ka aq shumë akuza, ka aq shumë shpifje aq shumë trillime saqë aty është çështje e prokurorisë dhe Prokuroria në bazë të diskutimeve që bëhen në Kuvend do të duhej të merrte masa ose ndaj atij që akuzohet ose ndaj atij që akuzon pa bazë”, ka pohuar Shala.

Që gjuha e deputetëve duhet të jetë parlamentare dhe të mos shndërrohet në gjuhë fyese e thotë analisti Ramush Tahiri. Sipas tij nuk është në mandatin e deputetit që të flet për të gjitha çështjet.

“Nuk është në mandatin e deputetit që të flet për të gjitha çështjet vetëm pse është deputet por duhet të flet për çështjet për të cilat është profesional sepse ashtu ndahen edhe Komisionet Parlamentare. Neve po na ndodhë që gjuha e ndërhyrjeve , ndërprerja e fjalëve, gjuajtjet nga vendi me fjalë dhe mos lënia e përfundimit ose shkurtesës së fjalës dhe të gjitha këto e lënë një përshtypje të keqe sepse ato transmetohen drejtpërdrejtë dhe ndikojnë keq te qytetarët”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij debatet dhe seancat e Kuvendit po shfrytëzohen në mënyrë jo funksionale nga deputetë të caktuar.

“Parlamenti, debatet edhe seancat janë publike dhe ndonjëherë po shfrytëzohen në mënyrë jo funksionale nga deputetë ta caktuar të cilët nuk po i zgjedhin fjalët dhe nuk po zgjedhin fjalorin, faktikisht po përdorin një fjalor rrugë mos me thënë shtëpie, sepse në shtëpi nuk besoj që e përdorin një fjalor të tillë dhe kjo po ndikon keq te qytetarët por po ndikon keq edhe te atmosfera e përgjithshme në Kuvend sepse Kuvendi nuk matet me atë kush bërtet më shumë , kush kujt po ia ndërprenë fjalën apo kush kënd po e akuzon”, ka shtuar Tahiri për arbresh.info.

Tahiri ka thënë se rregullorja e Kuvendit  sa i përket gjuhës parlamentare duhet të respektohet./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme