Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se Ligji për parandalimin e Konfliktit të Interesit nuk është zbatuar që nga koha kur ka hyrë në fuqi.
Sipas tij, IKD-ja ka bërë një hulumtim i cili ka gjetur se ka pasur prokurorë të cilët kanë arritur të kenë të hyra vjetore deri në 54 mijë euro, që janë më të larta se të hyrat vjetore edhe të presidentit.
Shala ka thënë se një numër i gjyqtarëve dhe prokurorëve duke marrë pjesë në pozita dytësore kanë përfituar shuma të majme të parave, përfitime këto, sipas tij, janë të kundërligjshme.
“Ka pasur prokurorë brenda zyrës së prokurorit të shtetit që kanë fituar 54 mijë euro të hyra vjetore nga pagat dhe shtesat e tjera që tejkalon edhe pagën e presidentit të shtetit. Zyrtarët i janë shmangur deklarimeve të këtyre shtesave në deklarimet e tyre të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Pagën e tyre vjetore nuk e kanë ndarë mirëpo e kanë deklaruar si burim të vetëm bashkë me shtesat e tjera që kanë marrë në institucione të tjera”, ka thënë Shala.
Ai ka shtuar se problematikë është edhe çështja se gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë të drejtë të angazhohen në komisione apo institucione që nuk janë pjesë e sektorit të drejtësisë.
Shala ka thënë se bëhet fjalë për shifra milionëshe të dëmtimit të buxhetit të Kosovës si pasojë e pagesave të dyfishta të zyrtarëve të sektorit të drejtësisë.
“Nisur nga një numër i madh i institucioneve dhe akterëve që fitojnë shtesa në këtë mënyrë bëhet fjalë për shifra milionëshe dhe për këtë AKK-ja duhet ta zbatojë ligjin në mënyrë që të ndalojë këto praktika. Gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës janë ndër më të paguarit në rajon. 20 mijë deri në 35 mijë euro janë të hyrat në vit për gjyqtarë dhe prokurorë vetëm për punën bazë”, ka thënë Shala në KTV.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka dërguar gjatë ditës së enjte një opinion ligjor Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me interpretimin e dispozitave për zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Sipas Haxhiut, qëllim parësor i këtij opinioni ligjor është lehtësimi i zbatimit në praktikë të këtij ligji, në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ky ligj është miratuar.
“Siç jeni në dijeni, qëllimi i ligjit është bazuar në praktikat dhe standardet ndërkombëtare në mënyrë që të sigurojë se zyrtarët publik gjatë ushtrimit të funksioneve publike detyrat e tyre i kryejnë në mënyrë objektive, të paanshme dhe transparente. Ushtrimi i funksioneve publike në mënyrë objektive, të paanshme dhe transparente ka për qëllim edhe promovimin dhe ruajtjen e integritetit personal të zyrtarit dhe të institucionit që përfaqëson”, thuhet në interpretimin e Haxhiut.
Në letër thuhet po ashtu se në funksion të realizimit të qëllimit të Ligjit, specifikisht nenit 13 i këtij Ligji përcakton se:
“Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të”.
Ministrja Haxhiu ka theksuar se zyrtari i lartë, krahas funksionit të tij publik, mund të jetë anëtar i vetëm një organi të cekur më lartë, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj.
Ndërsa pjesa e cila i referohet shpërblimit me pagesë, nënkupton se zyrtari i lartë nëse është njëkohësisht anëtar i organeve të cekura më lartë nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...