Shala: Agjencia e Arkivave duhet të ketë pozitën e duhur ligjore

16:42 | 21 Prill 2017
Arbresh.info

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka vizituar sot Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ku është pritur nga kryeshefi ekzekutiv i këtij institucionit Ramë Manaj.

Në takim u bisedua për punën dhe kushtet në të cilat punon Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe mundësinë e rregullimit të statusit ligjor të këtij institucioni.

Sipas një komunikate të MKRS-së, kryeshefi Manaj u shpreh i lumtur që për herë të parë një ministër i Qeverisë së Kosovës e viziton institucionin që ai udhëheqë.

Manaj e informoi hollësisht ministrin Shala dhe bashkëpunimin që ka institucioni me institucionet e brendshme, vendet e rajonit dhe botës. Po ashtu, ai e njoftoi ministrin për veprimtarinë botuese ku ndër të tjera botojnë edhe vjetarin e institucionit, historikun e tij dhe me vështirësitë që përballet institucioni i arkivit.

“Mungesa e hapësirave, kushteve, teknologjisë dhe investimeve janë problemet kryesore me të cilat përballemi”, tha Manaj duke shtuar se “është e nevojshme pajisja me aparaturë të nevojshme të depove ku ruhet materiali arkivor, digjitalizimi i lëndëve arkivore të cilat do të ndikojnë në ruajtjen e këtyre lëndëve”.

“Institucioni ka mbi 1800 lëndë arkivore ku mbi 50% e këtij materiali është risistemuar. Është i nevojshëm edhe rregullimi i lëndës së paarkivuar dhe për këtë kemi nevojë për staf profesional dhe kapacitete shtesë”, u shpreh Manaj.

Manaj tregoi se Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ofron edhe shërbime direkte ndaj kërkesave të qytetarëve për qasje në materialin dhe lëndët arkivore.

Manaj theksoi se shpreson që Qeveria e Kosovës do të rrisë interesimin dhe pret nga ministri Shala që ta përkrah këtë institucion.

Ministri Shala u shpreh se do të bëhen përpjekjet e nevojshme që Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës të marrë tretmanin meritor për shkak të rolit dhe rëndësisë së posaçme që ka.

“Ky institucion na shërben në ruajtjen e kujtesës sonë”, tha ministri.

Ministri u shpreh se do të diskutohet në nivelin më të lartë ekzekutiv që Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës të ketë pozitën e duhur ligjore dhe përkrahjen e nevojshme në plotësimin e kapaciteteve që ky institucion të realizojë aktivitetin dhe funksionin e tij.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme