Shaban Gogaj: Kurrgjë s’ka ndodhur me dëshirë dhe vullnetin tim, krejt jetën e jepi veç Agonisi me qenë gjallë

14:09 | 31 Janar 2024
R J

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Pejë, Shaban Gogaj në mbrojtjen e tij tha se çdo gjë kishte ndodhur pa vullnetin dhe dëshirën e tij, andaj edhe jetën do e jepte që të ishte gjallë Agonis Tetaj.

Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z., Kurse, Isuf Cacaj akuzohet për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jam deklaru edhe një herë se krejt jeten e jep veç Agonisi me qenë gjallë, e vërteta qekjo ma ndryshe s’ka qysh me dalë, unë jam qetu s’kam me dalë”, tha Gogaj.

Ai tha se e vëreta është siç ka deklaruar edhe herën e parë dhe mbetet pranë asaj deklarate, ndërsa shtoi se është penduar tërë jetën për atë që ka ndodhur dhe se atë kohë kishte qenë vetëm 18-vjeçar.

“Nuk ka ndodhur kurrgjë me dëshirë dhe vullnetin tem, krejt çka ka ndodh, ka ndodh pahiri t’u bo hajgare. Të gjithë familjes Tetaj, bacit Isuf dhe gjithë të tjerëve ju shprehi ngushëllime dhe le ta dinë edhe ata se unë e kam edhe 100 herë ma të ron se ata. Kam jetu, e kam me dek tanahere me Agonisin edhe më vjen keq për gjithçka çka ka ndodh nuk kam bo kurrgjë me dashje”, tha Gogaj në mbrojtjen e tij.

Ai në fund kërkoi falje dhe tha se është duke e ndarë dhimbjen me të dëmtuarit sikur t’i kishte ndodhur edhe atij e njëjta.

Pas pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, i akuzuari nuk vazhdoi të deklarohet më dhe e shfrytëzoi të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

Më pas, meqenëse Gogaj zgjodhi të mbrohet në heshtje e të mos përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit, atëherë trupi gjykues i kryesuar nga Violeta Husaj-Rugova tha se nuk mund ta detyrojnë atë t’iu përgjigjet palëve tjera dhe konstatoi se mbrojtja e të akuzuarit ka përfunduar.

Në mungesë të të dëmtuarës Albesa Cacaj dhe me propozim të mbrojtësit të viktimave, Luan Mehmetaj, seanca e sotme është ndërprerë.

Ndryshe, më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar  me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt.

Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtësit të Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Kurse, pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 23 mars 2023 e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z. Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, në dyqanin “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armën, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme