Sfidat e të burgosurve të mitur gjatë pandemisë dhe pritja e Vitit të Ri brenda katër mureve

13:12 | 31 Dhjetor 2020
Arditë Shkodra

Viti 2020 ishte ndryshe për gjithë njerëzimin. Pandemia Covid-19, ndryshoi rrjedhën e jetës edhe brenda qelive.

Arbresh.info ka realizuar një reportazh në Qendrën Korrektuese në Lipjan, këtu ku vuajnë dënimin të miturit dhe gratë e dënuara për vepra të ndryshme penale.

Ani pse të dënuar, të rinjtë që vuajnë dënimin këtu çdo fundvit për nder të festës së Vitit të Ri kishin organizuar koncerte dhe programe festive.

Këtë vit një gjë e tillë u pamundësohet për shkak të rrezikut të përhapjes së pandemisë.

Drejtoria e Qendrës Korrektuese në Lipjan, për arbresh.info jep detaje rreth ballafaqimit të kësaj qendre me Covid-19, sfidat, trajnimet që mbajnë të dënuarit e deri të festimi i Vitit të Ri.

Drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, Arif Beqa tregon sfidat që ka pasur kjo qendër gjatë përballjes me pandeminë.

Ai, thotë se drejtoria e kësaj qendre është munduar të minimizojë ndikimin e Covid-19 tek të burgosurit, duke u munduar që vijueshmëria e shkollimit, praktikës dhe jetës normale brenda qelisë, të zhvillohet brenda suazave normale pa rrezikimin e tyre nga pandemia.

“Në përgjithësi Covidi pak a shumë në tërë botën edhe tek ne e ka pas ndikimin e vet. Nuk mundemi me thënë që s’ka pas ndikim, megjithëse ne jemi munduar t’i kryejmë obligimet tona ligjore karshi të burgosurve, karshi të miturve. Kështu që jemi munduar të gjithë ato rutinat, programet, shkollimin, zbatimin e praktikave në përgjithësi t’i kryejmë brenda çështjet normale të sigurisë”, është shprehur Beqa.

Përkundër asaj që kjo drejtoria është munduar të minimizoj ndikimin e pandemisë tek zhvillimi i jetës brenda burgut, vizitat e familjarëve të tyre, shkuarja e tyre në familje gjatë vikendit ka qenë e pamundur  nga marsi i këtij viti.

“Kemi pas të kufizuar lëvizjen nga jashtë të miturve nga çka ka ndikuar ajo, pastaj vizitat familjare. Megjithëse jemi mundu edhe në këtë kohë ta kompensojmë këtë mangësi, për shkak të komunikimit me publikun, me familjarë,  në mënyrë që të mos depërtojë pandemia brenda. Komunikimi i tyre me familjarë është bërë përmes Skype dhe telefonit”, ka treguar Beqa për arbresh.info.

Ndonëse një pjesë e stafit të kësaj qendre korrektuese nuk i kishin shpëtuar infektimit me Covid-19, masat e ndërmarra nga drejtoria e këtij burgu në parandalimin e infektimit të të miturve që  vuajnë dënimin këtu kishin ndikuar që asnjë nga të burgosurit të mos preket nga ky virus.

“Tek stafi kemi pas të infektuar , pra 10 persona nga stafi janë infektuar, por me kohë kemi intervenuar te ata, janë izoluar dhe fatbardhësisht nuk kemi pasur shtrirje më të madhe me të infektuar”, ka treguar ai.

Drejtori i kësaj qendre ka një lajm të mirë për gjithë ata të mitur që po vuajnë dënimin këtu.

Ai, thotë se nga e hëna do të lejohen sërish vizitat familjare, dhe vizitat e të burgosurve në familje gjatë vikendeve.

Madje, disa prej tyre Vitin e Ri do e presin në familje.

“Tani nga e hëna është liruar që nga një familjarë mund t’i vizitojë të miturit, të burgosurit në këtë rast edhe lejohet vizita në familje. Besoj që tani një pjesë e madhe e tyre janë shfrytëzues të vikendit dhe do të shkojnë në familje. Prej 28 do të shkojnë në familje do të jenë me ta për Vitin e Ri”, tregon Beqa.

Beqa: Çdo herë kemi organizuar programe të veçanta, përfshirë koncerte për Vitin e Ri, këtë vit nuk lejohen

Pritja e Vitit të Ri brenda mureve të kësaj qendre, këtë vit do jetë më e zbehtë. Kjo për shkak të rrezikut të përhapjes së pandemisë Covid-19.

Beqa, tregon se çdo fundvit drejtoria kishte organizuar programe të veçanta për të miturit që vuajnë dënimet këtu, mirëpo këtë  herë sipas tij, nuk do të ketë diçka të veçantë, përveç mbledhjes së tyre në salla, zgjatjes së orarit të qëndrimit dhe një menyje ushqimore pak më të veçantë se ajo e përditshmja

“Çdo herë kemi mbajt koncerte, programe të veçanta, sivjet nuk lejohen ato, sidomos më komunikim me jashtë, me shoqëri, me artistë me muzicientë. Sivjet është më zbehtë , pasi duhet të kemi kujdes nga Covidi. Por ,kemi përgatit diçka edhe për këtë vit, i kemi përgatit disa salla ku ata qëndrojnë natën e Vitit të Ri, i kemi dekoruar ato, pastaj do ja bëjmë një ushqim më të mirë për rata që rrinë brenda këtu, e ata që shkojnë në familje do të jenë atje”, tregon ai.

Drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, tregon si do të jetë nata e Vitit të Ri për ata të mitur që nuk do kenë mundësi të shkojnë në familjet e tyre.

“Këta që rrinë brenda e kanë një program më të ngjeshur muzikor, televizorin ja lejmë më gjatë, pastaj kanë mundësi gati tërë natën të shikojnë televizor, do të ketë edhe dhurata, nga disa OJQ-të  cilat kanë shprehur dëshirë ta bëjnë këtë . Pra po mundohemi që në mënyrë simbolike të festohet ky Vit i Ri”.

Beqa, ka një urim dhe këshillë për gjithë të miturit.

“Për të gjithë të miturit, urime, i urojmë festën e Vitit të Ri, të jenë të kujdesshëm në shoqëri, në publik, të mos kryejnë vepra dhe të mos vijnë këtu në burg”, përfundon urimi i tij.

Të burgosurit, i gëzohen  lajmit për rikthimin e vizitave familjare dhe vikendeve në familje

Të miturit të cilët po vuajnë dënimet në këtë qendër, tregojnë për shkollimin dhe trajnimet që ndjekin këtu brenda. Ata thonë se pandemia ka ndikuar në jetën e tyre brenda qelisë.

A.A  tregon se ka më shumë se tre vjet që po vuan dënimin këtu. Atij, i kanë mbetur edhe 6 vjet të tjera.

A.A tregon se këtu ka vazhduar shkollimin dhe është në përfundim të klasës së 12.

“Shkollimin këtu e kam vazhduar, tani për momentin jam në klasën e 12-të dhe e përfundoj sivjet. “Këtu jam që 3 vjet e 3 muaj dhe më kanë mbetur edhe 6 vite tjera”, tregon ai

Pandemia ka pamundësuar vizitat e familjarëve, e kjo ka ndikuar edhe tek A.A. Megjithatë, ai thotë se rutinën e tij ditore është munduar ta mbaj konstante me mësim dhe aktivitete sportive.

“Kur është shfaqë pandemia, janë ndaluar vizitat, e këto rrobat e gjërat që na nevojiten munden të na i sjellin këtu. Rutina ime ka qenë e njëjta sa i përket sportit, shëtitjeve gjithçka ka qenë e njëjtë, nuk ka ndryshuar asgjë”, rrëfen ai.

Ai thotë se është i kënaqur me kushtet dhe trajtimin që i bëhet nga stafi.

“Po, mendoj që janë të mjaftueshme. Të gjithë janë të sjellshëm dhe të përkushtuar me kry obligimin e vet dhe punën e tyre”, thotë ai.

Ai, tregon edhe aktivitetin që zhvillojnë për nder të natës së motmotit.

“Po dekorimet i kemi vendosë në sallë që e kemi në pavijon dhe e festojmë në mënyrën tonë, ashtu si e kemi festuar gjithë. “Ua uroj të gjithëve Vitin e Ri, edhe familjes time’, ka uruar ai.

I riu tjetër që po vuan dënimin tash e dy vjet këtu për vrasje, B.N rrëfen një ditë të zakonshme të tij brenda burgut.

“Këtu jam që dy vite, edhe shtatë tjera kam. Jam i dënuar për vrasje”, nis rrëfimi i tij.

Ai, tregon aktivitetet me të cilat po merret gjatë këtyre ditëve, kur gjysmëvjetori i parë i shkollës ka përfunduar.

“Zakonisht shkojmë në shkollë, por tani e kemi kry, në trajnime, në sport, por tani që nuk kemi shkollë dhe trajnimet i kemi përfunduar punojmë nga pak,  jemi duke e ly pavijonin”.

Ai, thotë se pandemia i ka pamundësuar vizitat e familjarëve të tij, mirëpo kontaktin me ta e ka mbajtur përmes Skype dhe telefonit.

“Po ka ndiku pandemia se nuk kemi pas vizita. Në Skype flasim vetëm të mërkurave nga gjysmë ore dhe në telefon gjithashtu”, tregon ai.

Ai, e ka pritur mirë vendimin e drejtorisë për lejimin e vizitave të familjarëve që do të bëhet tash e tutje, pas ndërprerjes që ishte bërë për një kohë të gjatë për shkak të pandemisë.

“Po jena gëzuar shumë pasi po vijnë familjarët , ani pse veç nga një person”, thotë ai.

B.N ka një kërkesë për drejtorinë e Qendrës Korrektuese në Lipjan

“Kërkesa jem është vetëm për shëtitje, e kemi keq se është mbylltë. “Ambienti është i mbyllur, po kemi krejt pavijoni problem me sy, po na dhëmbin sytë, s’po kemi çka me shiku diçka ma larg”, shprehet ai.

Ani pse këtu po vuan dënimin, B.N nuk ka vërejtje për stafin e kësaj qendre. Ai thotë se edhe me shokët e dhomës ia kalojnë mirë.

Ai, thotë se pritjen e Vitit të Ri e bënë bashkë me shokët e dhomës së qelisë.

Ushqimin për këtë festë thotë se e blejnë ata vetë.

“Mirë me krejt me shokët e dhomës, me oficera mirë ja kalojmë. “Me shokë kështu porositim n’kantinë, mish, ndonjë gjë për të ngrënë, por viti që ka kaluar nuk kemi pasë kurrgjë prej burgut nuk na kanë pru kurrgjë, veç na të burgut, shokët që i kemi mbledhur paret edhe këna ble me hëngër”, rrëfen i mituri.

I burgosuri tjetër, M.L i cili po ashtu vuan dënimin këtu, tregon se përveç dënimit, këtu ka arritur të punësohet.

Ai, zgjohet në mëngjes për të nisur punën e tij në nxehjen qendrore, për të vazhduar pastaj punët tjera brenda këtij institucioni.

“Në mëngjes çona në ora shtatë, jam duke punuar nxehje qendrore,  e kam deri në 11 e gjysmë dhe mbas dreke prej orës 1 deri në ora 3 punoj më punë çka ka në institucion”, shprehet ai

I mituri është i kënaqur me kushtet që i ofron ky institucion korrektues.

Ai, madje thotë se këtu mund të argëtohen me lojëra elektronike.

“Mirë mirë s’është  keq. Mirë kalojmë, luajmë me sony, kemi DVD, mirëpo më shumë luajmë futboll”, thotë ai.

Masat kundër Covid-19,  kanë ndikuar qe M.L të mos i takoj familjarët e tij, por të komunikojë me ta veç përmes mjeteve elektronike.

“Mire është, me Skype sa mi pa, por tash na janë hapur edhe vikendet. Jam gëzu, por jam edhe shfrytëzues i vikendit”, shprehet ai.

Megjithatë, edhe ky i mitur ka një ankesë për drejtorinë.

“Na ndikon keq këtu se shëtitjen e kem të ngushtë, brena katër mureve, s’mund të shohim larg përveç mure, ndikon keq në sy”, shprehet i shqetësuar ai.

Oficerja korrektuese tregon për mënyrën e komunikimit të të burgosurve me familjarët e tyre gjatë kohet së pandemisë.

Sipas saj, ata janë mundësi që për 30 minuta të komunikojnë me Skype me familjarët e tyre.

“Siç dihet me ndalimin e vizitave i’u është mundësuar komunikimi virtual me familje përmes platformës Skype. Të drejtë kanë të komunikojnë 30 minuta minimumi gjatë javës, ka që bisedojnë edhe më shpesh por minimum është 30 minuta”, shprehet ajo

Ajo, thotë se pandemia ka ndikuar tek gjendja psikologjike e atyre që po vuajnë dënimin këtu.

“Kemi vepru ashtu që sado pak t’jau lehtësojmë këtë gjendje ma shumë psikologjike që ka ndiku tek të gjithë ne, sidomos tek këta që janë të mbyllur, por po besojmë që edhe këta janë mjaftë të kënaqur me këtë metodë”, përfundon ajo.

Ndryshe, të miturit që vuajnë dënimet këtu kanë mundësinë të merren me shumë aktivitete.

Ata nga muaji mars kanë nisur me prodhimin e maskave. ata këtu kanë mundësi të kryejnë shkollimin e mesëm të lartë dhe fakultetin, si dhe aftësimin profesional në lëmin e muratorisë, ujë instalues, elektors, si dhe teknologji informative.

Shumë prej tyre kanë arritur të certifikohen në mënyrë që kur të dalin nga burgu të jenë të përgatitur për të ardhmen, dhe  t’a gjejnë vetën në komunitet./arbresh.info/ArditëShkodra/

Të ngjashme