Google ADS

Sfidat e Qendrave Sociale gjatë pandemisë

09:14 | 30 Tetor 2021
L G

Si rezultat i masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë, është rritur nevoja e qytetarëve për shërbime sociale.

Problemet më të theksuara gjatë kësaj periudhe kanë qenë ndihmat monetare, ruajtja e shëndetit mendor dhe adresimi i dhunës në familje.

Qendra për punë sociale është e vetmja derë ku qytetarët kanë pasur mundësinë të kërkojnë ndihma për gjërat e nevojshme elementare.

Që nga fillimi i pandemisë, kjo qendër thuajse luante rolin kryesor për këto familje.

Gjatë periudhës kur u vendos karantina, detyrë tjetër e kësaj qendre ishte edhe zbatimi i masës së 15-të të pakos emergjente nga qeveria.

Në Kosovë aktualisht janë 40 Qendra për punë sociale, të cilat kanë pushtet të deleguar nga niveli qendror për ofrim të Shërbimeve Sociale.

Arbresh.info ka kontaktuar me Qendrën për Punë Sociale, ku përmes një email me shkrim nga zyra për media janë përgjigjur se ka pasur sfida gjatë kësaj periudhe por që me kalimin e kohës janë tejkaluar.

“ Gjatë pandemisë familjet në nevojë kanë pas fillimisht ndjenjën dhe panikun e rrezikut për jetesë, pasi që në fillim u fol shumë për mungesë të artikujve ushqimore. Mirëpo kjo situatë është tejkalua shumë shpejt dhe më pas sfidat kryesore kanë qenë të ndërlidhura me kufizimin lëvizjes së lirë, mungesës së transportit, radhëve në banka, dhe mungesa e stafit në Institucione përfshi edhe QPS.”

Gjithashtu nga kjo zyrë kanë treguar se familjet në nevojë janë përkrahur gjatë gjithë kohës duke filluar nga Kuvendi Komunal, i cili nga ndarja e pakove ushqimore dhe higjienike disa herë ka përkrahur të gjitha familjet, dhe përveç kësaj dhe donator të tjerë i kanë ndihmuar këto familje edhe me kuponë fiskal ku kanë pasur mundësi të blejnë gjëra elementare të nevojshme.

“Familjet në nevojë janë përkrahur në vazhdimësi gjatë gjithë pandemisë, duke fillua nga Kuvendi Komunal i cili përmes ndarjes së pakove ushqimore dhe higjienike disa herë ka përkrahur gjitha familjet në SNS dhe jo vetëm, pastaj donatorë të shumtë kanë intervenuar me pako dhe kuponë me qëllim të blerjes së ushqimit dhe higjienës dhe situata nuk ka qenë shumë e rënduar. Po ashtu Qeveria gjatë gjithë atyre muajve ka dyfishuar shumën e të ardhurave për familjet në SNS.”

Ndërsa të dhënat në numër se sa familje kërkojnë ndihmë në këtë qendër, thuhet se janë 1500 familje në muaj me rreth 6000 anëtarë të familjes.

“ Numri i familjeve përfituese nga Skema e Ndihmës Sociale në Komunën e Prishtinas sillet rreth 1500 familje në muaj me rreth 6 000 anëtarë, dhe ky numër ndryshon nga muaji në muaj shumë pak.” K.Vllasalija/arbresh.info/

Të ngjashme