Një sfidë në një video-lojë në rrjetin sociale “Tik-Tok” është kthyer në rrezik për fëmijët kosovarë.
Vetëm gjatë këtij viti, në disa nga shkollat e Kosovës ka ndodhur një fenomen negativ, ku nxënësit e shkollave të mesme të ulët po vetëlëndohen si pasojë e një sfide të shpërndarë në “Tik-Tok”.
Sipas hetimeve të para të Policisë së Kosovës, dyshohet se nxënësit po i shkaktojnë vetës lëndime në duar, lëndime këto të cilat vijnë nga përdorimi i prerëse të lapsave. Deri tash raportohet se nxënësit, viktima të kësaj sfide, po e heqin pjesën e mbrehtë të prerëses, pjesë e cila është si një brisk i vogël, duke e shfrytëzuar t’i prejnë duart e tyre.
Në muajin maj të këtij viti kanë filluar raportimet e para, të cilat janë shfaqur nga shkolla “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë. Në të dyja këto shkolla, janë raportuar gjithsej 17 raste të vetëlëndimit të nxënësve.
Raste të tjera janë raportuar edhe nga shkollat e komunës së Lipjanit.
Më pas, vetëlëndimi i nxënësve ka vazhduar edhe këtë muaj.
Disa raste të vetëlëndimit të nxënësve janë raportuar javën e kaluar edhe në shkollat e Gjakovës.
Në Gjakovë deri tash, sipas organeve përgjegjëse, janë të raportuara 19 raste të nxënësve të vetëlënduar si pasojë e kësaj sfide.
Këto raste janë përhapur edhe në disa shkolla të komunës së Kamenicës.
Të premten në këtë komunë nga Drejtoria e një shkolle të mesme të ulët janë raportuar rastet e para, shkruan Arbresh.info.
Disa nxënës të klasave të teta dhe nënta kanë provuar të lëndojnë veten, dyshohet shkak sfida në rrjetin sociale në Tik-Tok”.
Lajmin për Arbresh.info e ka bërë të ditur, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Ju njoftoj se me datë 11.10.2024 rreth orës 14:00, policia e Kosovës është njoftuar nga Drejtoria e një Shkolle të mesme të ultë në Koretin komuna Kamenicë se në këtë shkollë disa nxënës të klasave të teta dhe nënta kanë provuar të lëndojnë vetën shkak sfida e rrjeteve sociale në Tik-Tok. Policia e Kosovës njësia e hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nuk raportohet për të lënduar, prokurori ka urdhëruar që të mbete shënim zyrtar”, tha ai.
Këto raste alarmuan Qeverinë e Kosovës, për të paralajmëruar për “rreziqet dhe pasojat” që po shkaktohen nga teknologjia tek fëmijët. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u kanë bërë thirrje prindërve dhe mësimdhënësve që të kujdesen për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të teknologjisë.
Rreth kësaj teme ka reaguar edhe Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baçi, e cila tha se kanë ndaluar përdorimin e telefonave nëpër shkolla, si një preventivë për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të këtij fenomeni të rrezikshëm. /Arbresh.info/ Qëndresa Luma/
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...