Google ADS

Serwer: Presioni ndërkombëtar në funksion të interesit të qytetarëve

08:04 | 9 Shkurt 2020
Arbresh.info

Jo revolucion, por përpjekje serioze për të ndërtuar shtetin e Kosovës dhe rrugëtim të shpejtë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, është ajo çfarë pret prej kryeministrit Albin Kurti eksperti për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer.

Ish-diplomati amerikan, që nuk ka qenë i kënaqur me mjetet që ka përdorur Vetëvendosja në të kaluarën, thotë se fokusi kryesor i ish-opozitarit Kurti duhet të jetë fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit.

Deri tani ka pasur kritika se lidershipi kosovar shumë vendime i ka marrë nën presionin e diplomatëve të huaj. Ish- ambasadori amerikan në Itali ka thënë në intervistën e javës për “Kohën Ditore” se të gjitha qeveritë i nënshtrohen presionit, dhe këtu përjashtim nuk do të ketë as për Kurtin.

“Por shkathtësia e udhëheqësve këtu është që ta përdorin atë presion për të sjellë sa më shumë përfitime për qytetarët e vendit tuaj”, ka theksuar Serwer.

Një nga çështjet e para me të cilat duhet të merret Qeveria e re është pezullimi i taksës ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe kthimi në tryezën e negociatave. Por Serwer vlerëson se Prishtina nuk duhet të nxitohet në këtë proces, edhe për faktin se Serbia së shpejti do të jetë në një periudhë parazgjedhore. Sipas mendimit të Serwerit, një marrëveshje e mirë do të përfshinte pezullimin e fushatës serbe kundër njohjeve; pezullimin e tarifave për mallrat serbe dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të mëparshme të arritura në dialogun e Brukselit- veçanërisht marrëveshjen për energjinë.

“Një gjë që kurrsesi nuk bën të rrezikohet është sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit. Të gjitha llojet e kompromiseve të tjera janë të mundshme”, ka potencuar Serwer.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme