Analisti Daniel Serwer, studiues në Qendrën tha për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin, Johns Hopkins tha për Zërin e Amerikës, se nuk do të ishte një vendim i matur shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale për krime lufte. Serwer komentoi edhe për votën e Shqipërisë për rezolutën në Kombet e Bashkuara.
Zëri i Amerikës: Çfarë pasojash do të kishte për Kosovën shfuqizimi i mundshëm i ligjit për Gjykatën e Posaçme për krime lufte?
Daniel Serwer: Mendoj se evropianët dhe amerikanët e bënë mjaft të qartë se pasojat për marrëdhëniet e Kosovës me Brukselin dhe me Uashingtonin do të ishin të mëdha. Nuk mendoj se kjo i intereson Kosovës. Nga ana tjetër, Kosova është shtet sovran dhe ka të drejtën të bëjë gabimet e një vendi sovran.
Si do ta gjykonit ju këtë lëvizje?
Daniel Serwer: Nuk më duket se ishte një lëvizje e mençur. Kosova është një vend sovran, një demokraci dhe anëtarët e parlamentit mund të ngrenë çdo çështje që dëshirojnë. Por kjo nuk do të thotë se ishte një veprim i mençur ngritja e çështjeve të tilla. Mendoj po ashtu se ishte një veprim mjaft i papeshuar për Kosovën që të hapte çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Por parlamentet përgjigjen përpara popullit, jo përpara meje.
Po, por Shtetet e Bashkuara e kishin investuar dhe e kanë mbështetur krijimin e kësaj gjykate dhe e kanë mbështetur Kosovën gjithmonë. Në këtë kuptim, çdo të thotë ky hap që bie ndesh me qëndrimin amerikan?
Daniel Serwer: Po, ashtu siç ka thënë edhe ambasadori (Delawie) dhe kjo do të kishte pasoja edhe në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Do të ishte një veprim shumë i papeshuar të ndryshosh mandatin e Gjykatës. Sigurisht, ne ende nuk e dimë se si do të reagojë Gjykata, por që ajo të nisë punën, standardet duhet të jenë shumë të larta. Le ta themi hapur: arsyeja që ajo ekziston janë të metat e sistemit gjyqësor në Kosovë. Ajo nuk do të ekzistonte nëse Kosova do të kishte bërë atë që duhej bërë për të vendosur sundimin e ligjit.
Cilat mendoni ju janë arsyet e kësaj nisme?
Daniel Serwer: Ata përpiqen t’i shpëtojnë përgjegjësisë dhe sidomos nuk duan që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të ndotet nga akuzat për veprime të jashtligjshme. Por siç e shikoj unë, do të ishte shumë më keq që individë të caktuar të mos vihen para përgjegjësisë për veprime të tilla, gjë që do të përlyente krejt emrin e kësaj organizate. Në qoftë se ka njerëz që kanë qenë përgjegjës për veprime ilegjitime, ata duhet të sillen para drejtësisë.
Por si i përgjigjeni diskutimeve që kjo çështje ka ngritur në Kosovë se kjo gjykatë do të dënojë viktimat dhe jo agresorët, meqë do të trajtojë vetëm krimet e shqiptarëve? A mendoni se ka rrezik që kjo mund të vendosin njëfarë barazie të përmasave të krimeve siç thonë kritikët në Kosovë?
Daniel Serwer: Në kohë lufte, veprimet e paligjshme janë zakonisht të dyanshme e jo të njëanshme. Fakti që ke ngritur flamurin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, e mbrojtjes së shqiptarëve nga regjimi autokratik dhe i egër serb, nuk do të thotë se nuk ke bërë asgjë të gabuar në mënyrën se si e ke zhvilluar këtë luftë. Kjo është diçka që njerëzit duhet ta kuptojnë. Nuk mund të marrësh meritën e “kalorësit të bardhë” thjesht për arsye se ke patur një kauzë të drejtë. Jo vetëm që kauzën duhet ta kesh të drejtë, por edhe metodat që ndiqen duhet të jenë të drejta.
Por veteranët e UÇK-së që e kanë nisur këtë nismë thonë se është diskriminuese ndaj shqiptarëve …
Daniel Serwer: Serbët në fakt më thonë të kundërtën: më shumë serbë janë mbajtur përgjegjës në Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë sesa çdo vend tjetër. Pra, nuk mendoj se kemi njëanshmëri nëse e shikon tablonë në tërësi.
Po, por edhe përmasat e krimeve janë të ndryshme. Fushata kundër shqiptarëve ishte shtetërore nga ana Serbisë …
Daniel Serwer: Mendoj se është e drejtë. Mendoj se kjo ishte pikërisht arsyeja se përse pati më shumë serbë që u sollën përpara Gjykatës. Por mesa duket ende ka disa krime për të cilat njerëz të caktuar nuk janë mbajtur përgjegjës dhe nuk mund të mbaheshin përgjegjës në Gjykatën për ish-Jugosllavinë, sepse ato ndodhën pasi mbaruan formalisht luftimet. Dhe kjo është ajo që po bën Gjykata e re e posaçme. Ajo po merret me krime që ndodhën pas luftës dhe disa prej tyre mund të kenë ndodhur jashtë Kosovës dhe Serbisë, prandaj juridiksioni i Gjykatës do të jetë një problem sidoqoftë. Shihni: shumë serbë janë mbajtur përgjegjës, relativisht pak shqiptarë janë mbajtur përgjegjës, nëse ka patur veprime të jashtligjshme nga pjesëtarë të UÇK-së dhe unë besoj se ka patur. Ka patur një numër njerëzish, duke përfshirë shqiptarë, që janë vrarë pas mbarimit të luftës në atë që mund ta quajmë në thelb një luftë të brendshme mes shqiptarëve. Dhe nëse disa nga këta njerëz kanë qenë civilë dhe jo luftëtarë, dikush duhet të mbahet përgjegjës.
Zoti Serwer, Shqipëria votoi në favor të një rezolute në Kombet e Bashkuara që shprehte kundërshtimin ndaj vendimit të administratës amerikane për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Si do ta gjykonit votën e Shqipërisë ndërkohë që administrata kishte paralajmëruar se do të kishte pasoja për ato vende që nuk mbështetën qëndrimin amerikan?
Daniel Serwer: Nuk besoj se do të ketë pasoja. Mendoj se ishte një kërcënim i zbrazët. SHBA sigurojnë shumë rezultate të mira në OKB. Vetëm javën e kaluar, SHBA siguruan një rezolutë mjaft të mirë që impononte sanksione të reja kundër Koresë së Veriut. Nuk mendoj se OKB-ja do të ndëshkohet dhe as Shqipëria. Mendoj se ishte diçka që ia ulte reputacionin administratës së Shteteve të Bashkuara duke bërë një kërcënim të tillë. Ata duhet ta kishin parashikuar se do të kishte një kundërshtim të fortë ndaj vendimit për Jeruzalemin dhe duhet ta kishin pranuar këtë. Kjo rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme nuk ka fuqi ligjore, pra në fakt nuk ka ndonjë peshë. Ishte gabim nga ana e amerikanëve që i vunë asaj një theks aq të madh. Nëse nuk do ta kishin bërë këtë, rezoluta do të ishte miratuar qetësisht dhe askush nuk do ta kishte vënë re./Zëri i Amerikës
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...