Takimi i radhës mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet në fillim të muajit shtator.
Këtë e ka bërë të ditur për Koha.net Maja Kocijançiç, zëdhënësja e Federica Mogherinit, Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme. Ajo ka thënë se ky vendim është marrë nga takimi i fundit i 18 korrikut mes dy presidentëve.
“Në takimin e fundit të Dialogut të Nivelit të Lartë, të cilin e ndërmjetësoi Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini, të dy presidentët Thaçi e Vuçiqi, ranë dakord të ritakohen në fillim të shtatorit”, ka thënë Kocijançiçi për Koha.net.
Ajo tha se dialogu ka qenë i lehtësuar nga BE-ja, dhe gjithashtu ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit të qëndrueshëm në mes të dy palëve, që siç tha ajo, “i ndihmon ata të arrijnë më shumë në rrugën drejt Evropës dhe të përmirësojnë jetën e njerëzve”.
“Një zgjidhje e qëndrueshme nënkupton një zgjidhje realiste dhe të qëndrueshme sipas ligjit ndërkombëtar. Palët po përcaktojnë bazën e përbashkët për pajtim të përbashkët”, tha tutje Kocijançiç.
Koha.net ka kontaktuar edhe me Bekim Çollakun, Shef i Kabinetit të Presidentit Hashim Thaçi. Ai tha se janë pajtuar që takimi të mbahet në fillim të muajit shtator, por se ende nuk kanë rezultuar në ndonjë datë të saktë.
“Palët e përfshira në dialog, gjithmonë kanë informacion dhe koordinohen e konsultohen me BE-në për çdo takim që mbahet në Bruksel. Është e vërtetë se takimi i radhës mund të mbahet në shtator, mirëpo ende nuk kemi një datë të përcaktuar bashkërisht. Kur të ndodhë kjo, atëherë do ta bëjmë edhe këtë publike”, tha Çollaku.
Deklaratat e fundit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili refuzoi të mohonte mundësinë se në takimet e radhës në Bruksel do të diskutohet edhe për çështjen e shkëmbimit të territoreve, ngjalli reagime të shumta në vend. Këto deklarata të tij, presidenti i Kosovës nuk i ka komentuar. Por, ndër të tjera, ka thënë se do të ketë “marrëveshje të dhembshme për Kosovën”.
I pyetur përsëri për qëndrimin e presidentit karshi kësaj, Çollaku ka thënë për Koha.net se “Ambasadori i SHBA-së z. Delawie ka qenë shumë i qartë në deklaratat e tij. Thelbësore për ne është vetëm mbështetja amerikane për të arritur marrëveshje”.
“Qëndrimi i Presidentit të vendit dje, sot dhe nesër është konsistent. Dialogu është mënyra e vetme për të arritur një marrëveshje ligjore obliguese e cila do t’i jepte fund një herë e përgjithmonë konfliktit njëshekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për ta arritur këtë, na duhet unitet politik dhe shoqëror. Por momenti është tani…”, tha tutje Çollaku.
Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Madje ka thënë se nëse vjen deri tek ky akt, do të nënkuptonte “luftë”.
Çollaku ka thënë se nuk dëshiron të komentojë këtë deklaratë të kryeministrit, por, siç tha ai, “e di që edhe kryeministri do angazhohet shumë për paqe dhe marrëveshje përfundimtare”.
Në një prononcim për media pas takimit të 18 qershorit me Vuçiqin, Thaçi e cilësoi këtë takim si “shumë të rëndë”.
“Ka qenë takim i shkurtër, ka qenë takim jo i lehtë, shumë i rëndë, më i rëndi që kemi zhvilluar në këto gjashtë vjetët e fundit, prandaj do të punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare”, deklaroi Thaçi menjëherë pas takimit.
Por, edhe takimin e radhës presidenca e konsideron të vështirë.
“Çdo takim në kuadër të dialogut në nivelin më të lartë politik, gjithmonë është i vështirë për shkak se diskutohen çështje komplekse. Kështu do të jetë derisa nuk arrihet marrëveshja përfundimtare dhe derisa nuk ndodh pajtimi reciprok ndërmjet dy shteteve dhe popujve”, tha Çollaku për Koha.net.
Faktin se shkëmbimi i territoreve mund të jetë opsion në tavolinë në Bruksel, Thaçi nuk e ka mohuar asnjëherë deri tash. Madje, një ditë pas deklaratave të Delawies, ai tha se “këshillat e sugjerimet nga SHBA-ja gjithmonë janë të mirëseardhura”.
“Një gjë duhet kuptuar, kur të flet ambasadori i një vendi, flet shteti. E kësaj radhe ka folur ambasadori i SHBA-së, shtetit më të fuqishëm në botë, prej të cilit i kemi të gjitha të mirat ne”, pati thënë Thaçi.
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...
Hyrja e “lirshme” e drogës në burgjet e Kosovës, për tre vje...
Pacolli udhëton me tren: Moment qetësie larg zhurmës së përd...
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...