Serbia vazhdon të bëjë shkelje në marrëveshjet e arritura në Bruksel. Së fundmi, sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka alarmuar se Serbia ia ka ndalur së ofruari sigurinë fizike për të si diplomat.
Njohës të zhvillimeve politike në vend theksojnë se kjo tregon që shteti serb nuk është i interesuar për paqe dhe raporte të normalizuara me Kosovën.
Ndonëse Kosova e Serbia ranë në ujdi për një sërë marrëveshjesh ndër vite, shumica e tyre nuk po gjejnë zbatim. Së fundmi Serbia shkeli një pikë të marrëveshjes, atë të ofrimit të sigurisë fizike për diplomatët kosovarë.
Për këtë alarm ka ngritur sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli. Këtë veprim ai e ka cilësuar si precedent të rrezikshëm.
Profesori universitar, Dorajet Imeri, tha për RTK-në se kjo qasje e Serbisë tregon që ajo nuk është e interesuar për paqe dhe normalizim të raporteve me Kosovën.
“Serbia në mënyrë të vazhdueshme e ka shkelur marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, madje menjëherë pas arritjes së kësaj marrëveshjeje. Me këtë tregohet që ajo nuk është e interesuar për paqe dhe raporte të normalizuara me Kosovën. Rasti i fundit me diplomatin e Kosovës të angazhuar në Beograd tregon se ajo përveç se marrëveshjet bazë ajo nuk do të zbatojë edhe marrëveshjet që do të arrihen në vijim. Prandaj për aq kohë sa Bashkimi Evropian do të bëjë lëshime të tilla, natyrisht që Serbia do të vijojë të aplikojë të njëjtën qasje destruktive”, tha Dorajet Imeri profesor universitar.
Edhe analistja politike, Arta Tahiri Beqa, thotë se Serbia vazhdimisht po neglizhon marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër.
“Ajo e cila ndodhi kohëve të fundit pikërisht ndaj diplomatit në Zyrën ndërlidhëse në Beograd po tregon që ky është serioziteti i Serbisë dhe kjo është qasja që ajo ka për dialogun Kosovë-Serbi. Në fakt ajo që më së shumti është shqetësuese, jo qasja e Serbisë ndaj Kosovës, por më shqetësuese është se cila është masa që duhet ndërmarrë ndaj Serbisë për të treguar mos seriozitetin e saj sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha ajo.
RTK ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës për të kuptuar se cilat janë veprimet e tyre për këtë çështje por ata nuk janë përgjigjur.
Pritje mbi një orë e gjysmë te Dheu i Bardhë për të hyrë në ...
Musk konfirmon funksionalizimin e Starlink-ut në Kosovë R...
Antidroga në Prishtinë gjen një sasi të kokainës dhe një rev...
Starlink në Kosovë, Kurti: Një hap i madh për infrastrukturë...
Kurti dhe Murati mbajnë konferencë për media
Gjuajti disa herë në ajër dhe e hodhi armën nga vetura, arre...