Serbia vazhdon fushatën e egër kundër Kosovës

09:05 | 3 Tetor 2024
R J
Liderët politik serbë janë duke vazhduar fushatën e tyre nëpër botë për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Me këtë fushatë Serbia po vazhdon avazin e vjetër dhe po shkelë marrëveshjet me Kosovën të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Edhe pse në këto marrëveshje thuhet që Serbia nuk do të pengojë Kosovën drejt aspiratave evropiane, po ndodhë e kundërta.

Pavarësisht kritikave dhe kërkesave nga ndërkombwtarët, Serbia po e vazhdon fushatën e saj kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Këtë e bëri sërish zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, në inaugurimin e presidentes së re të Meksikës, duke e falënderuar Meksikën për mosnjohje të Kosovës.

“Meksika nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Në këtë kuptim, ndërtimi i marrëdhënieve të mira me Meksikën është interesi ynë jetik dhe kombëtar”, tha Daciq.

Ndaj deklarimeve të Daçiqit reagoi Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Zëvendësministri Kreshnik Ahmeti tha se kjo fushatë e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër normalizimit të marrëdhënieve, duhet të ndëshkohet nga Bashkimi Evropian.

“Qasja e tillë e Beogradit, tregon qartë që regjimi atje nuk janë të interesuar për normalizim të marrëdhënieve me Republikën e Kosovës. Kjo është shfaqur shumë herë dhe në forma të ndryshme. Kishim me dhjetëra deklarata të përfaqësuesve të lartë të Beogradit nëpërmjet të cilave ata tregonin haptas që nuk do t’i zbatojnë pikat e Marrëveshjes së Brukselit. Gjithashtu, fushata e Beogradit për të ashtuquajturat “ç’njohje” nuk është ndalur asnjëherë. Megjithëse në vitet e fundit kanë dështuar në secilin lobim në drejtim të këtij qëllimi, sigurisht që kjo tregon se Beogradi nuk është i interesuar për normalizim. Çdo shkelje e pikave të Marrëveshjes e Brukselit do të duhej të njihej si e tillë fillimisht dhe pastaj të ndëshkohej. Në këtë rast, Bashkimi Evropian, si lehtësues dhe ndërmjetësues në procesin e dialogut, do të duhej të ndërmerrte masa kundër Beogradit për secilin veprim të tyre që e pamundëson normalizimin’, tha Ahmeti per rtv21.

Edhe kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrim Evropian nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, theksoi nevojën e ndëshkimit të Serbisë për fushatën e saj kundër pavarësisë së Kosovës.

Bashkimi Evropian ndërkaq nuk dha ndonjë përgjigje në lidhje me qasjen e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës dhe as nëse do të ketë ndonjë ndëshkim për të, për shkeljen e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të vitit të kaluar, ndërsa në mars të po atij viti, për aneksin e zbatimit të saj.

Sipas marrëveshjes, Serbisë i ndalohet çdo lloj fushate kundër Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme