Google ADS

Serbia “trazohet” nga deklaratat e ministrit Hoxhaj

16:32 | 23 Shkurt 2017
M. A.

Lajmet kryesore të mediumeve të ndryshme të Serbisë, të mërkurën dhe të enjten kanë të bëjnë me deklaratat që ka dhënë ministri Hoxhaj dhe që kanë zgjuar interesim të jashtëzakonshëm gjatë qëndrimit të tij për vizitë zyrtare në Kroaci ku ka takuar krerët e shtetit kroat dhe ka zhvilluar intervista në mediumet kryesore atje.

Deklarimet e Hoxhajt në lidhje njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, dialogun dhe se si Serbia synon ta dominoj rajonin në stilin rus kanë zënë faqet e para të gazetave serbe dhe duket që kanë pasur ndikim të madh në Serbi. Madje, kësaj radhe edhe mediat më anti-shqiptare të Serbisë, e kanë hequr fjalën “i ashtuquajturi” kur i janë referuar ministrit Hoxhaj.
B92, Blic, dhe televizionet kryesore serbe kanë raportuar në lidhje me pjesën e intervistës ku ministri Hoxhaj thotë se “të gjitha shtetet e dinë, dhe vetë Beogradi e di që në fund të procesit të dialogut Kosovë Serbi, Serbia duhet ta njohë Kosovën. Përndryshe, ky dialog nuk do të kishte kuptim”.

Po ashtu, deklaratat se Kosova do ta themelojë Asociacionin e Komunave Serbe sipas marrëveshjes së Brukselit, kanë zgjuar interesim të madh në mediat serbe.

Hoxhaj ka folur edhe për komunitetit serb në Kosovë, për të cilët ka thënë se do të punohet për t’i integruar edhe më tutje në institucionet shtetërore, të edukimit dhe të kulturës së Kosovës, përkundër provokimeve të vazhdueshme të Serbisë dhe tentimeve nga ana e saj që t’i përdorë serbët e Kosovës për realizimin e qëllimeve politike, shkruajnë mediat serbe duke cituar ministrin Hoxhaj.

Mediat në Serbi kanë raportuar, po ashtu, për deklaratën e Hoxhajt se Serbia nuk ka për qëllim t’i bashkohet BE-së por ta dominojë në rajonin në stilin rus, duke shkaktuar tensione të vazhdueshme me fqinjët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme