Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka denoncuar në KiE diskriminimin etnik dhe spastrimin e heshtur që Serbia, sipas tij, po u bën mbi 8 mijë shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në fjalimin e mbajtur, Basha ka folur për parregullsi dhe shkelje masive në zgjedhjet në Serbi, duke i qëndruar raportit paraprak të OSBE-së se ato u dominuan nga përfshirja vendimtare e Vuçiç në proces, konkurrenca e padrejtë, anësia e medias dhe blerjet e votave.
“Dhuna brutale kundër liderit të një partie të opozitës, Nikola Sandulovic, thjesht sepse u përul para varrit të një vajze 7-vjeçare të vrarë pranë familjes Jashari në Prekaz, duhet të kumbojë kudo si një dëshmi e një fushate intimidimi dhe ndëshkimi, kjo nga një vend që kërkon anëtarësim në BE”- theksoi Basha, duke shtuar se pa zgjedhje demokratike dhe sundim të ligjit, nuk ka siguri, stabilitet, mirëqenie, as ëndërr europiane.
Më tej, kryedemokrati u ndal edhe sulmi në Banjskë, ku kërkoi zbardhjen e të vërtetës për ngjarjen që i mori jetën një efektivi të policisë, Afrim Bunjaku.
“Shkelje masive dhe parregullësi në zgjedhjet në Serbi, siç tregohet nga raporti paraprak i OSBE-së, u dominuan nga përfshirja vendimtare e Presidentit, i cili, së bashku me avantazhet sistemike të partisë në pushtetit, krijoi kushte të pabarabarta. Konkurrenca e padrejtë, anësia e medias dhe blerjet e votave ishin disa nga parregullsitë serioze që ndodhën gjatë këtyre zgjedhjeve, siç deklaroi edhe misioni i vëzhguesve zgjedhorë.
Qytetarë nga shtete të tjera, si Bosnjë dhe Hercegovina, u transportuan për të votuar në Beograd, ndërsa shqiptarët u hoqën nga listat e votuesve. Serbia vazhdon diskriminimin etnik dhe spastrimin e heshtur duke pamundësuar rreth 8 mijë shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc marrjen e dokumentave, e duke i privuar ata nga e drejta e votës dhe aksesi në shërbime publike përmes pasivizimit të adresave.
Këto parregullësi, të bëra publike nga vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian dhe OSBE-ODIHR, u ndoqën nga një fushatë sulmesh nga politikanët e partisë në pushtet dhe media e kontrolluar nga ata.
Dhuna brutale kundër liderit të një partie të opozitës, Nikola Sandulovic, thjesht sepse u përul para varrit të një vajze 7-vjeçare të vrarë pranë familjes Jashari në Prekaz, duhet të kumbojë kudo si një dëshmi e një fushate intimidimi dhe ndëshkimi, kjo nga një vend që kërkon anëtarësim në BE.
Në Ballkanin Perëndimor, autokratët shpesh janë toleruar në manipulimin e zgjedhjeve, me shpresën e vagullt dhe të rreme për të ruajtur stabilitetin në këmbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Tani përballemi me pasojat e kësaj qasje të dështuar: viktimat e para janë demokracia dhe sundimi i ligjit. Në fund, stabiliteti është i kërcënuar nga autokratët populistë, që kërkojnë strehim nga dështimet e tyre në aventurat ultra-nacionaliste.
Sulmi terrorist në Banjskë ende nuk është zbardhur, ndërsa Serbia refuzon të ekzekutojë urdhrin e Interpolit për Milan Radoicic, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Nëse Serbia nuk ka asgjë për të fshehur, pse e mbron atë?
Serbia vazhdon të sabotojë dhe të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë e Mal të Zi, me një strategji të mbështetur nga Moska, që synon të stimulojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor, për të devijuar vëmendjen nga lufta e saj e paligjshme e pushtimit kundër Ukrainës.
Një hetim ndërkombëtar i plotë në parregullësitë e zgjedhjeve serbe dhe mbrojtja e standardeve zgjedhore, gjithashtu në vende të tjera në Ballkanin Perëndimor që përballen me çështje zgjedhore dhe mungesën e sundimit të ligjit, janë imperative.
Pa zgjedhje demokratike dhe sundim të ligjit, nuk ka siguri, nuk ka stabilitet, nuk ka mirëqenie, as ëndërr europiane për popujt e Ballkanit Perëndimor”- tha Basha./tch
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...