Serbia nuk mund ta çojë Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit për taksën 100%

20:10 | 29 Nëntor 2018
A. B.

Shteti i Serbisë nuk mund ta çojë Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit për masën mbrojtëse 100 për qind.

Këtë mundësi ia penalizon mosnjohja e Kosovës si shtet i pavarur.

Neni 43 i Marrëveshjes së CEFTA-së përcakton se për çdo mosmarrëveshje, pala e cila pretendon të jetë e dëmtuar duhet t’i drejtohet me një njoftim me shkrim palës tjetër për konsultim.

Nëse brenda afatit prej 90 ditësh nuk arrihet zgjidhje, atëherë palët vendosin t’i ndjekin procedurat e Arbitrazhit.

Por, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, kjo procedurë nuk mund të ndiqet.

Andaj, edhe kryeministri i Kosovës thotë se masa nuk do të largohet deri në njohjen e pavarësisë si dhe e njëjta mund të largohet vetëm me vendim të Qeverisë.
Por, ekziston mundësia që në Arbitrazh të dërgohet UNMIK-u.

Në marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit, në vitin 2012, Kosovës i është mundësuar që të këtë përfaqësues në takimet me vendet e CEFTA-s.

Por, burime të KTV-së kanë treguar se në çdo takim të zhvilluar mes shteteve anëtare, pjesëmarrës kanë qenë edhe zyrtarë të UNMIK-ut.

Ministri i Tregtisë ka treguar se vendimi është bazuar në nenin 18, i cili lejon marrjen e masave mbrojtëse nëse vendit i cenohet siguria.

Në krah Qeverisë i kanë dalë edhe odat ekonomike të Shqipërisë dhe Maqedonisë, të cilat kanë kërkuar rishikim të marrëveshjes së CEFTA-s.

Marrëveshja e CEFTA-s është nënshkruar nga UNMIK-u në emër të Kosovës, në korrik të vitit 2007.

E njëjta ishte nënshkruar paraprakisht edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Bosnja, Bullgaria, Moldavia, Mali i Zi e Rumania.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme