Serbia ndërpret transmetimin e energjisë për Kosovën

19:41 | 15 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Menjëherë pas fillimit të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova kishte importuar nga ky shtet, ka bërë të ditur për REL, Nebih Zariqi, anëtar i bordit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Këta megavat të bllokuar nga Serbia, shton Zariqi, u zëvendësuan pastaj me një marrëveshje të arritur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, për furnizim nga kapacitetet energjetike të këtij shteti.

“Dihet se Serbia është prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në regjion dhe të gjitha shtetet e regjionit pjesërisht furnizohen nga Serbia. Kosova nuk i plotëson kapacitetet prodhuese të energjisë. Kemi pasur mungesë prej 500 megavatësh. Ata megavat deri në atë moment janë marrë nga Serbia dhe në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, pra pavarësimit të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia e ka ndërprerë transmetimin e energjisë për Kosovën”.

“Tashmë jemi të sigurt në operim të energjisë elektrike, kështu që besoj që do të ketë një stabilitet të madh këto ditë”, thotë Zariqi, duke shtuar se tashmë është futur në sistem edhe linja 400 kV interkonektive me Shqipërinë.

Nga dita e hënë (14 dhjetor) KOSTT-i operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.

Nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit deklaruan për Radion Evropa e Lirë se zbatimi i marrëveshjes me ENTSO-në do të jetë në fazë testuese deri më 31 dhjetor, dhe se lidhur me këtë, janë të angazhuar të gjithë aktorët e sektorit të energjisë.

“Në këtë proces deri tash ka raportime që gjithçka po shkon si duhet. Nuk duhet të anashkalohet assesi ndihma e partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në një përgjigje të ministrisë.

Para pavarësimit të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia vazhdimisht ka shkaktuar probleme me alokimin e kapaciteteve, thotë Nebih Zariqi, anëtar i bordit të KOSTT-it.

“Serbia kur ka dashur, ka bërë pengesa në ato kapacitete që i kemi importuar, gjegjësisht nga shtetet e ndryshme që tregtarët kanë aplikuar përmes rrjetit të sistemit të Serbisë”, thotë ai.

Po ashtu, qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk i kanë paguar faturat e energjisë edhe pse janë furnizuar nga Kosova, e sipas nevojës edhe nga Serbia. Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e energjisë së shpenzuar në këto komuna.

Që nga viti 1999 deri në vitin 2017, këto mjete janë paguar nga qytetarët tjerë të Kosovës.

Qytetarëve në veri iu shkojnë faturat për energjinë elektrike nga ‘Elektrokosmet’ i Serbisë, kompani të cilën Kosova e konsideron ilegale.

Kosova dhe Serbia në vitin 2013, në kuadër të dialogut të Brukselit, kanë nënshkruar marrëveshjen për energjinë. Kjo marrëveshje kishte paraparë krijimin e një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Lidhur me këtë, Zariqi thotë se pala serbe çdo herë në Bruksel ka pranuar se do të formojë një kompani lokale me kushtet dhe ligjet e Kosovës, por një kompani e tillë nuk ka aplikuar asnjëherë të pajiset me leje.

“Atje (në veri) veprohet në mënyrë ilegale. Dikush i mbledh ato mjete të shpenzimit të energjisë elektrike, por tani duhet të veprojnë organet e shtetit, se cila është ajo kompani dhe si po funksionon ajo pjesë”, thekson Zariqi.

Sipas tij, tash pas pavarësimit të sistemit energjetik, të gjitha institucionet kompetente Qeveria, KOSTT, KEDS do të mund më lehtë t’i qasen veriut edhe kur bëhet fjalë për inkasimin e faturave.

Për katër komuna ne veri të Kosovës, tashmë do të ndryshojë situata meqenëse “energjia elektrike që arrin te qytetarët, do të rregullohet nga KOSTT”.

Disa, qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në veri të Mitrovicës japin mendime të ndryshme sa i përket pagesave të faturave të energjisë elektrike.

Zoran Radojkoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës shpreson qe Serbia do t’i paguajë faturat për qytetarët në veri të Kosovës.

“Ne edhe ashtu jetojmë në një vend me shumë rrezik dhe nëse duan ta mbajmë këtë territor, ndoshta i mbulojnë këto fatura. Por, nëse duhet t’i paguajmë shtetit tonë (Serbisë) faturat, atëherë do t’i paguajmë”, thotë ai.

Ndërkaq, Milan Gjorgjeviq thotë se kjo situate duhet të përfundojë dhe se faturat duhet të paguhen.

“20 vjet nuk paguhet rrymë. Mjaft ishte”, tha ai.

Për Dragan Bojoviqin kjo situatë e mospagimit të energjisë elektrike duhet të vazhdojë.

“Nuk është krejt e rregulluar, për t’u rregulluar kjo çështje – nuk është i rregulluar as statusi – pse pra të paguajmë”, thotë Bojoviq.

Më herët, zyrtarët e KOSTT-it kanë deklaruar për REL-in se nga viti 2008 e deri tani, shteti i Serbisë, në mënyrë joligjore ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit të Kosovës dhe ka mbledhur të hyra prej rreth 65 milionë eurosh. \ Rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme