Google ADS

Serbia mohon se po keqtrajton tre policët e Kosovës

17:04 | 17 Qershor 2023
Diellza Gashi

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka mohuar akuzat e autoriteteve në Kosovë se Beogradi zyrtar po keqtrajton tre policët e Kosovës.

“Është absolutisht gënjeshtër se Beogradi po i trajton keq, që atyre nuk po u jepen ilaçe, që po keqtrajtohen. Kur i thotë këto Prishtina, ajo niset prej vetes, sepse po keqtrajton serbët e arrestuar, po i rrah ata dhe nuk po i lë të lirë”, tha Petkoviq.

Ai shtoi se Serbia “është shtet serioz” dhe vepron në bazë të ligjit.

“Çdo person i arrestuar ka dhomën e tij, ata marrin ilaçe, ushqim dhe pije. Ata nuk janë në hajat, por për dallim nga serbët e arrestuar, këta të tre janë sikur në Katër Stinët [Four seasons]. Mos gënjeni më. Po kërkoni lirimin e atyre që hynë në territorin e Serbisë me pushkë të gjata. Merruni me serbët që janë të arrestuar padrejtësisht, që po keqtrajtohen”, tha Petkoviq

Ai shtoi se ishte i “tronditur” nga reagimet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, që kërkuan lirimin e pjesëtarëve të policisë së Kosovës, që Beogradi thotë se i ka arrestuar në Serbinë qendrore.

“Askush se përmend që është e nevojshme të lirohen serbët e pafajshëm. Për çfarë hipokrizie po flasim. Ne nuk vendosim sepse procedurat ligjore kanë nisur dhe tani jemi në proces ligjor. Prokuroria dhe gjykata vendosin për këtë çështje e jo ambasadat”, tha Pektoviq.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, i tha Radios Evropa e Lirë të premten se tre policëve të Kosovës – që Prishtina thotë se janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës – u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga autoritetet e drejtësisë në Kralevë.

KFOR: Nuk dihet se ku kanë qenë policët në kohën e arrestimit

Ahmeti tha se në bazë të informatave që ka, policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”.

Ai tha se i ka siguruar këto të dhëna nga një zyrtar i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, i cili, sipas Ahmetit, është në kontakt me avokaten e njërit prej policëve.

“Qysh dje, përmes Zyrës Ndërlidhëse, kemi kërkuar nga Kryqi i Kuq dhe Komiteti për Parandalimin e Torturës që të interesohen për policët tanë atje. Kjo çfarë kemi kuptuar sot, është shumë serioze dhe shqetësuese për ne”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, nuk iu pranua kërkesa për t’i vizituar policët.

Tre policë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe më 14 qershor. Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 16 qershor se mbetet e paqartë se ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin në kohën e arrestimit.

Ky mision tha se ka inspektuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet në Serbi.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve të Kosovës.

SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania: Të lirohen menjëherë tre policët kosovarë

Rasti me tre policët e Kosovës ndodhi në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme