Serbia mbledh Këshillin e Sigurisë, Maqedonci: Shqetësuese prania e komandantëve që kanë përgatitur sulmin në Banjskë

11:51 | 24 Mars 2024
E.H

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thirrur me urgjencë Këshillin e Sigurisë të Serbisë vetëm dy ditë pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti publikoi pamje të ushtrisë serbe në afërsi të Kosovës.

Sipas Maqedoncit, i pranishëm në mbledhje ishin edhe Nenad Zonic, Komandant i Brigadës 63 të Parashutistëve; Miroslav Talijan, Komandant i Brigadës 72 të Operacioneve Speciale; Tioslav Jankovic, Shef i Drejtorisë së Operacioneve (J-3); Dusko Zarkovic Komandant i Forcave Ajrore; dhe Milosav Simovic, Komandant i Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Serbisë (FAS), përcjell Arbresh.info.

“Ky takim është thirrur me urgjencë nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, vetëm dy ditë pasi kryeministri i Republikës së Kosovës kishte denoncuar publikisht provokimet e njësive të specializuara të FAS në afërsi të kufirit me Kosovën dhe një ditë pasi ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka bërë të qartë Serbisë se janë duke monitoruar lëvizjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën dhe se përdorimi i forcës do të ishte i pa pranueshëm”, ka shkruar ministri Maqedonci në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas Maqedoncit, shqetësuese në përbërjen e këtij Këshilli është prezenca e Zonicit dhe Talijanit.

“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka përdorur si pretekst të thirrjes së kësaj mbledhje, sulmin terrorist në Moskë, por ajo çfarë është shqetësuese në përbërjen e këtij Këshilli, është prezenca e Komandantit të Brigadës 63 të Parashutistëve dhe Brigadës 72 të Operacioneve Speciale, formacione ushtarake këto që dyshohet që kanë realizuar përgatitjen dhe trajnimin e qindra anëtarëve të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile/Brigada e Veriut”, e të cilët më pas morën pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, në fshatin Banjskë të Zveçanit”, ka shkruar Maqedonci./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme