Google ADS

Serbia e sotme, më e errët se ajo e viteve të nëntëdhjeta

10:34 | 10 Mars 2017
Arbresh.info

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, Natasha Kandiq, ka thënë sot për mediat në Beograd se Serbia e sotme as në vitet e nëntëdhjeta nuk ka qenë kaq e errët.

Kandiq këto komente i bëri në konferencën për medie “Bllokada ballafaqimit me të kaluarën dhe e procesit KOMRA-Komisioni rajonal për vërtetimin e fakteve për krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në ish RSFJ”.

Në pyetjen se çfarë pret nga mini-samiti i kryeministrave të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë, më 15 mars, Kandiq është përgjigjur se ky është “një samit i imponuar”, i cili vjen pas vizitës që Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, i ka barë vendeve të rajonit, transmeton Zëri.

“Ekziston një shqetësim i madh në Bruksel për zhvillimet e fundit në rajon, një frikë e madhe për eskalim të situatës. Kam përshtypje se ky shqetësim po krijon hapësirë për shqyrtimin e idesë për themelimin e KOMRA-s, e cila mund të ulë tensionet në rajon dhe të bashkojë politikanët. Nuk ka më komunikim për procesin e pajtimit, sepse kjo në shtetet e rajonit më nuk është prioritet. Politikanëve nuk u shkon në mendje që të takohen me përfaqësues të organizatave joqeveritare, për të cilat kryeministri Vuçiq thotë se janë agjentura të huaja”, ka shprehur shqetësimin e saj Kandiq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme