Serbia arreston dy kosovarë në kufi me Hungarinë për kontrabandim me migrant dhe armë

15:43 | 29 Tetor 2023
E.H

Policia e Serbisë ka njoftuar se të shtunën ka arrestuar dy shtetas kosovarë të cilët dyshohen për kontrabandim me emigratë dhe furnizim me armë.

Asocciated Press shkruan se qindra oficerë serbë u dërguan të shtunën në një zonë kufitare me Hungarinë, ku arrestuan disa persona pas të shtënave mes emigrantëve , duke vrarë tre persona dhe një plagosur, tha policia, transmeton Arbresh.info.

Raportimet për dhunë dhe përleshje me armë janë bërë të zakonshme pranë kufirit midis Serbisë dhe vendit anëtar të Bashkimit Evropian, Hungarisë. Mijëra emigrantë kanë kampuar në zonë, duke kërkuar mënyra për të kaluar me ndihmën e kontrabandistëve.
Ministri i Brendshëm Bratislav Gasic, i cili vizitoi zonën, u zotua se “ne nuk do të lëvizim nga këtu derisa të largohet çdo person përgjegjës për ndonjë akt apo incident kriminal”.

Veprimet e policisë kanë për qëllim “frenimin e migrimit të parregullt dhe rritjen e nivelit të sigurisë në këtë pjesë të vendit, ku përplasjet mes emigrantëve janë të shpeshta, jo rrallë me përdorimin e armëve të zjarrit”, tha forca në një deklaratë.

Policia tha se ka arrestuar të shtunën dy persona nga Kosova, të cilët dyshohen për kontrabandë me emigrantë dhe furnizim me armë.

Oficerët gjetën gjithashtu 54 pasaporta turke, shtohet deklarata.

Të premten vonë, policia raportoi se ka arrestuar katër shtetas afganë dhe dy turq të dyshuar për posedim të paligjshëm të armëve dhe eksplozivëve. Nuk dihet menjëherë nëse ndonjë nga të arrestuarit do të akuzohet për të shtënat që ndodhën më herët të premten.

Përplasja e dyshuar mes grupeve të emigrantëve ka ndodhur në magazina të braktisura bujqësore pranë fshatit Horgos. Policia tha se migranti i plagosur ka marrë ndihmë mjekësore dhe një hetim është duke vazhduar për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur. Shtetësia e viktimave dhe emigrantit të plagosur, si dhe detaje të tjera, ishin ende të paqarta, thanë ata.

Policia bastisi zonën dhe sekuestroi dy automatikë dhe municione. Ata gjetën gjithashtu 79 emigrantë dhe i transferuan në qendrat e pritjes, thuhet në deklaratë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme