Google ADS

Serbi: Raporti i KE-së për Kosovën shihet si gjest armiqësor

10:56 | 29 Mars 2024
A Z

Miratimi i raportit që i hap rrugën Kosovës për anëtarësim në Këshilin e Evropës u cilësua në Kosovë si historik e arritje e madhe. Për Serbinë anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në KE është gjest armiqësor ndaj Serbisë.

Në Kosovë vendimi i Komisionit për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës që i hap rrugën Kosovës për anëtarësimin në këtë Këshill u mirëprit me entuziazëm, ndërsa në Serbi me kritika dhe kundërshtime. Hapi i radhës do të jetë më 18 prill, kur ky raport do të hidhet në votim para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë. Nëse merr miratimin edhe në Asamble, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës do ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.

Zemërimi në Serbi pas miratimit të raportit ishte i madh. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq madje kërcënoi me largimin e Serbisë nga Këshilli, nëse Kosova bëhet anëtare. Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha se vendimi i Komisionit të Këshillit të Evropës është shkelje e drejtpërdrejtë e interesave shtetërore dhe cënim i tërësisë tokësore të Serbisë. Sipas autoriteteve serbe, përkatësisht nga Vuçiq dhe Daçiq, anëtarësimi i plotë i Kosovës në Këshill të Evropës “do të ishte një gjest armiqësor ndaj Serbisë”.

Ndryshe është qëndrimi i Komisionit për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës. “Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, thuhet në raportin e Këshillit, dujt theksuar, se “duke pasur parasysh numrin e vendeve anëtare të Këshillit, që nuk e njohin Kosovën si shtet, Komiteti bëri thirrje për diplomaci, dialog dhe kompromis”, dhe në këtë mënyrë i bëhet thirrje “Komitetit të Ministrave që të sigurohen që anëtarësimi i Kosovës të bëhet pa paragjykime ndaj qëndrimeve të shteteve individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”.

“Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hyn brenda”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani miratimin e raportit për Kosovën nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KE-së, e cilësoi si një ditë historike për vendin. “Ky hap pozitiv tregon se Kosova është gati dhe e aftë për të marrë pjesë në mënyrë të plotë në familjen e Këshillit të Evropës, duke ndarë detyrimet dhe përfitimet që vijnë me anëtarësimin”, shkroi presidentja Osmani. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili vendimin e cilësoi “një arritje shumë të madhe për vendin’. “Tash qytetarët e Republikës mund ta kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por përtej kësaj është tejet lajm i mirë për Evropën, për kombin shqiptar, për demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike e historike, Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hyn brenda”, tha kryeministri.

Meritat për miratimin e raportit për Kosovën, njëri nga udhëheqësit e opozitës ish-kryeministri Ramush Haradinaj, po ua lë aleatëve të Kosovës, po jo qeverisë Kurti. “Është pozicion i qartë i aleatëve me avancu Kosovën, mendoj se përkundër pengesave që qeveria dhe kryeministri Kurti ua ka nxjerrë aleatëve, ata prapë se prapë arritën këtë rezultat, këtë sukses për Kosovën”, thotë Haradinaj, duke shtuar se “kjo është krejtësisht punë e aleatëve”.

Parakushtet e reja do të ishin të padrejta

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, që ishte i përfshirë drejtpërdrejt në komunikim me Këshillin, shkroi në profilin e tij, se “të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja, janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”. E Komiteti i Këshillit tha pas votimit të raportit se “e mirëpret një listë të gjerë të zotimeve të bëra me shkrim nga autoritetet e Kosovës”, duke saktësuar se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk është kusht për anëtarësim, por nënvizoi se “duhet të jetë një angazhim pas anëtarësimit për Kosovën”, që do të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë./dw

Të ngjashme