Përfaqësuesit e bashkësisë serbe në Kosovë vlerësojnë se po zhvillohet një fushatë “e ndyrë” politike ndërmjet subjekteve politike serbe. Në këtë gjendje, sipas tyre, ka ndikuar shumë Beogradi zyrtar, i cili po mbështet vetëm një subjekt politik, përkatësisht Listën Serbe.
Nga komuniteti serb, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit garojnë gjashtë subjekte politike me 99 kandidatë.
Sipas përfaqësuesve serbë, aktualisht nuk ka kushte as rrethana të favorshme për fushatë zgjedhore, e cila ka nisur më 31 maj dhe do të mbyllet më 9 qershor.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe lokale, sipas modelit të projektuar nga Beogradi, Lista Serbe grumbulloi në vete të gjitha subjektet serbe, duke garuar në zgjedhje vetëm me një listë.
Por, ndërkohë kanë ndodhur ndryshime. Tani ka disa parti dhe nisma qytetare që kanë dalë nga kjo listë dhe garojnë si të vetme.
Branimir Stojanoviq, kandidat për deputet nga Lista Serbe, i cili aktualisht është edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë në largim të Kosovës, mbetet pranë qëndrimit se serbët duhet të garojnë në zgjedhje me një listë unike.
“Programi ynë është i thjeshtë. Insistojmë që të zbarohet marrëveshja e Brukselit, të zbatohet dialogu dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ngase Asociacioni është institucioni që me siguri se do të jetë përcaktues për jetesën dhe kualitetin e jetës sonë”, shprehet Stojanoviq.
Sipas tij, Prishtina mund t’i mbështesë forcat politike serbe që do t’i përkrahnin synimet e lidershipit të Kosovës për formimin e ushtrisë dhe çështje të ngjashme, por këto ambicie, ka nënvizuar ai, nuk do të mund të realizohen me votën serbe.
Në anën tjetër, Aleksandar Jabllanoviq, themelues i Listës Serbe, por që më pas doli nga ky subjekt politik dhe formoi Partinë e Serbëve të Kosovës, thotë se Lista Serbe po bën propagandë, ngase kjo listë, sipas tij, do të pranonte çdo gjë, vetëm që të jetë pjesë e pushtetit.
“Këtu nuk ka serb ndryshe, këtu ka serb që mendojnë me kokën e tyre dhe serb të cilët kokën e kanë në Beograd. Beogradi për ne është adresa për çdo dialog dhe për çdo rrëfim, por disa gjëra ne duhet që edhe t’i zgjidhim dhe vendosim vetë”, thekson Jabllanoviq.
Përderisa Sllobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, e cila ka qenë pjesë e Qeverisë në kohën kur atë e drejtonte, presidenti aktual i Kosovës Hashim Thaçi, kurse më pas u bë pjesë e Listës Serbe, thotë se ka përfaqësues serb që mbështeten nga Beogradi të cilët po bëjnë presion të fuqishëm mbi serbët e Kosovës.
“I kanë kërcënuar njerëzit se do t’i dëbojnë nga puna nëse nuk largohen nga Partia e Pavarur Liberale”, thotë Petroviq.
Sipas tij, njerëzit që i kanë shpërfillur këto thirrje, të nesërmen janë njoftuar se u janë shqiptuar masa të shkarkimeve të përkohshme.
Ndërkaq, Nenad Rashiq, kryetar i Partitë Përparimtare Demokratike, e cila po ashtu ka qenë pjesë e Listës Serbe thotë se fushata asnjëherë nuk ka qenë më e vështirë. Ai thotë se ka disa prioritete politike, nëse partia e tij arrin të sigurojë ulëse në Kuvend.
“Së pari është përfaqësimi i serbëve, përkatësisht ngritja e autoritetit të serbëve të Kosovës që ata të kenë të drejtën të jenë nismëtar dhe në anën tjetër të marrin përgjegjësi në mënyrë që të ndikojnë pozitivisht për popullin e tyre”, thotë Rashiq.
Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nga komuniteti serb garojnë edhe Iniciativa Qytetare për Prosperitet e Sllavisha Petkoviqit dhe Partia Popullore e Aleksandar Gjuriqit.
Nga 120 vendet sa ka Kuvendi i Kosovës, 10 ulëse janë të garantuara për serbët dhe po aq për komunitetet tjera joserbe.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...