E ka ende të freskët momentin e 22 majit, ditës makabre. Enver Dugolli i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, tregon me dhimbje ditën kritike në të cilën nuk besonte se do të mbijetonte.
“Sot është 20 vjetori, dita kur serbët na rreshtuan këtu pasi NATO ka bombarduar dy ditë, me 19 dhe 21 maj edhe aty kishte të vrarë dhe të plagosur por, si duket NATO e kuptoi që është futur në grackë, pasi ky kamp këtu ishte shndërruar në kamp ushtarak dhe me gjasë kishin lënë të instaluar edhe lokatorë dhe instrumente tjera që bënin si cak për gjuajtje. Dhe kur e kuptuan që NATO nuk po bombardon më, atëherë ata filluan ta realizojnë planin e tyre për vrasjen dhe ekzekutimin e të burgosurve politik. Ishin përafërsisht 950 persona këtu dhe mëngjesin e 22 majit një person i cili nuk kemi arritë ta shohim fytyrën e tij, na kanë urdhëruar që për 15 minuta të bëhemi gati dhe të bëhemi rresht të na numërojnë dhe të na largojnë prej këtu, sepse NATO e ka bombarduar dhe nuk ka kushte të ju mbajmë këtu. Ne nuk e dinim atë plan, jemi bërë rresht dhe pa paralajmërim kanë filluar gjuajtjet, kanë hypë mbi automjete dhe kanë filluar me breshëri plumbash, hedhje granatash”.
Tutje Dugolli për arbresh.info, ka rrëfyer se loja vrastare e serbëve në burgun e Dubravës ka vazhduar deri më 24 maj. Ndërsa tregon se ai është burgosur me grupin e parë të UÇK-së.
“Këtu kemi qëndruar deri më 24 maj, loja vrastare e tyre ka vazhduar me 22, 23 dhe 24. Më 24 maj na kanë larguar nga këtu dhe na kanë dërguar në burgun e Lipjanit. Nuk e kemi menduar se po shpëtojmë këtu, vetëm kemi thënë që po na dërgojnë diku tjetër që ta kryejnë edhe atë pjesën tjetër të ekzekutimit për arsye se gjithçka kish mbaru.
Unë kam qenë i burgosur në 1997 me grupet e para të UCK-së dhe kam qenë i dënuar, por, ka pas këtu njerëz të grumbulluar nga të gjitha pjesët e Kosovës, ka pas të dënuar, ka pas me aktakuza, ka pas njerëz që fare nuk ka pas procedura ndaj tyre vetëm i kanë grumbulluar këtu. Këtu janë mbuluar gjurmët, këtu nuk ka më asgjë nga ajo ngjarje tmerrësisht e vështirë, tmerrësisht e rëndë dhe gabimi më i madh që është bërë është që janë rinovuar këto pavijone dhe janë humb gjurmët dhe kjo nuk është e mirë aspak për historinë tonë, është e papranueshme kjo”.
E pas 20 vitesh, Dugolli ka një shqetësim. Ai thotë se burgu nuk është dashur të rinovohet, por të mbetej kujtesë e krimit të bërë.
“Ky vend duhet të shndërrohet muze për arsye se është histori e dhimbshme e popullit shqiptar. Gjithë këta që janë sot prezent kanë qenë të burgosur politik, familjar të tyre. Sa do që kanë kaluar 20 vite kujtimi për këtë është ende i freskët i asaj ngjarje makabër. Po ky vend këtu ende po mbahet si burg, zyrtarë dhe vizitat e gjeneratave të reja janë të pamundura, që të vijnë këtu ta shohin dhe ta ndjejnë dhe çka ka ndodhë, por vetëm një herë në vit, me procedura rigoroze pasi që është burg, kjo është gabim që është burg”./arbresh.info/
Real Madridi synon transferimin e mesfushorit të Liverpoolit
Rritje e lehtë e temperaturave, moti sot në Shqipëri
108 aksidente brenda një dite në Kosovë
Humb jetën një person në Viti, ishte duke pirë kafe në resto...
Vidhet një çantë me para në Graqanicë, policia po heton rast...
Të shtëna me armë zjarri në Podujevë, arrestohet një person