Qytetarë serbë nga rajoni i Prishtinës sot ia kishin mësyrë Graçanicës. Në këtë qytezë me shumicë serbe sot u hapën 7 vendvotime për të votuar për presidentin e ri të Serbisë.
Vendvotimet u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe deri në mesditë një numër bukur i madh iu drejtua kutive të votimit për të shfrytëzuar të drejtën e tyre.
Edhe pse jetojnë në Kosovë, serbëve iu lejua votimi për presidentin e shtetit që ata e konsiderojnë si shtet të tyre.
Në shkollën e quajtur “Kral Milutin” në Graçanicë është parë një numër i madh i zyrtarëve të OSBE-së të cilët po ndihmojnë këtë proces që po mbahet në një shtet tjetër.
Ata janë në të gjitha vendvotimet për të parë nga afër procesin e zgjedhjeve.
Në shtatë salla të kësaj shkolle, të drejtën për të votuar e kanë qytetarët e Prishtinës, Graçanicës, Novobërdës, Hajvalisë, Bërnicës së Poshtme dhe të Epërme, Badocit dhe fshatrave tjera të rajonit të Prishtinës.
Në garë për president të Serbisë janë 11 kandidatë dhe favorit për t’i fituar këto zgjedhje është kryeministri aktual Aleksandër Vuçiq nga partia Përparimtare Serbe.
Kështu është edhe opinioni i atyre qytetarëve që ka intervistuar sot KosovaPress, ndonëse shumë nga ta nuk kanë dashur që të flasin para kamerës kur kanë kuptuar se bëhet fjalë për mediume shqip.
Madje kishte qytetarë serbë, të cilët mendojnë se zgjedhja e Vuçiqit për president të Serbisë do të jetë mirë jo vetëm për serbët por edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë.
Milivoje Popoviq, pensionist nga Graçanica tha se pret shumë nga presidenti i ri, e që sipas tij ai do të jetë faktor unifikues për të gjithë ata që jetojnë jo vetëm në Kosovë dhe Serbi, por edhe në rajon.
Kemi ardhur që të kryejmë detyrën tonë që të votojmë për president të Serbisë. Pres që të jetë më mirë, pres që presidenti i ardhshëm që të japë më të mirën për paqe dhe prosperitet. Edhe këtu në Kosovë të bëhet gjithë mirë. Ne pleqtë themi sa fat do të ishte sikur përpara që kemi jetuar mirë të gjithë së bashku, të punojmë ndërtojmë që të shoqërohemi mes vete dhe që të mos ketë probleme. Kjo është dëshira ime. Unë jam i sigurt se Vuçiq do të fitojë sepse në mesin e atyre kandidatëve është më i miri. Neve na duhen njerëz të ri që komunikojnë në gjuhë të huaja’, ka thënë pensionisti nga Gracanica.
Kështu mendon edhe Graçan Brnakoviq, i cili tregon se është kthyer në Kosovë nga Serbia, në vitin 2003 dhe tash punon në një firmë shqiptare në Prishtinë.
Sipas tij, ai ka të drejtë që të votojë edhe në zgjedhjet në Serbi, por edhe në Kosovë pasi që thotë se ka dy nënshtetësi.
Brnakoviq që veten e prezanton si inxhinier thotë se zgjedhja e presidentit të ri do të jetë e mirë edhe për serbë dhe shqiptarë.
Nga këto zgjedhje pres që të zgjidhet presidenti i Serbisë dhe të bëhet mirë për juve edhe për neve. Kam dy shtetësi dhe votoj edhe për president të Serbisë”, tha Brnakoviq.
Reko Bojkiq ksihte ardhur nga Bërnica e Poshtme për të votuar për presidentin e ri, pasi që sipas tij ashtu i është urdhëruar. Ndonëse ky i moshuar nuk tregon se kush i ka thënë që të shkojë sot në Graçanicë që të votojë nënkuptohet se kjo i është thënë nga partia e Vuçiqit.
Bojkiq madje tha se ka votuar edhe për president të Kosovës, edhe pse nuk është në dijeni se presidenti i Kosovës nuk zgjidhet nga votat e qytetarëve.
“Pres që të bëhet më mirë, sepse nëse bëhet me keq nuk është mirë. Duhet ta kryejmë detyrën tonë. Jam nga Bërnica e Poshtme, por për të votuar kam ardhur këtu… Jetoj më shumë se njëqind vjet në Kosovë. Unë po votoj për president të Serbisë, por edhe të Kosovës, kam edhe dokumentet e Kosovës, paguaj tatim, ujin, rrymën, këtu jetojmë…ashtu na është thënë që të votojmë sot”, tha Bojkiq.
Për dallim nga Bojkiq, një grua nga Graçanica nuk e zë në gojë fare shtetin e Kosovës pasi që ende këtë pjesë e konsideron si të Serbisë
Biljana Arsiq thotë se nuk është qytetare e Kosovës, por e Serbisë.
“Sot kemi ardhur që të votojmë. Është dita për të votuar, është ditë e bukur, jetë e bukur dhe le të fitojë ai që është më i mirë. T’iu them sinqerisht këtu më është lindur gjyshi, stërgjyshi, gjyshja, unë, fëmijët e mi dhe unë sot e vlerësoj veten si qytetare e Serbisë dhe Kosova është në Serbi”, tha Arsiq.
Se aq shumë e duan kryeministrin aktual serb e dëshmon edhe një grua, e cila nuk e tregoi emrin e saj, por vetëm tha se deri në vitin 1999 ka jetuar në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë ndërsa tash është shpërngulur në Graçanicë. Ajo madje tha se prej 11 kandidatëve për president, vetëm njëri ia vlen që ta marr këtë post.
“Nga ata 11 njëri ia vlen. Dihet kush, i shkruan në ballë”, tha kjo grua.
Kështu mendon edhe 77 vjeçari Mirsa Popoviq. Ai tha se këtë pozitë e meriton vetëm Aleksandër Vuçiqi.
“Kemi ardhur që të votojmë për presidentin e Serbisë. Presim më të mira, presim që të zgjidhet më i miri. Deri tash ai është treguar më i miri. Aleksandër Vuçiq.
Edhe Urosh Steviq shpreh hapur simpatinë e tij për kryeministrin aktual Aleksandër Vuçiq.
Sa i përket mua më i miri është Aleksandër Vuqiq. Pres që të bëhet më mirë. I mirë është Vuqiqi”, tha Steviq.
Zgjedhjet për president të Serbisë po mbahen me leje të Qeverisë së Kosovës dhe nën monitorim të OSBE-së. OSBE-ja ka bërë të ditur se në Kosovë do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave, duke hapur katër qendra grumbullimi dhe degë përkatëse nëpër Kosovë me prani të stafit të OSBE-së.
Ndërsa në tërë territorin e Kosovës janë hapur 90 vendvotime.
Policia del me reagim zyrtar për sulmin e kanalit të “Iber L...
Rohde: E dënojmë sulmin në Ibër Lepenc, Gjermania e gatshme ...
Paralajmërimi i Kurtit pas shpërthimit në Ibër Lepenc: Një p...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Kurti do të mbajë mbledhje të Kës...
Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fq...
KOSTT: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ndërlidhet me ndërprerj...