Serat me kanabis në Berat, SPAK çon për gjykim 17 persona

14:18 | 6 Janar 2025
E.G

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për një grup të strukturuar kriminal, duke dërguar për gjykim 17 persona për akuzat e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Hetimet kanë zgjatur dy vjet dhe janë përfshirë 113 persona, nga të cilët për 93 gra dhe vajza, ka shpallur moskompetencën.

Grupi i pandehurve akuzohet për veprime të shumta kriminale, përfshirë kultivimin dhe prodhimin e narkotikëve (kanabis sativa), krijimin e kushteve për kultivimin e bimëve narkotike, dhe mbajtjen dhe prodhimin e armëve pa leje. Aktiviteti kryhet në zona të ndryshme, përfshirë Drenovicën (Berat), ku janë zbuluar sera të mbyllura dhe sisteme të furnizimit me ujë dhe energji për kultivimin e kanabisit.

Sipas SPAK, grupi është organizuar dhe drejtuar nga Blerim Xheka dhe Sadetin Hasaj. Aktiviteti ka përfshirë gjithashtu persona të tjerë, Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj e Mirvaldo Disha, të cilët kanë mbikëqyrur kultivimin dhe kujdesin për bimët narkotike. Sasia totale e kanabisit e prodhuar arrin deri në 1.7-1.8 ton.

Hetimet gjithashtu kanë nxjerrë në pah përfshirjen e disa personave të tjerë, të cilët nuk janë identifikuar ende plotësisht, dhe ndaj të cilëve hetimet vazhdojnë. Akuzat përfshijnë gjithashtu mbajtjen dhe përdorimin e armëve pa leje nga disa të pandehur, të cilët i përdornin për mbrojtjen e aktivitetit të paligjshëm.

Si kryhej aktiviteti kriminal

Grupi i pandehurve kishte krijuar një strukturë të mirëorganizuar për kultivimin e kanabisit dhe përfshinte gjithashtu rekrutimin dhe menaxhimin e fuqisë punëtore. Sipërfaqet e tokës, ku u kultivua kanabisi, ishin marrë me qira nga dy të pandehurit, Hamdi Dyli dhe Arben Vrapi, si dhe nga familjarët e tyre, përmes kontratave formale. Pas sigurimit të farave dhe fidanëve të kanabisit, ata morën gjithashtu banesa me qira në qytetin e Beratit për të qenë më afër aktivitetit të kultivimit dhe për të koordinuar punën çdo ditë.

Për të siguruar fuqinë punëtore, dy gra të pandehura ishin angazhuar në rekrutimin e individëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u ofruar pagesa të mira ditore, transport falas dhe sigurimin e kushteve të fjetjes në serat ku punonin. Ky proces rekrutimi kishte për qëllim mbështetje të vazhdueshme për aktivitetin e paligjshëm dhe për menaxhimin e punëve të lidhura me kultivimin e kanabisit.

Të pandehurit ishin aktivë në çdo fazë të procesit, përfshirë kujdesin ndaj bimëve narkotike, mbarëvajtjen e aktivitetit të kultivimit, prerjen, tharjen dhe pastrimin e boçeve të kanabisit.

Të pandehurit e dërguar për gjykim

Blerim Xheka

Sadetin Hasaj

Sidrit Bisha

Endriol Xheka

Jurgen Ujkaj

Suad Smakaj

Samoel Lushaj

Mirvaldo Disha

Hamdi Dyli

Arben Vrapi

Adiol Çifliku

Lulzim Bushataj

Mustaf Manej

Bashkim Mema

Edison Mema

Drita Mema

Izmire Mema

/rtsh.al/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme