Selmanaj thotë se Thaçi e ka kërcënuar Haradinajn me prishje të koalicionit

17:05 | 4 Shtator 2018
Arbresh.info

I ftuar në emisionin Frontal në T7, deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj, ka folur për seancën e jashtëzakonshme lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Selmanaj thënë se Presidenti Hashim Thaçi manipulon me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limajn. Madje Selmanaj është shprehur se ekziston mundësia që Thaçi e ka kërcënuar Haradinajn me prishjen e koalicionit dhe nëse ky i fundit nuk bashkëpunon me të.

Selmanaj ka folur për mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që po mbahet sot, përderisa ka thënë se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po manipulon me Haradinajn dhe Limajn, duke i bërë kështu “xhokerë” sa herë që i duhen. Madje Selmanaj e ka quajtur Thaçin si një lëvizës të kukullave në teatër dhe kukulla i ka quajtur Haradinajn e Limajn, të cilët sipas tij, për interesa të veta po bashkëpunojnë me Thaçin.

“Haradinaj bën gjithçka për pozitën që e ka, unë them se Thaçi e ka kërcënuar me prishje të koalicionit dhe marrje të pozitës së Kryeministrit, për të cilën Haradinaj mund të shitet. Ndërsa Limaj ka pasur një të kaluar politike jo fort të mirë, e Thaçi mund ta shantazhojë me procese të ndryshme gjyqësore, me të cilat e ka lodhur deri tani. Ose Limaj e sheh këtë si një mundësi që të rehatohet në skenën politike”, është shprehur Selmanaj.

Ai tutje ka thënë se Presidenti Thaçi qëndron pas çdo gjëje te keqe që ka ndodhur në Kosovë dhe që po ndodhin, duke theksuar se ai nuk është në agjenda të Kosovës, por të dikujt tjetër.

“Thaci kurrë s’është interesuar për Preshevën as s’ka kurrfarë interesi për atë pjesë, kjo është në interes të Serbisë. Ai nuk është në agjenda të Kosovës, por dikujt tjetër . Këto janë ide të gatuara nga Serbia, me dekada”, është shprehur Selmanaj.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme