Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka thënë që presidenti Hashim Thaçi duhet të udhëheqë dialogun me Serbinë, por paraprakisht duhet të ketë konsensus të të gjitha partive politike.
Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se duhet të ndërtohet një ekip nga të gjitha partitë, por edhe ekspertë të çështjes së dialogut dhe që në fund Kuvendi të vendosë për cilëndo marrëveshje që mund të arrihet.
“Përplasjet rreth emrit të Thaçit nuk më duken me vend. Më mirë do të ishte të bisedohej për platformën dhe cilat janë çështjet që mund të diskutohen si dhe të vendosen vijat e kuqe e jo se a do të duhej t’i udhëhiqte bisedimet Thaçi. Për këtë duhet të vendosë Kuvendi, por unë mendoj se Thaçi është president i zgjedhur, edhe me vota të LDK-së, dhe përballë e ka presidentin e Serbisë. Jo që patjetër duhet të Thaçi, por duhet të jetë me Kuvend. Është mirë që partitë të angazhohen për konsensus të përbashkët dhe të vendoset cili do të jetë ekipi ose platforma. Debati duhet të zhvillohet në Parlament se kush i prin delegacionit. Do të ishte mirë që deputetët e të gjitha partive të arrijnë konsensus për dialogun”, ka thënë ai duke shtuar se “s’e kupton pse LDK-ja po bën zhurmë kundër Thaçit edhe pse vet e zgjodhi president”.
Sipas Selmanajt, qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj po kërkon debat për platformën e përbashkët dhe cilido rezultat që del nga dialogu do të diskutohet në parlament. Ai ka thënë se “edhe po të dojë Thaçi të arrijë marrëveshje të dëmshme, një gjë të tillë s’e lejon ekipi negociues dhe në fund Parlamenti nuk lejon marrëveshje të dëmshme për Kosovën”.
“Jam që të jenë pjesë e dialogut të gjitha partitë dhe njohës të mirë të rrethanave sepse bëhet fjalë për një marrëveshje që të mbyllej konflikti dhe të mbyllej me njohje reciproke. S’ka rezultat dhe legjitimitet pa opozitën. Nuk është mirë që t’i shohim efektet ditore politike partiake, por të ulemi bashkë për të ndërtuar një platformë të përbashkët për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Për ne s’ka problem kush i udhëheq negociatat. Është me rëndësi platforma e mos të arrihen marrëveshje të dëmshme. Jam i sinqertë, ishte dashur që Thaçi t’u prijë negociatave sepse përballë e ka presidentin e Serbisë. Me i pri Thaçi, është në rregull, kuptohet me ekipin që është në dakordim me të gjitha partitë. Legjitimitetin Thaçi dhe kushdo tjetër mund ta marrë vetëm nga Kuvendi. Vijat e kuqe duhet të diskutohen në Parlament, por vija e kuqe është që nuk diskutohet me pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj. Është mirë të debatohet e të ketë një platformë për çka mundet e për çka s’mund të diskutohet”, ka shtuar më tej ai.
Selmanaj ka komentuar edhe debatin e së enjtes në Kuvendin e Kosovës për 53 milionëshin shtesë që i paguhet Bechtel & Enkas për autostradën “Arbën Xhaferi”. Sipas tij, fajtore është ish-qeveria dhe se “shpëtimtare”, që po paguhen kaq para dhe jo më shumë, është qeveria Haradinaj.
“E vërteta është se ish qeveria ka pasur ngecje në pagesa. Po ashtu ka pas pengim të realizim të kontratës sepse është parapa të përfundohej në janar 2015. Ishim në situatë ose të ndërprisnim projektin e të shkonim në Arbitrazh të paguanim dëm më të madh, ose vendim si ai që është marrë tash”, ka thënë Selmanaj. “Qeveria e tashme ka qenë në situatë para dy vendimeve, vendimi që është marrë, e që s’është i mirë dhe paratë janë të dhimbshme, ose të shkonte në Arbitrazh. Mund ta dërgojmë, por kush e merr përgjegjësinë nëse e humbin rastin. Jam shumë pesimist se mund të fitojmë në Arbitrazhin ndërkombëtar. Kërkesa dhe ankesa e Bechtel & Enkas është e qartë. Konsideron se është dëmtuar dhe ishin vetëm dy zgjidhje. Të zbatohej kërkesa e tyre ose të shkonim në Arbitrazh, ku jam i bindur se do të humbnim. Jam i bindur që s’po i humbim 53 milionët me fajin e kësaj qeverie, por me neglizhencën në pagesa të qeverisë së shkuar”.
Selmanaj është shprehur optimist se sivjet do të bëhet liberalizimi i vizave. Ka thënë se për këtë meritat i takojnë të gjithëve sepse si proces ka nisur më herët. Sa i përket mundësisë së rrëzimit të qeverisë Haradinaj, Selmanaj ka thënë se opozita e di që s’i ka numrat, por vetëm flet në aspektin elektoral./tch/
Hasani pret homologun polak: Jemi të gatshëm të punojnë së b...
Policia organizon punëtorinë për rishikimin e strategjisë së...
Ndalohen për 48 orë dy sllovakë dhe një kosovar, dyshohet se...
Krasniqi pret në takim lamtumirës Hovenierin, e falënderon p...
Abdixhiku pret në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier dhe ...
Osmani dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë, Anne Marie Lizin