Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se Serbia e sheh presidentin Hashim Thaçi si partnerin më të mirë nga Kosova dhe me të ka krijuar partnerit të cilin nuk dëshiron që ta prishë, duke përfshirë figura tjera nga Kosova në dialog.
Sipas Selimit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk është që ka refuzuar dialogun “për t’u marrë me punë të brendshme”, por këtë punë nuk ia lëshon presidenti Thaçi dhe Serbia.
“Më duket që është problemi te partneri i tij, te Thaçi. Ai që nuk lejon të lëshojë bisedimet. Nuk është problemi që nuk do, por që Thaçi s’e lëshon atë pozicion. Për ironi kemi thënë që kur ka qenë ai kryeministër ka qenë dialog kryeministrash. Tash që është president, është dialog presidentësh. Po të ishte kryetar komune do të ishte dialog mes kryetarëve të komunave. Ai nuk e lëshon nga duart dialogun. Tash po e proklamon edhe epilogun. Kështu e do edhe Serbia sepse po t’ia hiqnim Thaçin ajo do të reagonte sepse e ka krijuar një partneritet të të gjitha rrugëve me Thaçin dhe kushdo tjetër do të prishte atë partneritet”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Selimi ka thënë se dialogu dhe forma e tij është problemi kryesor që e shqetëson Vetëvendosjen dhe jo se kush e udhëheqë atë. Sipas tij, forma aktuale mund të sjellë epilog edhe ndarjen e Kosovës.
“S’është arsyeja kryesore kush e udhëheq. Për ne janë problem negociatat me Serbinë për ndërtimin e brendshëm të Kosovës. E kemi përsëritur se negociatat i kanë shkaktuar dëme të mëdha Kosovës. Ka arritur që Serbia ta ketë në tavolinë pavarësinë e Kosovës. Krejt gabimisht dhe në mënyrë jo të duhur e kemi vënë në tavolinë atë që e kemi shpallur më 2008, pavarësinë. Epilog mund të jetë ndarja e pavarësisë me Serbinë. Pse këto bisedime ndodhën pas shpalljes së pavarësisë. Njohja jonë a është e varur nga Serbia? Nuk duhej të ishte”, ka shtuar më tej Selimi.
Sipas Selimit, dialoguesit deri tash gjithmonë e kanë mashtruar Kuvendin, “së pari duke ia grabitur ratifikimin dhe së dyti duke e përdorur vetëm për fjalime”.
Selimi ka thënë se Thaçi me deklaratat se mund të ketë vendime të vështira në fund të dialogut, po e bën gati opinionin për një ndarje të Kosovës.
“Referuar deklaratës, ka nisur përgatitja e opinionit se mund të ketë vendime të vështira. Një farë ndarje e Kosovës si përgjysmë me Serbinë. Vendimi i vështirë ka qenë më 1999. Kompromiset tani do t’i bëjë Kosova dhe do të krahasohet viti 2018 si vendim i rëndë në krahasim me 99-n. Referuar bisedimeve, po del që po mbahen bisedimet Thaçi-Beograd”, ka thënë Selimi.
Deputeti i VV-së ka kritikuar edhe LDK-në duke thënë se nuk ka shprehur akoma qëndrim të qartë për dialogun.
Sa i përket raportimeve për amnisti të krimeve të luftës, Selimi ka thënë se kjo mund të pritet nga një “logjikë e Thaçit”.
“Është e mundshme dhe logjike po të mendonim me logjikën e Thaçit. Po të kishte rrethana tjera, nuk duhet të ketë amnisti për krime lufte. Bëhet fjalë për krime lufte që e kanë tronditur botën. Ndoshta ai ia ka falë Serbisë, por ne s’ia falim as Thaçit e as Serbisë, sepse krimet e luftës e plagët akoma kullojnë. Është gjak që nuk falet. Askujt s’guxon t’i falet. Thaçi s’guxon t’i falë asgjë Serbisë, përderisa s’ia falin ato nëna pa fëmijë, baballarët që mbetën pa prindër, e gratë e dhunuara. Është totalisht gabim e s’po arrij të besoj që ka shkuar deri atje, por ai mundet të shkojë. Ai di të bëjë gjëra të tilla, por nuk duhet t’ia lëmë të veprojë për interesa personale e as për Serbinë. Kosova është gjak që s’falet”, ka shtuar më tej Selimi.
Ai ka paralajmëruar edhe protesta të partisë së tij për të kundërshtuar dialogun./Koha.net/
Dumfires vazhdon me Interin edhe katër vite tjera
Mes shumë mungesash, Ancelotti ka zgjedhur 11-shen për ndesh...
Ambasada e Shqipërisë uron 28 Nëntorin
Vrasja e Martin Canit, nxënës, mësues dhe prindër me marshim...
Tubim në Gjirokastër, Kumbaro: Kënaqësi të bisedosh me gjiro...
Joe Biden kërkon 24 miliardë dollarë të tjera për Ukrainën