Po bëhen afër pesë vite që kur Ligji për kontrollin e duhanit është në fuqi, mirëpo deri më tani ky ligj nuk ka gjetur plotësisht zbatim. Institucione të ndryshme, kafiteri e ambiente tjera ndonëse u zotuan që do ta zbatojnë këtë ligj, duket se nuk po e përmbushin këtë zotim.
Në pothuajse shumicën e kafiterive në vend, pavarësisht hapësirave të ndara për ata që e pinë duhanin si dhe për të tjerë, një gjë e tillë nuk po duket të zbatohet. Kjo pasi që e gjithë kafiterija është e mbushur me tym të duhanit, shkruan arbresh.info.
Për këtë po ankohen edhe qytetarët të cilët thonë se po e kanë problem që të shkojnë në ndonjë vend dhe të pinë kafen e tyre si duhet pasi që po u pengon shumë tymi i duhanit.
“Në çdo kafe ku hy është e pamundur të mos ketë tym. Nuk e di pse nuk zbatohet ligji për duhanin, kur edhe hapësirat në kaiferi janë të ndara”, ka thënë Liridona e cila ishte e ulur në njërën nga kafiterit e Prishtinës.
Faik Hoti, Koordinator Shtetëror për Kontroll të Duhanit, në një përgjigje për portalin Arbresh.info ka thënë se Ligji për Kontroll të Duhanit nuk njeh hapësira ku pihet dhe ku nuk pihet duhani.
“Ligji ka paraparë që në të gjitha hapësirat e mbyllura, ato të jenë të liruara 100 për qind nga duhanpirja. Është çështje tjetër që kafe baret e ndryshme kanë improvizuar në mënyrë të paligjshme anekse prej najlloni apo materialeve të tjera duke lejuar pirje të duhanit në kundërshtim me ligjin. Sikur këto ankesa të kishin qenë të hapura në 50 për qind të tre anëve të tyre, nuk do të përbenin shkelje, por fakti që ato shumica janë të mbyllura, përbëjnë shkelje, fatkeqësisht para syve të autoriteteve lokale dhe inspektorëve sanitarë, që janë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligjit në sektorin e gastronomies”, ka thënë ai.
Hoti ka tregar se ka pronarë të tillë që meritojnë të dënohen çdo ditë për shkeljet që bëjnë.
“Ka shkelje evidente, por jo në çdo lokal siç përgjithësohen gjërat, sepse në kryeqytet ka mjaft lokale me pronarë të ndërgjegjshëm që e respektojnë ligjin, sikur që ka edhe plot të tjerë që meritojnë të dënohën çdo ditë për shkeljet që bëjnë”, u shpreh ai.
Hoti ka treguar se edhe ku mund të ankohen qytetarët për shkelje të tilla.
“Përmes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është vënë në dispozicion për qytetarët numri falas 0800 11000 përmes së cilit qytetarët mund t’i denoncojnë shkeljet dhe, zyrtarët që i pranojnë apo i regjistrojnë këto shkelje, ia dërgojnë listat me subjektet e denoncuara në mënyrë të rregullt Inspektoratit Sanitar, MSh-së dhe inspektorateve të tjera që janë përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligjit, secili në sektorin e vet përkatës”, theksoi Hoti.
Ndër të tjera Hoti ka treguar se inspektoriatet kryejnë inspektime mirëpo sipas tij nuk kanë mbështetje të autoriteteve lockale.
“Inspektorati Sanitar në kafe bare, Inspektorati Shëndetësor në Institucione shëndetësore, Inspektorati i Arsimit në institucione arsimore, Inspektorati i Tregut (tregtimin e duhanit), Inspektorati i Punës në vendet e punës, kryejnë inspektime, dikush me shumë e dikush më pak, por ata janë të dekurajuar nga mbështetja e ulët e autoriteteve lokale në çdo komunë për ta zbatuar ligjin dhe në veçanti edhe nga reagimi jo adekuat i gjykatave për të çuar në vend fletëparaqitjet e dërguara në gjykata nga Inspektoratet për dënimin e shkelësve të ligjit, megjithëse ka edhe dhjetëra raste kur dënimet kanë shkuar në vend nga gjykatës competent”, tha ai duke shtuar se me hyrjen në fuqi të Ligjit për kundërvajtje, janë thjeshtuar edhe procedurat e shqiptimit të dënimeve.
“Ka të dhëna për dhjetëra apo edhe qindra dënime të shqiptuara nga Inspektorati Sanitar i Agjensisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), dhjetëra dënime nga Inspektorati Shëndetësor (MSh), gjithashtu qindra dënime të shqiptuara edhe nga Policia e Kosovës, por ka shumë pak të dhëna për dënime nga inspektoratet e tjera”, tha ai.
Sipas Hotit Ligji për Duhanin shkelet edhe në Institucione publike.
“Ajo që shqetëson tej mase është fakti që Ligji për Kontrollin e Duhanit shkelet edhe në institucione publike si në ministri të ndryshme e agjensione, në gjykata, në institucione edukative e arsimore, ndërkohë që numri më i madh i shkeljeve bëhet në sektorin e gastronomisë. (kafe bare, restorante…). Megjithatë, ka shumë vend për kritika edhe ndaj inspektorateve, të cilat kanë mundur të bëjnë shumë më tepër, sikur, në nivel vendi dhe në nivele komunale, ky ligj të kishte një mbështetje më të madhe për t’u zbatuar nga politika”, nënvizoi ai.
Sipas Aurora Mullatahirit nga KADC, Ligji për duhanin nuk është duke u zbatuar, sidomos tani në periudhën e dimrit.
“KADC për të promovuar stilin e jetës së shëndetshme, ka bërë monitorimin e Respektimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit disa herë radhazi në 7 qytetet më të mëdha të Kosovës. Të gjeturat nga monitorimet tregojnë se shkelësit më të mëdhenj të ligjit, janë sektori i gastronomisë. Ku vërehet se shkeljet më të mëdha janë në bare/klube nate me 80 për qind, në kafeteri ka shkelje prej 60 për qind, nё qendra tregtare dhe nё restorante pirja e duhanit ne ambiente tё mbyllura ka shkelje prej 26 për qind. Nga këto monitorime është vërejtur se Ligji për Duhanin ka më shumë tendenca të shkelet gjatë motit të ftohtë, për shkak të natyrës së tij, e prandaj edhe monitorimet më të shpeshta duhet të bëhen gjatë muajve nëntor – shkurt, por këto inspektime duhet të kryhen në vazhdimësi gjatë të gjithë vitit nga ana e inspektoratit”, ka thënë ajo për portalin Arbresh.info.
Sipas saj duhet të bëhen inspektime në orët e vona të mbrëmjes në mes të inspektoratit komunal, qendror dhe policisë së Kosovës.
“Po kemi informata mbi lëndët e duhanit që janë paraqitur në gjykatë. KADC ka bërë monitorimin e lëndëve të duhanit në gjykata për periudhën shtator 2015 – 2017. Kjo është bërë me qëllim të përcjelljes së zbatueshmërisë së Ligjit për Kontrollin e Duhanit, për të identifikuar sfidat në zbatim të ligjit, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Kundërvajtje, Nr. 05/L-087. Nga monitorimi i punës së gjykatave të Republikës së Kosovës, gjatë periudhës shtator 2015 – 2017, për shkeljen e ligjit për duhan në nivel nacional nga inspektorati sanitar në gjykata, janë paraqitur gjithsej 321 lëndë. Prej tyre, 177 lëndë janë të përfunduara, 144 lëndë janë ende në procedurë kundërvajtëse. 95 aktvendime janë lëshuar për personin përgjegjës, 34 aktvendime për personin fizik dhe 13 aktvendime për personin juridik”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera Mullatahiri ka thënë se për zbatimin e këtij Ligji duhet vullnet dhe punë sistematike e të gjitha institucioneve zbatuese të këtij ligji.
Më parë Ligji për Duhan, ndante hapësirat 70 për qind me 30 për qind, por ky Ligj u ndryshua sepse nuk ishte fare efektiv. Ndarja e hapësirave për pirje duhani, dhe aty ku nuk përdoret ai ishte kryesisht një ndarje fiktive, pa rezultate konkrete./V.Berisha/Arbresh.info
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...