Google ADS

Sekretari i MPB-së dhe drejtori i Policisë, po marrin pjesë në takimin Rajonal të BE-së

15:13 | 31 Janar 2020
A. B.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Lulzim Ejupi, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, po marrin pjesë në takimin e projektit Rajonal të BE-së, për luftimin e krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë takim Ejupi theksoi se luftimi i të gjitha formave të krimit të organizuar, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe fuqizimi i bashkëpunimit ndërkombëtarë mbeten një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës.

“Kërcënimet e sigurisë kanë dimension ndër-kufitar dhe kërkohet reagim efikas në parandalimin dhe luftimin e këtyre kërcënimeve, prandaj kërkohet bashkëpunimi proaktiv, i rregullt dhe i shpejtë në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtarë policor dhe bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.”, theksoi Ejupi.

Ndërsa Drejtori i  Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z Rashit Qalaj, vuri në dukje bashkëpunimin e mirë që ka Policia e Kosovës me shtetet e rajonit si, Shqipërinë, Maqedoninë Veriore dhe  Malin e Zi. Ai tha se për Policinë e Kosovës mos anëtarësimi në Interpol dhe Europol, vazhdon të mbetet pengesë e vazhdueshme për bashkëpunim ndërkombëtarë.

Sekretari Ejupi  dhe  drejtori Qalaj shprehën përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim dhe shkëmbimin e informatave me të gjitha shtetet pa dallim dhe kërkuan që shtetet e Ballkanit Perëndimor të kenë më shumë sinergji, sidomos në thellimin e bashkëpunimit për të zbatuar një agjendë të përbashkët të sigurisë,  të bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë dhe mirëbesimit.

Në këtë konferencë, zyrtari policor i Policisë së Kosovës, Toger Ahmet Salihu, ka marrë çmimin për udhëheqjen e një hetimi  në një operacion ndërkombëtar kundër trafikimit me narkotik. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme