Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, ka reaguar ndaj caktimit të 24 gushtit për vazhdimin e seancës konstituive, duke thënë se ky është një pretekst i koalicionit PAN për ta ripërtërirë krizën, duke shantazhuar Kuvendin me votim të Kadri Veselit për kryetar, ose me braktisje të serishme të seancës.
Në takimin e sotëm konsultativ të partive politike, në të cilën nuk mori pjesë Lëvizja Vetëvendosje, u pranua propozimi i PAN-it që më 24 gusht të mbahet vazhdimi i seancës konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Por, deputeti Sejdiu konsideron se 24 gushti nuk është zgjidhje, por vetëm zvarritje e mëtutjeshme. Ai thotë se insistimi i përfaqësuesve të PAN për datën 24 gusht ndërlidhet me afatin e fundit për dorëzim të listave të kandidatëve për kryetarë dhe anëtarë kuvendesh komunale, që skadon më 22 gusht.
Sipas tij, është e qartë që PAN synon mbajtjen peng të jetës institucionale derisa të përmbyllen pazaret e kandidaturave dhe përkrahjeve elektorale të nivelit lokal.
Postimi i plotë:
Koalicioni PAN është duke e bllokuar Kuvendin. Kjo është tashmë e qartë për publikun dhe nuk ka nevojë për interpretime të tjera qofshin ato dhe nga Gjykata Kushtetuese. Sot, koalicioni i udhëhequr nga PDK kërkoi që vazhdimi i seancës themeluese të mbahet më 24 gusht. Kësisoj, e shtyu edhe për një javë kërkesën e vet të mëparshme – që seanca e radhës të mbahej këtë të enjte ose të premte, me 17-18 gusht. Në konsultën e sotme, përfaqësuesit e koalicionit PAN sërish kërkuan që deputetët e Kuvendit ta votojnë kandidatin e tyre, Kadri Veselin. Kësisoj dëshmuan se nuk e kanë shumicën dhe e lanë të hapur mundësinë që sërish ta braktisin seancën nëse Veseli nuk votohet. Përveç Listës Serbe, partner kryesor i koalicionit PAN, sot u shpërfaq edhe roli i dëmshëm i disa përfaqësuesve të komuniteteve të tjera të cilët u pajtuan me taktikën e zvarritjes së mëtutjeshme në themelim të institucioneve qeverisëse.
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e brengosur për pozicionimin e tillë të deputetëve minoritarë të cilët kësisoj e rënduan tutje pozitën e ndjeshme të komuniteteve të tyre në këtë periudhë të krizës politike dhe shantazhit institucional.
Lëvizja VETËVENDOSJE! i kupton takimet e sotme ndër-partiake si taktizim të palëve në prag të fushatës për zgjedhjet lokale në Kosovë. Insistimi i përfaqësuesve të PAN për datën 24 gusht ndërlidhet me afatin e fundit për dorëzim të listave të kandidatëve për kryetarë dhe anëtarë kuvendesh komunale, e që skadon më 22 gusht. Tashmë është e qartë që PAN synon mbajtjen peng të jetës institucionale derisa të përmbyllen pazaret e kandidaturave dhe përkrahjeve elektorale të nivelit lokal. Ndihmesë kryesore në këtë qëllim të ulët e ka Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014.
Lëvizja VETËVENDOSJE! rithekson se ky Aktgjykim përbën njërin nga vendimet më të dëmshme politike në historinë e pasluftës në Kosovë. Ai ishte dizajnuar si agresion i drejtpërdrejtë mbi sistemin e brishtë demokratik dhe synon monopolizimin e pushtetit qeveritar në vend nga një grup i vetëm politik, i përfaqësuar sot nga koalicioni PAN.
Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se 24 gushti nuk është zgjidhje, por vetëm zvarritje e mëtutjeshme. Seanca e caktuar është pretekst i koalicionit PAN për ta ripërtërirë krizën, duke shantazhuar Kuvendin me votim të Veselit ose me braktisje të serishme të seancës.
Plagoset më armë zjarri një person në Prishtinë
Vidhet një pushkë gjuetie me leje në Podujevë
E rëndë, ky është 21 vjeçari nga Vushtrria që vdiq tragjikis...
Përplasja e dy makinave i mori jetën të miturit në trotuar, ...
Hansi Flick vlerëson performancën e lojtarëve të tij pas fit...
DW: Serbia po armatoset – Sa ka rrezik për luftë në Ba...