Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shkruar për vdekjen e shkrimtarit shqiptar të njohur ndërkombëtarisht i cili ka vdekur sot, Ismail Kadare.
Sejdiu ka treguar për dy takimet që ka pasur me Kadarenë sa ishte president i Kosovës, shkruan Arbresh.info.
Ai ka thënë se Kadare ishte një zë i fuqishëm në ndihmë Kosovës për liri dhe pavarësi.
Postimi i plotë:
Me pikëllim të madh sot mora lajmin e hidhur për vdekjen e shkrimtarit të letërsisë shqipe dhe botërore, Ismail Kadare.
Me këtë rast zonjës Helena dhe gjithë familjes i shpreh ngushëllimet më të thella për këtë humbje të madhe.
S
hkrimtarin Kadare kam pasur rast ta takojë dy herë nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës, takime këto që më kanë mbetur të paharrueshme.
Shkrimtari Kadare ishtë një zë i fuqishëm në ndihmë Kosovës për liri dhe pavarësi.
Nga takimet që i kisha me të, po përcjellë mbresa të paharrueshme nga këto biseda:
Kadare: “Të kesh dy shtete nuk është më pak se të kesh një shtet”
Insert nga libri im “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi”
Shkrimtarin e madh Ismail Kadare e kam pritur dy herë në zyrën time.
Që të dy herët, së pari jo larg nga koha e shpalljes së Pavarësisë dhe së dyti një vit e pak pas shpalljes, përkatësisht më 26 maj 2009. Këto vizita shprehin jo vetëm kujdes të një personaliteti të rrallë që ka bota shqiptare, por edhe mbështetjen e fuqishme që ai i kishte dhënë Kosovës dhe popullit të saj të jetojë i lirë dhe i pavarur.
Në vizitën e dytë ai kishte ardhur me bashkëshorten e tij, shkrimtaren Helena Kadare. Gjatë bisedës që e kisha, ai u interesua për zhvillimet e shumta me të cilat ne “përplaseshim” ditë e për ditë. Për koincidencë takimi përkonte me ditën kur unë kisha refuzuar të zhvillojë vizitën në Maqedoni. Kadarenë e njoftova edhe për zhvillime të tjera që kishin të bënin me Kosovën dhe rajonin.
Me një fjali të fuqishme, “Gëzojuni ekzistimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan”, Kadare deshi të thoshte se njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm për vlerën e një vendimi kaq të madh që ka marrë Kosova. Në konferencën e organizuar për shtyp, pata shprehur falënderimin ndaj Ismail Kadaresë për “mbështetjen e fuqishme dhe porositë e gjithmonshme në kohën e duhur për ecjet tona dhe natyrisht përkushtimin në ecjet tona të mëtutjeshme, në rolin që ka, sepse është personalitet unikat dhe dua të them paralelisht misionar, apo ambasadori më i mirë në kuptimin e prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë. Është njeriu që ka shpërthyer në të katër anët e globit”
Duke iu drejtuar gazetarëve të pranishëm në atë konferencë shtypi, Kadare pati theksuar: “Nuk është hera e parë që kemi pasur mendime të njëjta për gjërat themelore të Kosovës, që janë gjëra themelore të kombit shqiptar dhe për mua sa herë që kam ardhur në Kosovë, sa herë që kam qenë në këtë zyrë, është kënaqësi se këtu ka njerëz që punojnë për Kosovën, punojnë për interesat e saj, që i mbrojnë ato interesa, ndonëse nuk është lehtë gjithmonë të mbrohen interesat e drejta të një populli…” duke vazhduar se “Ka disa herë një paragjykim që të mbrosh interesat është lehtë, të mbrosh të drejtën ndonjë herë është tepër e vështirë ashtu sikurse është e lehtë disa herë për shtetet tjera të mbrojnë të shtrembrën, mashtrimin. Për fat të keq kjo ndodhë, ne nuk mund t’i ndryshojmë zakonet e njerëzimit, por një gjë është e vërtetë që Kosova ecën përpara, kombi shqiptar ecën përpara, koha punon për ta. Kur koha punon për një popull, jo të gjithë e kanë lehtë ta kuptojnë që koha punon për ta, madje shpesh kujtojmë kur koha punon për ta kujtojnë ose ju krijohet iluzioni se koha nuk punon për ta ose e kundërta. Popujt ose vendet që koha nuk punon për ta kujtojnë të kundërtën dhe këto ndodhin shpesh në vende tjera. Kam kënaqësinë ta përsëris koha punon për Kosovën, koha punon për shqiptarët”.
Po atë ditë, Kadare kishte mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit Amerikan në Prishtinë. Ai duke pasur parasysh zhvillimet e shumta që i kishte Kosova nga shpallja e pavarësisë, midis të tjerave kishte lënë mesazh të jashtëzakonshme, këtu tha: “Gëzojuni ekzistimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan”. Dhe: “Të kesh dy shtete nuk është më pak se sa të kesh një shtet”./Arbresh.info/
Trump e zgjodhi këshilltar për sigurinë kombëtare, reagon Mi...
“Ujku i Çeliktë” – Kurti: Më shumë investim në ushtri,...
Gjenden të vdekur tre fëmijë në Francë, policia në kërkim të...
I gatshëm të largohet nga Arabia: Neymarit i ofrohet një meg...
SHBA ndalon linjat ajrore të fluturojnë në Haiti pasi dy avi...
Të paktën 15 të vdekur nga përplasja e të burgosurve në burg...