Sejdiu për Enver Malokun: Nëntëmbëdhjetë vjet borxh ndaj teje

15:38 | 11 Janar 2018
Arbresh.info

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu përmes një sttausi në profilin e tij në facebook ka komnetuar vrasjen e Enver Malokut duke e vlerësuar atë si një intelektual, gazetar, njeri i kulturës e politikës, dhe mbi të gjitha si njeri i Lirisë dhe njeri i Kosovës, shkruan arbresh.info.

Sejdiu ka shkruar se Enver Maloku nuk kurseu asgjë asnjëherë, dhe në asnjë rrethanë.

Sipas tij, veprimtaria e Enverit ishte në shërbim të lirisë.

Ky është shkrimi i tij i plotë në facebook:

“Ia ndalën Lirinë Njeriut të Kosovës, duke ia ndalur Kosovës Njeriun e Lirisë

Janari, padyshim se mbetet nga muajt më të rëndë për vendin tonë, për shoqërinë tonë, posaçërisht kur kujtojmë ata që na i mori padrejtësisht.

Në çdo janar, nga viti në vit, dhembja shtohet edhe më shumë. Dhembje për ata që i kishim, dhe që padrejtësisht s’i kemi.

Padyshim se dhembja është e madhe, porse veprimtaria e tyre bënë krenar gjithsecilin që e deshi lirinë, që e deshi një Kosovë të pavarur.

Çdo kush që e deshi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sot duhet të jetë krenar me intelektualin, gazetarin, njeriun e kulturës, njeriun e politikës, njeriun që e udhëhoqi Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), e cila ishte dritarja më reale dhe më e fuqishme në momentet më të nevojshme, për projektet po kështu më të nevojshme, për projektin e madh, për Liri, njeriun e Lirisë, njeriun e Kosovës, Enver Maloku.

Enveri s’kurseu asgjë asnjëherë, në asnjë rrethanë. Ai s’u ndal kurrë. Dora dhe mendja e tij s’pushoi asnjëherë, deri në 11 janarin e kobshëm.

Enverin, e njoha për s ‘afërmi, pata rastin të punoj me të. Të tillë si e njoha në fillim, të tillë e ruajta kujtimin për të përherë.

Ai s’ndryshoi asnjëherë, në asnjë rrethanë. i përkushtuar, punëtor, i vendosur, i drejtpërdrejtë njeri i fjalës dhe i punës.

Synim kishte lirinë e vendit, për të cilën punoi pandashëm e pandalshëm përmjet publicistikës së tij.

Veprimtaria e Enverit ishte në shërbim të lirisë.

Lirinë që e deshi shumë, e që dëshmohet përmes shkrimeve të tij të cilat arritën në çdo cep të botës, si shkrime të guximshme, të fuqishme, të pasura me argumente të bollshme për çdo zhvillim brenda një padrejtësie që jetonim si shoqëri.

Porse, këtë dashuri për lirinë ia ndalën pikërisht ata që se deshën lirinë e Enverit dhe lirinë e Kosovës.

Po aq sa është e padrejtë ndalja e lirisë, padrejtësisht dhe pabesisht iu ndalë jeta edhe vet Enverit.

Duke u kthyer në banesën e tij, pas shpinës shtien mbi të.

Ia ndalën hapin, për t’ia ndalur mendjen e tij, dorën e tij, për ta ndalur Enverin.

Qëllimit të keq ia arritën, ia ndalën Lirinë Njeriut të Kosovës, duke ia ndalur Kosovës Njeriun e Lirisë.

Por, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë s’mund ta ndalin veprën e Enverit. Ajo do të jetoj përherë, me lirinë e Kosovës dhe me Kosovën e lirë.

Nëntëmbëdhjetë vjet Kosova e vuan mungesën tënde. Nëntëmbëdhjetë vjet borxh ndaj teje.

Nëntëmbëdhjetë vjet të pritjes për zbardhjen e atyre që bënë aktin më të turpshëm ndaljen e lirisë- Njeriut të Lirisë”, ka shkruar Sejdiu./arbresh.info/

Fotografia e Fatmir Sejdiu

Të ngjashme