Sejdiu numëron arsyet që sipas tij çuan në humbjen e PSD-së

23:57 | 7 Nëntor 2019
Trina Galanxhi

Dardan Sejdiu nga PSD-ja ka numëruar disa arsye që, sipas tij, çuan në dështimin e kësaj partie në zgjedhjet e 6 tetorit, në koalicion me AAK-në.

Nga 12 deputetë sa ishin në fund të legjislaturës së shkuar, PSD-ja ka vetëm një deputete në legjislaturën e re.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se arsye e parë ishte “mënyra se si kishin dalë nga Vetëvendosje”.

“Mënyra se si dolëm nga Vetëvendosje, ishte se pranuam barrën e tradhtarit dhe atyre që po shkatërrojmë gjithçka, që për mua është e pavërtetë, por që njerëzit e lexuan kështu. Kjo edhe me fajin tonë, me mënyrën si kemi reaguar”, ka thënë ai për “sfidën e parë që s’e kanë menaxhuar mirë”.

Sipas Sejdiut, arsyeja tjetër që çoi në dështimin e PSD-së ishte edhe “ndihma në zhbllokimin e animozitetit të madh në dialogun mes pozitës e opozitës”.

Ai ka thënë se tash “kandidati i VV-së për kryeminstër, Albin Kurti, po e thotë atë që kemi thënë në maj të vitit 2018, që të gjithë të jemi në dialog, por në atë kohë na thoshin jeni argatë të Thaçit”.

Si arsye tjetër, Sejdiu ka thënë se “vota për buxhetin ishte me rëndësi për ne, por për publikun ishte vazhdim i pushtetit të keq”.

Sipas tij, po të mos ishte PSD-ja në mandatin e fundit, Lista Serbe do të ishte në qeveri edhe 12 muaj.

Sejdiu ka thënë po ashtu edhe bashkëpunimi me AAK-në duket të ketë qenë jo i duhuri në sytë e publikut. Sipas tij, kjo për shkak të dallimeve që ishin mes këtyre partive.

Për ata që thonë se largimi na Vetëvendosje çoi në dështim të PSD-së dhe anëtarëve të saj, Sejdiu ka thënë se “leximi i njerëzve është e thjeshtë, ata që thonë është konfirmuar mund të kenë të drejtë”.

Megjithatë, ai ka shtuar se nuk ndërron mendje për largimin nga VV-ja.

“Për mua s’ishte gabim largimi. Jam i të njëjtit mendim. Kur kam dhënë dorëheqje ishte për bindjet e mija, që janë në një vlerë të një demokracie liberale. Besoj në të. Andaj s’qëndroj në asnjë subjekt ku këto vlera reduktohen në procedurë. Foleja ime e parë ishte FER-i. Kështu që foleja e vjetër është FER-i. Folenë tjetër e çmoj. E vlerësoj që ka plot që më shkruajnë edhe individualisht (nga VV-ja), por vendimin e kam marrë. Besoj në koncept tjetër. Është çadër e madhe e s’ndihem rehat. Prandaj kam dalë”, ka deklaruar më tej ai.

Sejdiu në legjislaturën e shkuar kishte hyrë me 39 mijë vota, ndërsa tash ka marrë më shumë se 4600./koha.net

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme