Google ADS

Seancat e mbyllura, zëdhënësi i Gjykatës Speciale: Masë mbrojtëse për dëshmitarët

13:00 | 19 Shtator 2024
E.G

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), disa seanca janë mbajtur të mbyllura.

Kjo ka ngritur një “dyshim” mbi transparencën e DhSK-së, shkruan Arbresh.info.

Megjithatë, kjo po arsyetohet me mbrojtjen e dëshmitarëve, gjë për të cilën zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle për Arbresh.info thotë se këtë e parashikon edhe ligji.

Sipas tij, ligji në parim thotë se procedurat janë publike mirëpo kur ka një çështje e mbrojtjes së dëshmitarëve ose viktimat, atëherë ata mund të kërkojnë masa të tilla mbrojtëse.

“Me të vërtetë ligji i cili është adoptuar nga Kuvendi i Kosovës ofron që gjykatësit mund të urdhërojë masa mbrojtëse duke përfshirë të mbajturit e seancave të mbyllura apo të hapura. Ligji ofron që procedurat janë në parim publike, por kur ka një çështje e mbrojtjes së dëshmitarëve ose viktimat, atëherë ata mund të kërkojnë masa të tilla mbrojtëse”, shprehet ai.

Ai thekson se arsyeja e ngritjes së kësaj gjykate ka qenë pikërisht shqetësimi për intimidimin apo frikësimin e dëshmitarëve.

“Është e rëndësishme të theksojmë që autoritetet e Kosovës kanë themeluar ose rënë dakord për të krijuar dhe miratuar Dhomat e Posaçme, për shkak të shqetësimit për intimidimin e dëshmitarëve ose një klimë të intimidimit në një skenë të ngjashme dhe ne kemi parë që ajo të lind në rastet kur gjykatësit kanë referuar ndikimin në disa raste që ato kanë pasur, kemi parë që është një seancë po vjen për pretendime për pretendimet për ndërhyrje te dëshmitarët”, thotë Doyle për Arbresh.info.

Megjithatë, ai nënvizon përkushtimin e gjykatësve për të gjetur mënyra që t’i bëjnë këto seanca sa më publike.

“Me këtë që u tha, është shumë e rëndësishme që publiku të kuptojë se çka po ndodh në seanca dhe për këtë arsye gjykatësit vazhdimisht janë duke shikuar për mënyra që t’i bëjnë këto seanca sa më publike, një gjë që ata kanë bërë është që kanë vendosur afate për kur palët duhet të rishikojnë të gjitha transkriptet dhe të vendosin se çka mund të ri-klasifikohet si publike, kështu për shembull, së fundi kanë qenë dy seanca për dëshmitë e dëshmitarëve për të cilat gjykatësit thanë se shumë nga këto mund të jetë publike, ata kanë urdhëruar palët që të vijnë me rekomandime lidhur me atë se çka duhet në mënyrë absolute të reduktohet dhe të cilat do të jenë transkripte të cilat do të japin më shumë informacione.”, shprehet ndër të tjera zëdhënësi Doyle.

Mes të tjerash, Doyle thotë se gjykatësit vazhdimisht janë duke iniciuar urdhra për qëllim që të bëjnë publike sa më shumë prej këtyre seancave të mbyllura më vonë.

“Dhe vini re se që nga pushimi tradicional i Gjykatës në gusht, kanë qenë 4 dëshmitarë të cilët kanë dëshmuar të seanca të hapura. Ka pasur shumë çka është dëgjuar por natyrisht ka edhe shumë që është reduktuar për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe gjykatësit vazhdimisht janë duke iniciuar urdhra për qëllim që të bëjnë publike sa më shumë prej tyre më vonë dhe në fund të procedurave njerëzit mund të vlerësojnë nëse procedurat kanë qenë të drejta.”, përfundon ai.

Ndryshe, të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dje ka dëshmuar dëshmitari i 85-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ky dëshmitar ka dëshmuar me masa mbrojtëse dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, Matt Halling, ai është ish-ushtar i UÇK-së. /Arbresh.info/Erolinda Gashi/

Të ngjashme