Tre dëshmitarët e parë në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë, i kanë dhënë dëshmitë e tyre në seanca kryesisht të mbyllura.
Edhe ato pak minuta që janë parë, imazhi dhe zëri i tyre kanë qenë aq të transformuar, saqë pakkush e ka kuptuar se çfarë kanë thënë.
Gjyqi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nisur më 3 prill në Dhomat e Specializuara të Kosovës, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale.
Sipas gjykatësve, redaktimi i dëshmive dhe dëshmitë në seanca të mbyllura janë procedurë e rregullt ligjore, e cila aplikohet në rastet kur prokuroria, në konsultim me dëshmitarin, e kërkon një gjë të tillë.
Monitoruesit e proceseve gjyqësore, në anën tjetër, thonë se duhet të ketë balancë mes transparencës dhe mbrojtjes së dëshmitarëve.
Pineles: Qëllim është mbrojtja e personave që mund të jenë në rrezik
Gjyqtari amerikan, Dean Pineles, ka një përvojë gjyqësore mbi 20-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka punuar në Kosovë si gjyqtar penal ndërkombëtar në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, nga viti 2011 deri në vitin 2013.
Duke komentuar procesin gjyqësor kundër Thaçit dhe të tjerëve, ai thotë se ky nuk është një proces i zakonshëm, pasi, sipas tij, “figurat më të rëndësishme të Kosovës në 24 vjetët e fundit” akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“A e dini se sa tmerruese mund të jetë kjo për shumë dëshmitarë”, pyet Pineles teksa komenton mbylljen e vazhdueshme të seancave gjatë dëshmisë së dëshmitarëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Është e rëndësishme të kuptohet se gjykata funksionon sipas rregullave të procedurës. Këto rregulla kanë dispozita që adresojnë mbrojtjen e dëshmitarëve, shumë prej të cilëve mund të jenë të tmerruar për të dëshmuar kundër heronjve të luftës së UÇK-së, si dhe viktimave të supozuara”, thotë Pineles.
Ai shton se dispozita të ndryshme ligjore i japin gjykatës liri të madhe në mbrojtjen e dëshmitarëve, duke përfshirë seancat private, nëse gjykohen si gjë e përshtatshme.
Sipas tij, edhe dokumentet dhe dëshmitë e tjera redaktohen nga gjykata “për t’i mbrojtur personat që përndryshe mund të jenë në rrezik”.
Gjykata Speciale rrjedh nga një raport i Këshillit të Evropës, i vitit 2010, i cili ka përmbledhur një varg akuzash kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq e të tjera.
Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
“Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ka qenë një prej arsyeve përse kjo gjykatë e Kosovës është vendosur në Hagë dhe jo në Prishtinë”, ka thënë Qeveria e Holandës në një deklaratë të lëshuar në vitin 2016.
Alija: Seancat e mbyllura vështirësojnë monitorimin
Amer Alija, hulumtues ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se i është vështirësuar monitorimi i procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së, për shkak të seancave të mbyllura.
Alija thotë se opinioni që interesohet për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duhet të bindet se ka pasur mjaftueshëm prova në fund të procesit.
“Ne nuk mund të krijojmë një opinion të qartë tonin në përfundim të shqyrtimit kryesor, nëse seancat janë të mbyllura në rastet e dëshmitarëve kryesorë. Qoftë për një vendim fajësues apo shfajësues, ne duhet të bindemi se ka pasur mjaftueshëm prova për një të tillë”, thotë Alija për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, ai shton se për shumë dëshmitarë dhe viktima mund të jetë e vështirë të dëshmojnë kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, kur edhe ata vetë janë shqiptarë të Kosovës.
“Kosova është vend i vogël dhe shumë lehtë mund të identifikohet se për cilin dëshmitar bëhet fjalë, në rast se dëshmia e tij do të ishte tërësisht e hapur për publikun”, thotë Alija.
Ai kujton se në gjykimet e kaluara për krime lufte, si nga misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, në Kosovë, ashtu edhe nga EULEX-i, gjykimet kanë qenë më të hapura dhe vetëm rreth 20 për qind e tyre kanë kaluar nëpër seanca të mbyllura.
Një praktikë të tillë, thotë Alija, mund ta ndjekin edhe Dhomat e Specializuara.
Në procesin gjyqësor kundër Thaçit dhe të tjerëve, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paralajmëruar se do të paraqesë 312 dëshmitarë, por nuk dihet saktë se sa do të jetë numri i dëshmitarëve që do të dëshmojnë në seanca të mbyllura.
Gjyqtari amerikan, Dean Pineles, beson se të tillë do të jenë shumë dhe thotë se nuk duhet gjykuar e as vënë në dyshim puna e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit tjetër të Dhomave të Specializuara.
“Nuk do të ishte e përshtatshme që në këtë fazë të hershme të hamendësohej gjykata, e përbërë nga gjyqtarë shumë të respektuar dhe me përvojë, të cilët po bëjnë çmos për t’i përshtatur interesat e shumta konkurruese në një rast të ndërlikuar si ky”, thekson Pineles.
E gjitha për t’i mbrojtur dëshmitarët
I pyetur nga REL-i për çështjen e seancave të mbyllura në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, tha:
“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon të paraqesë prova dhe dëshmi në procedura që mediat dhe publiku mund t’i ndjekin sa herë që të jetë e mundur. Megjithatë, ZPS-ja duhet të ofrojë gjithashtu siguri për dëshmitarët dhe për këtë arsye është e detyruar të përdorë seanca private për të mbrojtur identitetin e tyre”.
Për këtë çështje ka folur edhe zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, më 13 prill. Ai ka thënë se gjykatësit ndonjëherë vendosin që dëshmitarët të dëgjohen në “seanca private” ose të redaktojnë informacione të caktuara, për të mbrojtur identitetin dhe sigurinë e dëshmitarëve ose të viktimave.
Sipas tij, vendimi për “seancë private” shqyrtohet me kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti.
“Gjyqtarët sigurohen që të ketë balancë midis nevojës për mbrojtje të dëshmitarëve dhe të drejtave të të akuzuarve. Për shembull, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve përsëri kanë të drejtë t’i bëjnë pyetje dëshmitarit”, ka thënë Doyle për mediat.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Rexhepi akuzohen, mes tjerash, për veprat: përndjekje, burgim, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.
Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara të tyre janë kryer nga muaji mars i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në disa zona në Kosovë dhe në disa në veri të Shqipërisë.
Prokuroria pretendon se shumica e viktimave të të akuzuarve – rreth 100 syresh – janë shqiptarë, porse ka edhe serbë dhe romë të Kosovës.
Gjyqi ndaj Thaçit dhe tre të të akuzuarve të tjerë është rasti i profilit më të lartë në Gjykatën Speciale, që lidhet me luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.
Deri më tani, kjo gjykatë ka dënuar me 26 vjet burgim ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, ndërsa me nga katër vjet e tre muaj i ka dënuar dy anëtarët e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët janë gjykuar për nxjerrjen e emrave të dëshmitarëve në raste të tjera.
Aktualisht, në zhvillim e sipër është gjykimi i Pjetër Shalës, ish-pjesëtar i UÇK-së.
Shumë në Kosovë e shikojnë Gjykatën Speciale si të padrejtë, sepse, siç thonë, do të gjykojë vetëm pjesëtarët e një grupi etnik, në këtë rast shqiptarët, ndërsa krimet e supozuara të serbëve do të mbeten të pandëshkuara. /REL
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës